2.2 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Edmond Zhulali, i kënaqur me prurjet në festivalin e këngës në RTSH

EdmondZhulali-rtshDrejtori artistik i Festivalit të këngës në RTSH në një intervistë për faqen zyrtare të këtij festivali ka deklaruar se në edicionin e sivjetmë ka stile të ndryshme muzikore. Sipas tij juria do ta ketë shumë të vështirë të zgjedhë këngën fituese, që është edhe kurora e Shqipërisë që e çon vendin në Festivalin Europian.

Ndonëse është bërë me dije edhe më herët, por a mund të na tregoni edhe për miqtë e faqes festivali-rtsh.al, se si është konceptuar këtë vit Festivali i Këngës?

Siç dihet nga publiku, janë miratuar 16 këngë. Ndërkohë është bërë e ditur edhe struktura e festivalit e cila do të jetë në tri net, në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Pjesë e Festivalit do të jenë edhe duetet që do të këndohen nga këngëtarët konkurrues në bashkëpunim me këngëtarët e zgjedhur nga ne, të cilët kanë një eksperiencë shumë të madhe edhe në skenën e Festivalit të Këngës. Këngët që do të këndohen në duet, janë këngë të Festivalit ndër vite por që nuk janë kënduar në festival nga këngëtarët konkurrues dhe ata të ftuar.

A mund t’i japim një përgjigje të gjithë atyre që pyetën me dyshim se pse këtë vit janë vetëm 16 këngë në konkurrim?

Ka patur efektin e vet kjo formulë. Është hera e pare që zgjidhen vetëm 16 këngë për t’u kënduar në Festivalin e Këngës. Por e gjitha ka qenë e paramenduar sepse në fillim është vendosur për strukturën e festivalit e më pas janë zgjedhur këngët sipas asaj që kërkonte formula e këtij viti. Për mua ka qenë shumë e vështirë pasi bie një barrë shumë e madhe mbi drejtorin artistik por mendoj që është bërë një punë shumë e mirë sepse ne arritëm që të kemi një juri shumë profesionale. Ky është festivali i katërt që drejtoj dhe jam përpjekur të ndërtoj gjithçka mbi drejtësinë dhe ndershmërinë, sepse duke qenë edhe vetë një konkurrues në shumë festivale kam kërkuar që gjithçka të jetë e barabartë. Pra në këtë këndvështrim përgjegjësia ka qenë shumë e madhe. Çdo artist pjesëmarrës në festival pavarësisht kontributeve në karrierën artistike duhet të ndjehet i barabartë dhe i vlerësuar në të gjithë fazat e zhvillimit të festivalit. Mbi të gjitha, mendoj që është detyrë e drejtorit artistik të krijojë një marrëdhënie korrekte dhe një ambient sa më bashkëpunues ndërmjet të gjithë artistëve dhe stafit realizues të festivalit.

