24.5 C
Prizren
E hënë, 30 Qershor, 2025

Ylli shqiptar i Jugosllavisë: Shqetësohem për Kosovën…

“Variety” ka botuar, me 14 prill 1993, në faqen n°75, intervistën nga Deborah Young, me aktorin e famshëm shqiptar, Bekim Fehmiun, që Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjell për publikun shqiptar:

Humbur dhe gjetur

Emri: Bekim Fehmiu

Përshkrimi: Ylli më i madh i filmit në Jugosllavi

Parë për herë të fundit: Ballafaqimi me luftën

I vetmi superstar i vërtetë i prodhuar ndonjëherë nga Jugosllavia, aktori i filmit dhe teatrit Bekim Fehmiu është i njohur më së shumti për karrierën e tij unike në Hollywood si playboy amerikano-jugor në “Aventurierët” e Paramountit më 1970.

Ai dukej gati për një “crossover” në Hollivud, pasi ishte bërë yll ndërkombëtar, në “Unë takova disa ciganë të lumtur, madje”. Kjo pjesë i erdhi në momentin e fundit, kur një aktor rus, cigan i vërtetë, u hoq (largua) disa ditë para xhirimeve.

Ndërsa dy dekada më parë, Fehmiu vizitoi botën si një superstar i ardhshëm, ai tani përpiqet të mbijetojë në një Beograd të shkatërruar nga lufta, një shqiptar i izoluar dhe i rrethuar nga lufta.

Kur “Ciganët” morën Çmimin e Madh në Kanë, si dhe morën një audiencë amerikane në galeritë e artit më 1968, Fehmiu papritmas kërkohej.

Gruaja e Dino De Laurentis, Silvana Mangano, donte që ai të luante me të në “Edipi mbret”, por një angazhim i mëparshëm e rrëzoi atë projekt. Ndërkohë, gruaja dhe djali i Lewis Gilbertit, panë “Ciganët” dhe regjisori i dha atij rolin e vrasësit të zonjave Dax Xenos, në “Aventurierët”.

Fatkeqësisht, kur gjithçka u tha dhe u bë, Fehmiu kaloi nga “Cigani i lumtur” në një kampist fatkeq. Filmi prej 15 milion dollarësh – një nga më të shtrenjtë të realizuar ndonjëherë në atë kohë – dështoi dhe Fehmiu, mori përsipër një pjesë të madhe të fajit.

Ai i humbi shpresat, për në Hollivud.

“Gabimi i madh i Gilbertit, ishte të qenit shumë besnik ndaj romanit ‘Harold Robbins”, – thotë Fehmiu, duke u kthyer në kohë. “Ai e realizoi sikur të ishte duke përshtatur ‘Lufta dhe Paqja’”.

…57-vjeçar, Fehmiu tani jeton në kryeqytetin serb, Beograd. Edhe pse luajti regullisht role dytësore në bashkëprodhime të huaja dhe ishte ylli më i madh i Jugosllavisë në vitet 1960 dhe 1970, një aksident i rëndë automobilistik e pengoi të interpretonte, nga viti 1978 deri në 1981. Edhe pse, herë pas here ka xhiruar filma ose seriale televizive jashtë vendit, mendja i rri vetëm në luftën që e ka copëtuar vendin e tij.

“Nuk jam i interesuar të aktroj, për momentin”, – tha Fehmiu, për ”Variety”.

“Jam shumë i shqetësuar, për të gjithë situatën këtu”.

Ai, aktualisht mbështet shkollimin e katër të afërmve të tij, pasi lufta shkaktoi mbylljen e disa shkollave.

“Duhet të bësh pjesën tënde, në çdo mënyrë që mundesh”.

Fehmiu pranon se, jeta nuk është e lehtë për të, si shqiptar, në Serbi. Ai jeton me gruan dhe dy djem, njëri prej të cilëve, Uliksi, një aktor i ri në rritje. Por, pavarësisht luftës dhe persekutimit të grupeve etnike, Fehmiu thotë se nuk do të largohet nga Beogradi.

“Arratisja është gabimi më i madh. Ka serbë shumë progresistë, por shumica e intelektualëve janë larguar nga vendi. Unë do të qëndroj dhe do të vdes këtu, nëse është e nevojshme”. – Deborah Young/darsiani

Më Shumë

Përurohen kabinetet shkencore në shkollën “Katër Dëshmorët” në Ratkoc

Në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit mes Komunës së Rahovecit, Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe Zyrës Komunale për Komunitete (ZKK), sot janë përuruar...

Vodhi rreth 5 mijë euro, arrestohet brenda natës i dyshuari në Prizren

Policia e Kosovës, konkretisht policët e Stacionit Policor të Prizrenit kanë ndërmarrë veprime të shpejta dhe profesionale pas një rasti të raportuar të vjedhjes...

Lajmet e Fundit