Prizren: Ofroi ryshfet, dënohet me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 150 euro gjobë

 Gjykata Themelore në Prizren, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Lazar Nikoliç, duke e dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 150 euro gjobë, për akuzën se ia dha 50 euro ryshfet zyrtarit të Qendrës Regjionale të Administratës të Pensioneve (QRAP) në Prizren.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit u shpall të hënën, nga gjykatësja Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, Nikoliç është dënuar me 6 muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në afat prej një viti i akuzuari nuk kryen vepër të re penale, si dhe u dënua me gjobë në shumën prej 150 euro.

Po ashtu, i akuzuari sipas aktgjykimit është obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro dhe shumën prej 50 euro në emër të viktimave të krimit.

Ndryshe, Nikoliç e ka pranuar fajësinë për veprën penale e cila i vihej në barrë.

“E pranoj veprën penale për të cilën akuzohem. Pendohem për veprimet dhe premtoj se në të ardhmen nuk do bie në konflikt me ligjin”, ka thënë Nikoliç.

Pranimi i fajësisë nga i akuzuari, nuk u kundërshtua nga prokurori Mehdi Sefa, i cili ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarin Nikoliç ta shpall fajtor sipas ligjit.

Prokurori Sefa tha se gjatë shqiptimit të dënimit gjykata të ketë parasysh të gjitha rrethanat, nga ato lehtësuese të ketë parasysh pranimin e fajësisë, moshën e tij, gjendjen shëndetësore dhe gjendjen materiale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 dhjetor 2022, i akuzuari Lazar Nikoliç ngarkohej se më 26 tetor 2022, në Qendrën Regjinale të Administratës të Pensioneve (QRAP) në Prizren, në mënyrë të tërthortë i ofron përfitim personit zyrtar që ai mos të veprojë në pajtim me detyrat zyrtare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në cilësinë e pensionistit paraqitet në sportelin e Zyrës QRAP në Prizren për të vazhduar realizimin e pensionit në çdo 6 muaj dhe për t’i krijuar vetes lehtësi në brendinë e sportelit të zyrtarit Nuredin Ademaj, kishte vendosur një pliko të bardhë në të cilën kishte vendosur kartëmonedhën prej 50 eurove.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Sindikata e Policisë ngushëllon familjen e policit Rexhep Gashi, që humbi jetën gjatë detyrës në Vërmicë

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas vdekjes tragjike të zyrtarit policor Rexhep Gashi, i cili humbi jetën në orët e hershme të...

Cili ishte motivi i vrasjes së imamit në Dragash? Flet sekretari i Bashkësisë Islame në Gorë

Imami i fshatit Zlipotok, Gazmend Tahirovci, është therur për vdekje mbrëmë në rrethana ende të paqarta. Sipas, sekretarit të KBI-së për rajonin e Gorës, Ajhan...

Lajmet e Fundit