16.6 C
Prizren
E mërkurë, 17 Shtator, 2025

Gjykimi ndaj Remzi Shalës, dëshmitari: Asnjëherë nuk kam thënë se të ndjerin e kanë vrarë shqiptarët

 Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të  Kosovës (UÇK), Muhamet Bilalli, në cilësi të dëshmitari ka deklaruar se për vrasjen e të ndjerit Haxhi Perteshi kishte dëgjuar pas luftës që ishte vrarë nga forcat serbe.

“Hera e parë që kam dëgjuar për emrin e Haxhi Perteshit ka qenë pas luftës ke qenë një ndej me 10-12 persona kemi biseduar për disa persona të vrarë nga shkijet mes tyre edhe Haxhi Perteshi dhe Sherif Qatani, se Haxhi Perteshin e kanë vra shqiptarët kurrë skam thënë dhe kurrë skam dëgjuar”, tha dëshmitari Bilalli.

Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin ku Remzi Shala, i njohuri si komandant “Molla e Kuqe” po akuzohet se së bashku me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë Haxhi Përteshin nga shtëpia e tij, e më pas Perteshi ishte gjetur i vdekur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit të rastit Haki Gecaj, dëshmitari tha se për herë të parë të akuzuarin Remzi Shala e kishte parë në korrik apo gusht të vitit 1998, dhe se sipas tij, në atë kohë as ai personalisht e as i akuzuari nuk kishin ndonjë gradë ushtarake.

Ndërsa në pyetjen e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Asdren Hoxha, se në deklaratën e mëparshme gjykatës i keni premtuar se do të sillni një vërtetim me të cilën vërtetohet se jeni  bastisur nga KFORI dhe UNMIK-u, e me që raste iu është marr edhe një listë të personave të zhdukur dhe të vrarë në luftë e të njëjtin nuk e keni sjellë, dëshmitari tha se të njëjtën nuk mund ta gjej.

Pas kësaj ka reaguar i dëmtuari Zenel Perteshi, i cili ka kërkuar nga gjykata që t’i tërhiqet vërejtja e mbrojtësit të akuzuari, avokatit Blerim Mazreku, që në vazhdimin e procedurës i njëjti të mos përmend emrin e babait të tij të ndjerë Haxhi Perteshi.

“Kërkoj nga gjykata që ky mos me ja përmend emrin e babës tem kurrë, mundet me vazhdu me punën e vet por jo me përmend emrin e prindit tem” tha i dëmtuari.

Ndërsa pas kësaj ka reaguar i akuzuari Shala, duke thënë se do ta përmend sa herë të ka nevojë.

“Ka me përmend, jam i pafajshëm edhe shpijunat vrahen në luftë, po ky e din se babën ja ka vra agja vetë” tha i akuzuari Shala

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuari avokati Mazreku tha se i dëmtuari me këto fjalë kërcënuese i drejtohet atij pasi që ky trup gjykues e lejon që të ndërhyj pa leje  dhe pa ia dhënë fjalën, duke shtuar se emrin e të ndjerit do ta përmend sa herë që të është e nevojshme dhe e kërkon procedura.

Paraprakisht në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar edhe Haki Përteshi dhe Fehmi Graishta.

Dëshmitari Perteshi tha se në ditën kritike kur është gjetur trupi i pajetë i Haxhi Përteshit atë ditë edhe është varrosur nga një numër i vogël i njerëzve.

Ai tha se ditën kritike kishte shkuar me njërën nga motrat e Agronit që ta merre Agronin nga Istikamet atje ku ka qenë duke punuar.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit avokatit Mazreku, se a kishte biseduar ndonjëherë mbas lufte me personin Hajdar Qatanin për rastin e Haxhi Përteshit, pasi që i njëjti gjatë luftës i kishte thënë se Xhemajlia erdhi dhe e mori Haxhin në shtëpinë time e futën në veturë, dëshmitari tha jo.

Tutje dëshmitari Perteshi tha se me familjen e Bajram Qatanit gjithmonë kanë pasur raporte  të mira deri në rrëmbimin e i të ndjerit Haxhi Perteshi, por sipas tij, pas rastit të Xhemajliut dhe Haxhis raportet kanë ndryshuar.

Ndërsa dëshmitari Fehmi Graishta tha se të akuzuarin e ka njohur vetëm si nofkë Molla e Kuqe, po ashtu si një luftëtarë të fortë dhe besnik.

Ai tha se me të akuzuarin Shala ishin takuar në Qafë të Duhles ku i njëjti kishte ardhur si përforcim në vijën e frontit.

Tutje Graishta tha se për transferimin e tij nga Kleqka në Temeqinë kishte vendosur komandant Kumanova, pas kësaj sipas tij, ata kishin qëndruar në Bllacë, Luzhnicë e më vënë në krye me komandant Gurin kishin kaluar në Grajqefc.

Në pyetjen e përfaqësuesit të dëmtuarit avokatit Hoxha se përse edhe pas gjithë këtyre viteve nuk keni shkuar për ngushëllime tek djemtë e Haxhi Perteshit, dëshmitari tha se me  ngushëllime merret babai i tij.

“Arsyeja është se unë kam prindin dhe ai merret me të gjitha ngushëllimet unë nuk merrna me ato, përveç asaj Zenel Perteshi me dy vëllezërit e tjerë ka qenë tek unë kemi ndejt edhe nuk e di çfarë të keqe kanë tash” tha dëshmitari Graishta.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet me 29 mars 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, duke e dënuar me 14 vjet burg.

Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj.

Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Pesë vite më parë, mbylli perden përgjithmonë aktori Adem Mikullovci

Më 15 shtator 2020, pikërisht sot para pesë viteve, vdiq aktori Adem Mikullovci. Ai iku për t’u përjetësuar gjithmonë përmes veprave që la pas...

Prizren: Armë pa leje në veturë, policia arreston të dyshuarin

Një aksion rutinë i Policisë së Kosovës ka rezultuar me arrestimin e një personi nën dyshimin për posedim të paautorizuar të armës. " Rreth orës...

Lajmet e Fundit