Sipas orarit zyrtar, në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet në 61 Bashkitë e vendit, proces i cili do të mbyllet në orën 19:00.
Këlliçi: Procesi deri tani i qetë, votoni me ndërgjegje të pastër
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë“, Belind Këlliçi votoi sot në qendrën e votimit të ngritur pranë shkollës “Dora D’Istria”.
Pas votimit, Këlliçi apeloi qytetarët për të votuar, duke ju kujtuar se sot është dita e madhe.
“Sapo kreva detyrën time si qytetar, votova. Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës të shkojnë pranë qendrave të votimit për të kryer detyrën e tyre si qytetar për të votuar. Sot është dita e madhe, është 14 maji që kemi pritur të gjithë. Është dita kur keni në dorë fatet e këtij qyteti. Dilni e votoni, askush nuk ju kontrollon dot votën. Të votojnë me ndërgjegje të pastër, për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre”, u shpreh Këlliçi.
Këlliçi tha se pas ushtrimit të të drejtës për të votuar do të shkonte në selinë qendrore të PD. Nga aty, ai do të ndiqte të gjithë procesin zgjedhor, i cili sipas tij, deri tani po shkonte qetë.
“Procesi deri tani, përpos disa gjërave të vogla është duke shkuar normalisht”, tha ai
Sot Shqipëria voton, KQZ e Kosovës pjesë e vëzhgimit atje
Sot qytetarët e Shqipërisë me të drejtë vote do të vendosin për kryetarët në 61 bashkitë e vendit dhe për Këshillat Bashkiakë.
5212 qendra votimi do t’i hapin dyert prej orës 7.00 të mëngjesit për t’i dhënë mundësi qytetarëve të shprehin vullnetin e tyre me votë.
Në këto zgjedhje vendore 3.650.550 shtetas shqiptarë kanë të drejtën e votës, nga ku 122.545 zgjedhës votojnë për herë të parë.
Zgjedhjet vendore të 14 majit do të monitorohen nga 230 vëzhgues ndërkombëtarë, ku pjesa më e madhe janë angazhuar nën drejtimin e misionit të ODIHR-it.
Ndryshe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, po qëndron në Shqipëri për të vëzhguar procesin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, të cilat do të mbahen më 14 maj 2023, raporton RTKlive.
Në Ditën e Zgjedhjeve anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të jenë prezentë në disa Qendra të Votimit për të përcjellur nga afër organizimin e zgjedhjeve.
RTK do të ketë ekipin në Shqipëri, për të përcjellë procesin zgjedhor të së dielës.