1.1 C
Prizren
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

A ishte më në rrezik Gelbardi prej Rugovës apo prej bacës Adem?

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

UÇK-ja terroriste, UÇK-ja çlirimtare: Baca Adem Demaçi ishte, mbeti dhe do të jetë kuptimi i luftës së shqiptarëve për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar. Madje, me shembullin personal, i tejkaloi kufijtë e hapësirës shqiptare dhe ballkanike duke u shndërruar në një Yll Ndriçues mbarëbotëror, bashkë me Nelson Mandelën e Republikës së Afrikës së Jugut në luftë për liri.

Bëri më shumë se 28 vjet burg të rëndë në llogoret e ish-Jugosllavisë pa u përkulur asnjëherë dhe pa u ankuar asnjëherë për fatin që ia caktoi historia e të cilin e zgjodhi vetë, si përcaktim jetësor, ndonëse ishte në moshë të re dhe, pas vdekjes së vëllait, mbeti i vetmi djalë i familjes Demaçi.

Të gjithë ata që e kanë pasur fatin të jenë edhe një orë të vetme me Bacën Adem në llogoret e ish-Jugosllavisë, e të tillë ishin shumë, nuk e kishin dëgjuar kurrë asnjë fjalë të vetme nga Baca Adem që kundërshtonte, as kushtet ku e vuante dënimin e ato ishin më se të tmerrshme sikur as kohëzgjatjen e dënimit që nuk e maste me vite, por me sekonda. Baca Adem ishte Nënë dhe Babë, Vëlla dhe Motër, shok dhe mik për të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, por edhe të tjerë si dhe të dënuarit ordinerë, kryesisht shqiptarë e që kishin një përmbajtje kombëtare. Ishin disa raste që të dënuarit ordinerë shqiptarë pasi e kishin përfunduar “akademinë” kombëtare te Baca Adem, pasi kishin përfunduar dënimin, dënimin e radhës e kishin si të burgosur politikë.

Edhe në llogoret e ish-Jugosllavisë, Baca Adem ishte porti ku patriotët shqiptarë hidhnin spirancën e sigurisë ku ndiheshin sikur janë duke vijuar një shkollë politike me përmbajtje ekskluzivisht kombëtare. Është një bindje krejtësisht e gabuar që përmbajtjes qind për qind kombëtare të Bacës Adem i atribuohen ngjyrime ideologjike përkatësisht marksiste dhe komuniste e që aspak nuk ishte e vërtetë.

Realisht, në ato kohë përcaktimi ideologjik i shumicës së të burgosurve politikë shqiptarë në llogoret e ish-Jugosllavisë si marksistë-leninistë apo enveristë dhe stalinistë nuk ishte shprehje e vullnetit politik të tyre, por shkaku se në Shqipëri ishte një regjim i tillë, në krye me Enver Hoxhën e cila ishte alternativë e mohimit të Titos që ishte në Jugosllavi. Realisht, shqiptarët nuk kishin mundësi të zgjedhin: ose për Enver Hoxhën ose për Titon. Dhe, natyrisht, përcaktoheshin për Enver Hoxhën duke shpresuar se e përkrah Kosovën dhe shqiptarët që kërkonin liri në hapësirat e ish-Jugosllavisë Baca Adem, qysh gjatë fundviteve ’80 ishte përcaktuar ta përkrahë Ibrahim Rugovën të cilin nuk e njihte, por thoshte se: “më në fund doli një shqiptar që artikulon qartë interesat e shqiptarëve dhe i mbron ato…” Këto qëndrime i kishte edhe në llogoren e Stara Gradishkës dhe kërkonte të përkrahej Rugova nga të gjithë të burgosurit politikë në Stara Gradishka e që edhe e respektuan qëndrimin dhe kërkesën e Bacës Adem për Ibrahim Rugovën të cilin, as ne nuk e njihnim, përveç paraqitjeve që i përcillnim në mediet e atëhershme jugosllave. Edhe pas daljes nga burgu, Baca Adem dhe pjesa më e madhe e ish-të burgosurve politikë shqiptarë vazhduan ta përkrahin Rugovën pa e sfiduar me asgjë. Votuam për të me shpresë se do ta ngjallë rezistencën ndaj regjimit të Serbisë që ushtronte terror ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe hapësirat e tjera.

