Për shkak të mungesës së dëshmitarit N.S, është anuluar seanca e së enjtes ndaj të akuzuarve B.Xh dhe R.X, të cilët po akuzohen se në ambientet e Gjykatës Themelore në Prizren kanë kërcënuar me vrasje të dëmtuarin A.S.
Anulimin e seancës, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, gjykatësi Fatmir Krasniqi.
“Pala e dëmtuar A.S na ka njoftuar me shkresë që vëllai i tij, dëshmitari N.S gjendet jashtë shtetit”, tha gjykatësi Krasniqi.
Po ashtu, ai tha se për anulimin e seancës në Gjykatën Themelore në Prizren janë të njoftuar të gjitha palët dhe se e njëjta është shtyrë për kohë të pacaktuar.
Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 19.05.2021, B.Xh dhe R.Xh po akuzohen se më 25.02.2021 rreth orës 10:00, në Prizren në Rr.” William Woker”, në ambientet e Gjykatës Themelore në Prizren, në bashkëveprim, i kanoset me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta ose se do t’i shkaktojë lëndim rëndë trupor, ose se do ta dëmtojë me mjete të tjera të rrezikshme, në atë mënyrë që në lidhje me një seancë gjyqësore e cila ka qenë duke u zhvilluar, ku prezent kanë qenë vetë të pandehurit, avokati Esat Gutaj, i dëmtuari A.S, vëllai i të dëmtuarit N.S, ku në një moment i dëmtuari nga vëllai i tij N.S kupton se derisa kanë qëndruar në hapësirën e gjykatës ai ka dëgjuar fjalët nga avokati Esat Gutaj duke thënë “o A. kan me vra” duke aluduar në të pandehurit me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ankth, frikë dhe pasiguri për jetën e tij.
Me këto veprime B.Xh dhe R.Xh po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale kanosja nga neni 181, par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së./BetimipërDrejtësi