Abdixhiku kritikon Programin e Qeverisë Kurti: Dokument sipërfaqësor, i thatë dhe pa masa si do të adresohen problemet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar sot Programin e Qeverisë Kurti, duke thënë se është një dokument sipërfaqësor, pa masa dhe pa zgjidhje se si do të adresohen problemet.

Abdixhiku më tej tha se kanë pritur 60 ditë për një dokument 60 faqesh të Qeverisë, për një dokument që nuk ka as argumente e as ide.

“Të presësh 60 ditë e të marrësh një dokument 60 faqesh si përfundim, veç fillon të kesh dyshim mbi aftësinë e dikujt që të gjitha problemet ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore, të rendit e ligjit, të sigurisë e integrimit, të dialogut e punësimit, të korrupsionit e nepotizmit, të kapjes e pandemisë – do t’i përfshijë në 60 faqe platformë.

Dyshimin disi e kapërcen sepse faqet megjithatë s’e bëjnë përmbajtjen. Përmbajtjen e përbëjnë argumentet e idetë e fjalës. Sa të fuqishme, sa konkrete e sa kreative janë ato. Por, ky dokument 60 faqesh i përgatitur për 60 ditë, nuk ka as argument e as ide të fjalës.

Për befasinë time e tonën, është një ndër dokumentet më sipërfaqësore e më jopërmbajtësore që kam lexuar ndonjëherë – e që mban titullin e Programit Qeverisës për 4 vjet”, tha ai.

Sipas tij, deklaratat “do të bëjë politika të mira” nuk janë masa por vetëm parulla.

“Nuk e keni të qartë se çfarë do të bëni tash që jeni në pushtet”, u shpreh Abdixhiku, duke përsëritur se programi i Qeverisë Kurti është i thatë.

“Është një dokument që s’përmban ndonjë masë, ndonjë matje e ndonjë numër. S’përmban as kohë se kur do të nisë e kur do të përfundojë një politikë qeveritare për katër vjet planifikim. S’thotë gjë, askund – përjashto ndonjë politikë dytësore aty – këtu se çfarë problemi do të adresojë, çfarë rezultati do të japë, kush do ta implementojë, sa do të kushtojë, e si do ta bëjë atë. Këtë pret secili nga një Program Qeverisës. Çfarë do të bëhet për katër vjet e si do të duket vendi ynë i përbashkët katër vjet nga sot?!”, u shpreh Abdixhiku.

Më Shumë

Përkujtohet në Prizren aktori i madh Bekim Fehmiu

Më 15 qershor 2010 u nda nga jeta Bekim Fehmiu, aktori i madh shqiptar dhe një nga figurat më të shquara të kinematografisë shqiptare...

Telex rikthehet në skenë pas më shumë se 15 vitesh në Prizren Rock & Blues Festival

Pas më shumë se 15 vitesh mungesë, grupi legjendar Telex rikthehet fuqishëm në skenë me vokalin unik të Sejat Jakupit. Një nga emrat që ka...

Lajmet e Fundit