Pak më lart përmendët këngëtarët big të ftuar. Si padashur, janë mësuar disa nga emrat e të ftuarve. Ju, a mund të na bëni me dije cilët do të jenë ata?
Unë nuk e njoh fjalën “padashur”. Unë njoh vetëm rregullat e festivalit të cilat i respektoj në mënyrë absolute. Ajo që mund të them është se ata janë emra shumë të njohur dhe mjaft të dashur për publikun. Megjithatë do të ketë një prezantim publik të këngëtarëve të ftuar për duetet si dhe për prezantuesit e këtij viti. Surprizat e kanë bukurinë kur shfaqen në kohën e duhur.
I rikthehemi edhe njëherë garës. Duket se është bërë një përzgjedhje e kujdesshme që brenda kësaj gjashtëmbëdhjetëshe të ketë edhe emra të njohur të skenës dhe talente të rinj.
Unë mund të them se e gjitha kjo është vetëm një përzgjedhje vlerash artistike e jo strukturore. Gjej rastin të falënderoj jurinë e cila me shumë përkushtim dhe profesionalizëm zgjodhi këto këngë që kanë krijuar një hartë shumëngjyrëshe të artistëve. Në mesin e tyre janë Luiz Ejlli dhe Frederik Ndoci, dy këngëtarët që kanë përfaqësuar më herët Shqipërinë në Eurosong. Dua të përmend edhe këngëtarë të tjerë të karrierës si Orges Toçe dhe Sajmir Braho. Këngëtarët e rinj dhe të talentuar si Renis Gjoka, grupi Lynx, Klodian Kaçani por edhe mjaft vajza të cilat shquhen për një interpretim shumë të mire vokal siç janë Hersi Matmuja, Marjeta Billo, Rezarta Smaja, Xhejsi Jorgaqi, Blerina Braka, motrat Kumrija. Këtë vit kemi dhe tre duete, Besiana Mehmedi dhe Shkodran Tolaj që vijnë nga trevat shqiptare të Maqedonisë. Po kështu dhe dueti Lindi Islami dhe Venera Lumani. Dueti i tretë është ai i kantautorit Etmond Mancakut dhe Entela Zhulës. Të gjithë këta këngëtarë do të interpretojnë live me shumë sukses. Kemi një garanci absolute në këtë drejtim sepse të gjithë konkurrentët kanë treguar që janë interpretues shumë të mirë me cilësi vokale të larta. Elementi kryesor i Festivalit të RTSH-së është realizimi live i të gjithë komponentëve si Orkestra, back vocal-et dhe solistët. Është kjo ajo që e bën këtë festival, unik në Shqipëri me vlera të pakrahasueshme dhe që i ka dhënë edhe një dimension tjetër sidomos në rrethet artistike të Eurovision-it. Këtë vit Festivali i 52-të i këngës në RTSH do të transmetohet direkt në eurovision.tv.

Çfarë mund të na thoni për krijimtarinë muzikore në këtë festival ?

Këngët këtë vit janë shumë të bukura. Ka stile të ndryshme muzikore dhe kjo është besoj edhe pak fat kur krijimtaria vjen me frymëzim dhe profesionalizëm. Juria do ta ketë shumë të vështirë të zgjedhë këngën fituese, këngën që do të fitojë çmimin e madh, kurorën e mrekullueshme të Festivalit që është edhe kurora e Shqipërisë që të çon në Festivalin Europian. Një ëndërr shumë e bukur… Shpresoj të fitojë më i miri dhe ta mbështesim të gjithë këngën fituese. Ky do të jetë dhe kurorëzimi i punës sime dhe stafit me të cilët po punoj duke filluar nga drejtori i festivalit, z. Alfons Zeneli, e duke vijuar me regjisorin Petri Bozo, skenaristen Alda Bida, skenografin Adnan Kastrati, kolegët e mi Alfred Kaçinari dhe Shpëtim Saraçi me të cilët e kemi ndërtuar këtë festival që është aktiviteti më i rëndësishëm i RTSH-së dhe i mbarë këngës shqiptare.

Ju vjen keq që këtë vit nuk mund të jeni konkurrues?

Jam i privuar këtë vit pasi është vendosur që drejtori artistik të mos jetë konkurrues. Do kisha patur shumë dëshirë të isha pjesëmarrës në festival si kompozitor. Të jep emocione jashtëzakonisht të mëdha. Por e dua edhe këtë rol që kam sivjet në Festival pasi është puna që dua dhe do e kryej me përgjegjësi absolute.

Faleminderit dhe suksese.

Faleminderit ju dhe vizitorëve të faqes zyrtare të Festivalit të Këngës./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Aulona Muhadri shpallet basketbollistja më e mirë e vitit 2024

Aulona Muhadri u nderua me çmimin 'Basketbollistja më e mirë e vitit 2024' në ceremoninë Laureatët 2024, për performancën e saj të shkëlqyer me...

Suhareka përfiton rreth 1 milion euro nga FKEE për efiçiencë të energjisë në tri shkolla

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka njoftuar se në tri shkolla të kësaj komune do të implementohen masat e efiçiencës në energji...

Lajmet e Fundit