Ku u këput litari i përkrahjes: Rezistenca kundër dhunës serbe nën Rugovën dhe LDK-në në ato kohë, jo që u zbeh, por në një mënyrë u shndërrua në nënshtrim. Ishin përralla kur Rugova identifikohej me Gandin dhe rezistencën e Mahatma Gandit ndaj pushtuesve anglezë shkaku se Gandi bënte rezistencë aktive, kurse Rugova preferonte rezistencë pasive, nuk rezistonte fare. Pas Konferencës së Dejtonit roli i Rugovës ishte relativizuar krejtësisht shkaku se në Kosovë kishte filluar një rezistencë aktive edhe me armë që bëhej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Nga distanca kohore disa sjellje të Rugovës mund të arsyetoheshin, por nuk mund të arsyetohej mungesa e gatishmërisë për marrje të përgjegjësisë në kohën kur lufta në Kosovë ishte thuaja fakt i kryer. Madje, për më keq, Rugova dhe një pjesë e LDK-së në mënyrë aktive e kundërshtonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një ushtri fantome, madje edhe si terroriste. Kanë mbetur dëshmi të shkruara të kohës si dhe regjistrime zënore për qëndrimin e Rugovës atëherë. Kjo ka ndikuar edhe në ndërprerjen e përkrahjes së Bacës Adem ndaj Rugovës dhe përcaktimit që me tërë qenien ta përkrahë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e që u bë edhe Përfaqësues Politik i UÇK-së duke hapur zyrë në Prishtinë e që ishte sfidim i madh ndaj regjimit të Serbisë.

Baca Adem nuk kishte asnjë tentativë për ta dëmtuar Rugovën deri në kohën kur Rugova ishte i mbaruar dhe i dorëzuar para dhunës serbe. Sidomos gjatë bombardimeve kur në Beograd doli me qëndrim të ndërprerjes së bombardimeve të NATO-s sikur që edhe kërkoi t’i mundësohej largimi, bashkë me familje nga Kosova e që iu mundësua me intervenimin e popave të Shën Exhidios. Baca Adem ishte kundërshtari i vendosur i Marrëveshjes së Rambujesë sepse po ta kishte pranuar Serbia (ishte çmenduri politike refuzimi i Serbisë i kësaj marrëveshjeje), sot Serbinë do ta kishim këmbëkryq në Kosovë, pa mundësi të largohej nga Kosova pavarësisht prej rezistencës që do ta bënim.

Refuzimi i nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje nga Serbia ishte fat i madh për Kosovën dhe fat shumë i keq për Serbinë! Nëse sot me gjakftohtësi analizohen pikat e kësaj marrëveshjeje që u pranua nga pala kosovare, po të nënshkruhej nga Serbia, të drejtat e shqiptarëve dhe statusi i Kosovës do të ishte shumë më i ulët se në Kushtetutën e vitit 1974. Pikat kyçe të kësaj marrëveshjeje që e defunksionalizonin Kosovën edhe si autonomi, ishin të panegociueshme dhe këto u pranuan nga Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qosja në takimin me ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Robin Kuk, në Shkup, ku prehej bileta për Rambuje, por që e refuzua nga Baca Adem. Këto pika me vonesë u pranuan edhe nga drejtuesit e UÇK-së pas së cilës Baca Adem dha dorëheqje të menjëhershme që qartazi e dëshmon se Bacës, në asnjë rrethanë, nuk i ka interesuar pushteti. Nuk ka njeri që ka qenë më i sulmuar dhe i cili i ishte nënshtruar një pushkatimi publik shkaku se e ka refuzuar Rambujenë se që ishte Baca Adem.

