Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, i akuzuari Berat Abdullahi është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për cenim të drejtave të autorit.
Këtë deklarim, Abdullahi e bëri në shqyrtimin fillestar ku po akuzohet se nga viti 2013 pa autorizim ka botuar veprat “Verorja, Lulëzo Vendi im, Lugjet e Verdha, Picimuli, Pipireku” të autorit Rexhep Hoxha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi i rastit, Refki Piraj ka njoftuar të akuzuarin Abdullahi dhe mbrojtësin e tij, avokatin Yll Kaçamaku që në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 16 shtator 2022, e ngarkon të akuzuarin Berat Abdullahi, se nga 18 prilli 2013 në vazhdimësi, pa autorizim përdor punën e mbrojtur me të drejtat e autorit, punën e të dëmtuarit, tani të ndjerit Rexhep Hoxha, të cilin e përfaqësojnë trashëgimtarët e tij Ilir Hoxha, Luan Hoxha dhe Shpend Hoxha.
Sipas aktakuzës, më 22 shtator 2011, i ndjeri Hoxha kishte lidhur kontratë me të pandehurin për botimin e veprave të tij “Verorja, Lulëzo Vendi im, Lugjet e Verdha, Picimuli, Pipireku”, dhe pas vdekjes së tij, trashëgimtari Shpend Hoxha me të pandehurin më 9 mars 2013 lidhin kontratë të re, mirëpo më 18 prill 2013, i dëmtuari Shpend Hoxha e anulon kontratën e cekur të datës 9 marsit 2013 për botimin e veprave të autorit Rexhep Hoxha.
Tutje, në aktin akuzues thuhet se i pandehuri, edhe përkundër shkëputjes së marrëveshjes vazhdon me botimin dhe shitjen në librari të ndryshme veprat e cekura të autorit Rexhep Hoxha, duke cenuar të drejtat e autorit, me të cilat veprime iu shkakton dëm material trashëgimtarëve ligjor të të drejtave autoriale.
Për këto veprime, Abdullahi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Cenimi i të drejtave të autorit” nga neni 296 par. 5 lidhur me nenin 81 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës nr. 04/L-082, e dënueshme deri në tre vite burgim. /BetimipërDrejtësi