Ben Blushi
Dëgjova që Bojken Lako mund të shkojë në burg.
I çova një sms. M’u përgjigj pas dy ditësh.
– A mund të takohemi pas orës 11 paradite? – më tha.- Deri në atë orë punoj.
U takuam te Rruga e Ambasadave.
– Ça bën? – e pyeta.
– Punoj në një televizion,- m’u përgjigj.- Zgjohem çdo ditë në ora 5 të mëngjesit.
– Ça thua?!- ia ktheva.- Kur unë drejtoja një televizion, askush nuk zgjohej në 5 të mëngjesit.
– Epo, varet ça televizioni ke punuar,- tha Bojken.
– Me ça shkon në punë kaq herët?- e pyeta.
– Lëre,- u përgjigj,- paguaj 200 mijë lekë taksi çdo muaj.
– Po pse nuk ke makinë?
– E demolova,- tha,- e shkatërrova me qëllim.
– Si e demolove?
– Piva shumë,- tha,- dhe doja të bëja një dëm. Për fat, nuk vrava asnjeri.
– As veten,- i thashë.
– Jo,- tha,- shpëtova me një dhëmb të thyer. Isha me 100 km në orë te rruga “Myslym Shyri”.
– Vetëm një herë jam dëmtuar në makinë dhe kjo ka ndodhur kur makina ishte e parkuar,- thashë unë.
– Unë e kam për herë të dytë,- tha Bojken.- Herën e parë rashë në Lanë.
– Kishe marrë ndonjë gjë?- e pyeta.
– Jo,- tha.- Askush nuk e beson që nuk marr asgjë që nga viti 2004.
– Po me makinën ç’u bë?
– Atë e hodha. Kam një makinë të babait, Bujos, (Bujar Lakos), është një Suzuki e 1994-s. Me nja dy milionë bëhet e re. Është komplet mekanike. E mbaj në garazh.
– Pse do të fusnin në burg?
– Kishin të drejtë,- tha,- po u sollën mirë.
– Si u sollën mirë duke të çuar në burg?!
– Kam marrë një magazinë me qira. Për koncerte. Aty bëheshin bukët për ushtrinë. Dritaret ishin mbyllur me tullë. Vendosëm t’i hapnim për ajër. I ramë me vare. I prishëm.
– Shumë mirë bëre, ça ndodhi pastaj?
– Na spiunuan komshinjtë. Ata do ndërtonin pas nesh dhe muri duhej të ishte kallkan. Pa dritare. Sipas kodit penal, dënimi ishte nga 3 në 6 vjet burg. Ishte shtuar një nen i ri.
– Paske shpëtuar mirë.
– Po,- tha,- me shërbim prove, duhet të paraqitem.
– U morën të gjithë me ty, a thua se kishe bërë ndonjë pallat pa leje.
– Çe pyet!? – tha Bojken.- Më thirrën edhe në Ministri.
– Ça donin? – e pyeta.
– Duan të bëj koncerte në burg për të ndryshuar imazhin e burgjeve.
– Do të të paguajnë?- e pyeta.
– S’e besoj,- m’u përgjigj. Ku kanë lekë burgjet.
– Do shkosh?
– Do shkoj, më vjen keq për ata aty brenda. Kam jetuar me një grua që tani është në burg.
– Po tani me kë jeton?
– Që kur u ndava me Semin, jetoj me mamin.
– Pse u ndave?- e pyeta.- Ajo ishte vajzë e mirë.
– E mirë ishte, po kishim diferencë. Ajo 26, unë 47 vjeç.
– Si është të jetosh me mamin?
– Shumë mirë,- tha Bojken.- Tani më shkruajnë shumë vajza në Instagram.
– I takon?
– Kur kam kohë.
– Po flokët i lyen? – e pyeta.
– I lyej, duhet të dukem pak më i ri. Pse ti nuk i lyen?
– S’kam kaq guxim sa ty,- ia ktheva.
– Të shkojnë të thinjur,- tha Bojken,- mos i lyej.
– Dua të të bëj një fotografi,- i thashë.
– Po,- tha,- patjetër. Edhe Bujo nga fundi bënte fotografi. Ça nuk sajonte. Me celular. Ti paske aparat. Sa fotografi ke?
– Për katër muaj, rreth 40 mijë.
– Shumë,- tha.- Bashkë me mua, dyzet mijë e një.
– Mbase bëjmë më shumë se një shkrepje,- i thashë.
Dolëm jashtë.
– Ja këtu,- i thashë,- po s’kemi shumë dritë.
– Unë nuk di të pozoj,- tha.
– S’ka lidhje,- i thashë,- kur një fotografi del keq, fajin s’e ka ai që fotografohet, por ai që fotografon.
Ja tregova.
– Boo!- tha,- jam i fryrë. Nga alkooli.
– Në bardhë e zi nuk do dukesh,- i thashë.
– Duhet të iki,- tha Bojken. Do shkoj te magazina Argonaut Art Factory. Është Berlin style.
– A të vij dhe unë?- e pyeta.
– Jo, jo, një herë tjetër, sot do vijnë ca tipa që ke parasysh pinë pak. Janë këngëtarë të rinj.
– S’ka gjë,- i thashë,- më pëlqejnë këta tipa, mund t’i fotografoj.
– Jo, jo,- tha Bojken,- do të them një herë tjetër.
– Shiko,- i thashë,- do t’i shkruaj këto që biseduam.
– Shkruaj çfarë të duash,- tha.
– Jo,- i thashë ato që më the për atë gruan në burg nuk i shkruaj.
– Si të duash,- tha.
Dhe iku.