U pushkatua nga delegacioni që shkoi në Rambuje (kryesisht pjesa komuniste, titiste dhe jugosllave), u pushkatua nga një shkrimtar dhe përfitues permanent i regjimit të Enver Hoxhës, Kadare, u sulmua edhe nga diplomacia e shtetit shqiptar, nga pronarë të medieve në Kosovë me prejardhje jugosllave siç ishte puna e Surroit që keqpërdori gazetën personale dhe private për ta pushkatuar Bacën Adem. Të gjitha këto Baca i përballoi me një qetësi të paimagjinueshme dhe pa bërë asnjë përpjekje për hakmarrje. Realisht, tash, 23 vjet pas Konferencës së Rambujesë, Kosova është shtet i pakonsoliduar dhe kjo pengesë e konsolidimit i ka rrënjët në Rambuje. Aty ishte vendosur që të ndahej Mitrovica duke vendosur ushtarë francezë në urën e lumit Ibër e që edhe sot është kjo gjendje.

A kishte disponim që Kosova të bëhej shtet përnjëmend: Në një takim me sekretarin e shtetit, Xhejms Bejker, në Beograd, në vitin 1990, delegacionit nga Kosova, i përbërë nga Adem Demaçi, Ibrahim Rugova dhe Veton Surroi, i ishte bërë e qartë se shqiptarët dhe Kosova duhet të kërkojnë dhe gjejnë zgjidhje për të drejtat e njeriut dhe ato politike në kuadër të një autonomie nën Serbinë për faktin se, sipas sekretarit të Shtetit, amerikanët e përkrahin integritetin territorial dhe sovranitetin e mbetjes së ish-Jugosllavisë e që nënkupton se Kosova konsiderohej si pjesë e Serbisë, i vetmi që e kundërshtoi këtë ishte Baca Adem. Rugova as që e thënë një fjalë të vetme, kurse Surroi e bëri një kundërshtim të qullët për të dalë i terur nga kjo situatë.

I anatemuar doli Baca Adem. Baca e kundërshtonte përjashtimin e Kosovës nga Konferenca e Dejtonit shkaku se ky përjashtim ishte kushtëzim i Millosheviqit. Baca nuk e pranonte as propozimin e Popave të Shën Exhidios të cilët, në emër të lirimit të objekteve universitare, në fakt bënin përpjekje që Kosovës t’i siguronin një autonomi kulturore. Asgjë më tepër! Baca Adem ishte kundër Rambujesë dhe plotësisht kishte të drejtë! Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që bëri një luftë të pabesueshme dhe në raporte jashtëzakonisht të pafavorshme ku raporti i forcave ushtarake, policore dhe armatimit ishte në shpërputhje të madhe duke e vënë në situatë shumë të favorshme Serbinë dhe mbetjen e Jugosllavisë. Vetëm idealistët dhe ata që e donin lirinë përtej çdo interesi personal duke e vënë jetën në rrezik çdo sekondë mund të vendosnin të bëjnë luftë me regjimin e Serbisë në ato rrethana. Dhe kjo luftë ishte madhështore në të gjitha dimensionet e saj duke sfiduar të gjitha teoritë dhe praktikat e luftërave të mëparshme. Gatishmëria për sakrificë dhe vetëflijim ishte betimi i çdo ushtari të së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Natyrisht se kjo luftë u planifikua dhe u udhëheq nga ish-të burgosurit politikë shqiptarë, të të gjitha trojeve shqiptare, nga Kosova, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria sikur që ishte edhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve që jetonin dhe punonin në shtetet evropiane dhe ShBA-ja.

