7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nëntë filma shfaqen në garën kombëtare të “Skena UP”

SkenaUP-filma kombetarStudentët shqiptarë, që studiojnë regjinë dhe filmin në fakultete të arteve në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni kanë prezantuar të dielën mbrëma filmat e tyre të metrazhit të shkurtër. Filmat janë shfaqur në ditën e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Studentëve për Film dhe Teatër, “SKENA UP”, në kuadër të Ditës Kombëtare të Konkurrencës.

Në garë kanë qenë shtatë filma nga Kosova, një nga Maqedonia dhe një nga Shqipëria, ndërkaq, në bazë të vlerësimit të jurisë, në fund të Festivalit do të ndahet shpërblimi për filmin më të mirë kombëtar, transmeton KultPlus.

Regjisori Fisnik Muji është paraqitur me filmin “Bora”, regjisorja Vesa Broqi me filmin “Vendimi”, regjisorit Arian Rugova me “Fiksim”, regjisori Ibrahim Deari me “Rrëfimi i fundit”, regjisorja Arjeta Veselaj me “Humbje”, regjisori Zgjim Terziqi me “Ourboros”, regjisorët Arbër Jashari dhe Valmir Tertini me “Çaj rusi”, regjisori Ergys Meta me “Çelësi” dhe regjisori Nart Zeqiri me filmin “Plaçkitja”.

Filmat kanë pasur tematikë të ndryshme dhe kanë trajtuar nga një shqetësim të komunitetit ku jetojnë. Tek filmi “Plaçkitja” paraqitet një palaço, i cili me veshjen e tij që, nga sytë e qytetarëve shihet si veshje e një plaçkitësi të bankës, qëllon në afërsi të vjedhjes së një banke, për çka edhe do të paguaj me jetën e tij më pas. Më saktësisht, personat përgjegjës për sigurinë e bankës i vërsulën plaçkitësit, të cilin pasi e ndjekin gjithandej lagjes arrijnë ta kapin teksa ai është duke u marrë me këpucët e tij të verdha.

Pas kësaj, të bindur se palaço është personi që sapo ka plaçkitur bankën ata e vrasin me armë zjarri, ndërsa, pak sekonda më vonë ia gjejnë një pistoletë lodër, e cila në vend të plumbit liron ujë.

Student i regjisë në vitin e dytë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Nart Zeqiri, i cili e ka punuar këtë film thotë për Kultplus se në këtë formë ka dashur të përçoj mesazhin tek opinioni se shumë shpesh njerëzit paragjykohen dhe në bazë të dukjes së jashtme krijohet perceptimi për anën e brendshme të tij.

“Është imazhi i palaços, ajo ka qenë thjesht simbolikë për të treguar paragjykimin e njerëzve, të cilët kur e shohin një palaço menjëherë iu lidhet me plaçkitjen e bankës, pasi që është plaçkitur banka me maskën e palos”, thotë ai.

Zeqiri, tregon se në këtë film ka punuar rreth dy javë, ndërsa xhirimet kanë zgjatur një ditë. Sipas tij edhe atëherë kur të gjitha dyshimet të çojnë në një cak, dhe mund të jesh i bindur nëntëdhjetenëntë për qind, kjo nuk do të thotë se është ashtu.

Ai thekson se nuk e ka pasur edhe aq të lehtë të punojë këtë film, por, me ndihmën e miqve të tij, Roland Treshipajt, Burhan Sejdiut, dhe produksionit Nart ia ka dalë me sukses ta përfundojë idenë që kishte.Madje, siç thotë ai, Bujar Kabashi, që është pronari i produksionit ia ka bërë filmin pa i marrë të holla, duke ia lehtësuar maksimalisht punën. Zeqiri thotë se këtë film e ka edhe si detyrë në lëndën e regjisë në vitin e parë në fakultet, të cilën e ligjëron Isa Qosja, për të cilin, ai thotë se i ka ndihmuar shumë, veçanërisht tek skenari.

Nart Zeqiri i ka edhe dy filma të tjerë, njëri siç thotë ai, ende nuk është shfaqur, ndërsa tjetri ka marrë pjesë në njëzetenjë festivale ndërkombëtare, ndërsa në shtatë prej tyre ka marrë çmime ndërkombëtare.

Më Shumë

Glauk Konjufca bëhet baba për herën e tretë

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se sot është bërë baba për herë të tretë. Ai ka bërë të ditur se është...

SHMP “Lasgush Poradeci” shënoi Ditën e Shkollës

Shkolla e Mesme Profesionale “Lasgush Poradeci” në Kijevë organizoi sot një manifestim festiv me rastin e Ditës së Shkollës, ku mori pjesë edhe Kryetari...

Lajmet e Fundit