16.8 C
Prizren
E martë, 30 Prill, 2024

Avokati i Popullit ka pranuar 30 ankesa kundër Ligjit për Paga

Publikimin e vlerës së koeficientit të pagave në Kosovë, punonjësit e sektorit publik nuk e pritën edhe mirë.

Pritshmëritë e tyre ishte që kjo vlerë të mos jetë nën 120 euro.

E këtë pakënaqësi shumë prej tyre vendosën ta adresojnë tek Avokati i Popullit.

Deri më tani në këtë institucion janë dorëzuar 30 ankesa në lidhje me Ligjin e Pagave.

Ankesa janë duke u trajtuar nga Avokati i Popullit, ku më pasë pritet që ky institucion të vendos nëse ka bazë ligjore për ta dërguar ose jo në Kushtetuese.

Këto detaje i dhanë për Front Online, nga Zyra e Avokatit të Popullit.

“Deri më tani, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 30 ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik. Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”, thuhet në përgjigje.

Zyra e Avokatit të Popullit ka pranuar ankesa nga palë të ndryshme të pakënaqura me koeficientin e ri.

“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ekspertët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, etj”, deklaruan nga Zyra e Avokatit të Popullit

Kryesindikalisti i Policisë: Do të ketë veprime sindikale nëse paga e shkurtit nuk del sipas kërkesës tonë

Në mesin e atyre që kanë dorëzuar ankesë, është edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.

Imer Zeqiri, prijësi i kësaj sindikate thotë se pakënaqësitë do të jenë më të mëdha nëse nuk dalin pagat sipas kërkesës të tyre.

Ai nuk përjashton as hapa sindikal.

“Avokati i Popullit para dy ditëve neve na ka njoftuar për pranueshmërinë e ankesës tonë apo kërkesës, dhe në rast se atij i duhet shtesë diçka me bashkëpunu, përndryshe ne jemi duke e pritur pagën e muajit shkurt, a po del sipas kërkesës apo ankesës që kemi bërë te Avokati i Popullit. Pakënaqësitë kanë me qenë shumë të mëdha në përgjithësi. Po presim pagën, do të njoftoheni me kohë për hapat e tjerë sindikal, por edhe veprimet tjera policore”, u shpreh Zeqiri për Front Online.

 

Gashi: Jemi shumë të zhgënjyer me koeficientin, po presim pagat e shkurtit pastaj vendosim

Ndryshe prej policisë, ajo e Administratës po vazhdon të analizojë situatën.

Ani pse ndjehen të zhgënjyer me koeficientin.

Por as nga kjo sindikatë nuk e mohojnë se mund të ketë veprime sindikale pas pagës së muajit shkurt.

“Ne jemi në kontakt edhe me federatat e tjera, të cilat e kanë një qëndrim të përafërt, dhe ne jemi ka shohim, ka e përcjellim situatën, por sinqerisht është një zhgënjim i paparë për zyrtarët publik duke marr parasysh që çmimet janë duke u rritur çdo ditë e më shumë, dhe këtë vlerë të koeficientit më së miri do e shpërfaq paga që do të merret, paga e shkurtit, atëherë që do e shohim situatën se si do të reflektojë, dhe si do të jetë qëndrimi i zyrtarëve publik”, shprehet Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës se Kosovës .

Vlera monetare e koeficientit të pagave do të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 euro për vitin 2024.

Sipas Ligjit të pagave në sektorin publik, koeficientin më të lartë e ka pozita e presidenit – 18 – që i bie që paga e presidentit është 1.890 euro.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik ishte miratuar në dhjetor të vitit të kaluar me 63 vota për. Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e Parlamentit. Kritikat e tyre lidheshin kryesisht atëherë me mos-caktimin e vlerës së koeficientit.

Në vitin 2020 Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm ligjin e atëhershëm për pagat në sektorin publik. Sipas vendimit të asaj kohe, ky ligj nuk ishte në përputhje me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 deri në 170 euro./Front Online/

Më Shumë

Në Prizren nis ndërtimi i një parku

Dje nisi përgatitja e terrenit në hapësirën e udhëkryqit mes rrugëve "Reshat Karjagdiu" dhe "Zahir Pajaziti" në Prizren për ndërtimin e një parku. Ky park...

Vetaksident në Prizren- Vetura godet pemën, lëndohet një person

Vetaksidentohet një veturë në qendër të Prizrenit. Si pasojë shoferi i veturës ka mbetur i lënduar. Ai është përplasur me anësoret dhe më pas me...

Lajmet e Fundit