Kur Kosova filloi të bëhej një vatër potencialisht destabilizuese për Ballkanin (sipas strategëve dhe politikëbërësve botërorë), jo shkaku se donte ta destabilizonte situatën, por shkaku se donte ta fitonte lirinë, shumë ndrikulla evropiane dhe botërore ndërhynin që ta pengonin lindjen e lirisë dhe ruajtjen e gjendjes së status quos, me shpresë se Kosova do të pajtohej me një autonomi, siç e quanin ata substanciale dhe, po të mos ishte lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu edhe do të bëhej. Ndërsa Baca Adem Demaçi ishte Zëri dhe Ndërgjegjja e kësaj lufte. Prej ndrikullave ndërkombëtare, më agresivi dhe më i vendosuri për ta defaktorizuar UÇK-në ishte Gelbart i cili, në takimet me personat me ndikim në Kosovë, angazhohej për një autonomi, bashkë me Hollbrukun dhe vëllezërit Hill. Hollbruku dhe vëllezërit Hill, si bindje e përdornin diplomacinë ose karotën (vetëm një pjesë të vogël të saj), ndërsa Gelbart e përdorte kërcënimin apo shkopin. Sipas pohimeve publike të Bacës Adem që janë regjistruar në mediet e atëhershme, Gelbarti pati deklaruar se UÇK-ja është organizatë terroriste, kurse Baca Adem ishte përgjigjur se UÇK-ja është organizatë çlirimtare.

Pas takimit me Gelbartin, Baca Adem m’u drejtua me fjalët: “Çupinë, Gelbarti më preu shkaku se shtatë (7) herë më tha se UÇK-ja është organizatë terroriste, kurse unë i thashë shtatë (7) herë se është organizatë çlirimtare…”.

Pastaj, Gelabrt vazhdoi se Ju, zoti Demaçi, po e kundërshtoni politikën amerikane për të bërë presion që ta pranojë kualifikimin që e bëri Gelbart për UÇK-në. Natyrisht se këtë Baca kurrë nuk do ta bënte, edhe me çmimin e jetës e lëre më për një interes personal politik apo për një vlerësim pozitiv që do ta bënte Gelbart për të. Të gjithë në Kosovë e kanë ditur se përplasja midis Bacës Adem dhe Robert Gelbart ishte rreth kualifikimit që i bëhej UÇK-së, Gelbart e konsideronte si organizatë terroriste, kurse Baca Adem si organizatë çlirimtare. Me kalimin e kohës doli se Baca Adem kishte të drejtë krejtësisht ndonëse e pagoi një çmim të lartë për këtë.

Pas plot 23 vjetëve doli një informatë se Ibrahim Rugova qenka konfrontuar me Gelbartin shkaku se nuk e paska pranuar cilësimin e Gelbartit se UÇK-ja qenka organizatë terroriste. Madje për ta përforcuar këtë manipulim ordiner thuhet se Rugova për herë të parë e ka humbur durimin në takim me Gelbartin dhe, në mbrojtje të UÇK-së, paska grushtuar tavolinën duke e shprehur mospajtimin me këtë cilësim. Është tepër e pabesueshme për të besuar, edhe qoftë si imagjinatë. Të gjithë ne që kemi jetuar në atë kohë e që nuk e kemi kujtesën e peshkut e kemi plotësisht të qartë qëndrimin e Rugovës ndaj UÇK-së që, në raste të caktuara aspak nuk dallon nga qëndrimi i Gelbartit! Rugova ka qenë intelektual, e ka dashur lirinë e Kosovës nëse për të nuk kërkohej një sakrificë.

Po Rugova në takim me Bejkerin, sekretarin e shteti, nuk e tha asnjë fjalë për pohimin se Kosova mund ta ketë një autonomi, që dërgonte ekipe politikanësh të bëjnë thirrje për dorëzim të armëve në Drenicë dhe viset e tjera, që pranoi klauzolat e Popave të Shën Exhidios, që pranoi të shkoi në Rambuje pa e lexuar fare tekstin, që u përpoq ta formojë një ushtri të dytë për ta penguar UÇK-në, që kishte deklarata publike për UÇK-në, është e pabesueshme që t’i rrahë tavolinën Gelbartit apo edhe ndonjë zyrtari ndërkombëtar, pavarësisht nivelit të përfaqësimit. Qenka dashur të kalojnë 23 vjet për të treguar për grushtimin e tavolinës nga ana e Rugovës ndaj cilësimit të Gelbartit për UÇK-në?! Askush këtë nuk e beson, madje as ai që e thotë, plot 23 vjet pasi u fal Bajrami (pasi përfundoi lufta). Ky është rast tipik i përpjekjeve të rishkrimit të historisë kur një pëllumb i lodhur dhe i frikësuar përpiqet të vishet me puplat dhe kthetrat e shqiponjës!

As alkimia më e sofistikuar dhe më e përparuar nuk mund ta bëjë këtë transformim e lëre më një postim i stërvonuar të cilit asnjëri nuk i beson. Po tash, ata që mund të flasin kanë ndërruar jetë dhe përfituesit përpiqen të dalin në sipërfaqe. Askush nuk mund ta përjashtojë Rugovën nga historia më e re e Kosovës apo rolin e tij në një fazë të historisë. Por, është e pandershme dhe moralisht e ulët që fjalët dhe veprimin e Bacës Adem Demaçi t’i vishen Ibrahim Rugovës apo përpjekjeve që Ibrahim Rugova të paraqitet si komandant i Komandantit Legjendar të UÇK-së, të Pavdekshmit Adem Jashari! Kjo nuk shkon. Këtë jam i sigurt se nuk do ta pranonte as Ibrahim Rugova. Në asnjë intervistë apo deklarim publik të Rugovës nuk mund të gjeni ndonjë fjalë se ai ka kundërshtuar amerikanët dhe Gelbarti ishte amerikan, nuk ishte kinez! Edhe Gelbarti publikisht kishte thënë fjalët që i kishte këmbyer me Bacën Adem Demaçi, kurse Rugova nuk është as si hije e këtij kundërshtimi! Personalitete historike bëhen të tilla jo vetëm me veprime pozitive! Kosova dhe Shqipëria ende nuk e kanë një histori objektive.

Shqipëria ka mundur ta bëjë këtë, por nuk e ka bërë. Kosova nuk ka mundësi ende ta bëjë këtë sepse ende nuk është konsoliduar në të gjitha rrafshet si shtet. Prandaj edhe po merremi me improvizime duke bërë përpjekje t’i hyjmë në qejf politikës, vendore më pak dhe asaj ndërkombëtare më shumë. Nuk ka person që ka qenë i gatshëm për sakrificë për liri dhe bashkim kombëtar se Baca Adem Demaçi sikur që është edhe Adem Jashari! Këta tejkalojnë çdo kohë dhe çdo dimension, bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!

Edhe një ushtar i bashkohet Bacës Adem Demaçi: Ismajl Ahmet Haxhiu, aktivist shembullor politik dhe kombëtar, ushtar i UÇK-së në Kosovë dhe personalitet me ndikim shumë të madh në luftën e UÇK-së në Maqedoni dhe UÇPMB-së në Luginë, kaloi në përjetësi duke u vendosur në Panteonin e Lavdisë Kombëtare, pasi ndërroi jetë në ShBA. Tash është bashkë me Bacën Adem Demaçi, patriotin ekzemplar Ahmet Haxhiu që e kishte Baba, shok dhe bashkëluftëtar sikur edhe me të gjithë heronjtë e Kombit dhe dëshmorët.

E kam njohur, prandaj isha në varrim, për t’i nderuar të vdekurit që fituan përjetësinë. Në varrim kishte të tillë që nuk meritonin të ishin aty, por vakti e hanë kashtën! Ishin shokët dhe bashkëluftëtarët e Bacës Ahmet Haxhiut dhe Ismajl Ahmet Haxhiut. Ata të vërtetit dhe të sinqertit që, kryesisht rrinin anash, si pakicë. Pakicë ishim kur filluam përpjekjet dhe luftën për liri dhe bashkim kombëtar. Pakicë jemi edhe sot! A po përsëritet historia?! Uroj të mos jetë kështu!

Më Shumë

Dominimi i Ballkanit: Klubi, futbollisti dhe trajneri më i mirë për vitin 2024

FC Ballkani ka vulosur edhe një herë statusin e tij si fuqia kryesore në futbollin kosovar, duke fituar tre çmime madhore për vitin 2024....

Ballkani mbyll vitin me fitore në derbin lokal ndaj Suharekës

Ballkani triumfoi 0:2 në derbin lokal ndaj Suharekës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të të Superligës së Kosovës në futboll. Lindon Emërllahu shënoi...

Lajmet e Fundit