5.1 C
Prizren
E hënë, 30 Dhjetor, 2024

Gjykata e urdhëron “Burdushin” të shkojë në burg në shtator për vuajtjen e dënimit me 4 vjet e 6 muaj burgim

Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, nuk ka shkuar ende në vuajtje të dënimit me burgim, pasi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 10 janar 2023, ishte dënuar me dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, mashtrim, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje, e të cilin dënim më 30 qershor 2023 e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Sipas urdhëresës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Prishtinë më 21 gusht 2023, e ka urdhëruar “Burdushin” që më 18 shtator 2023, deri në orën 12 të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Republikës së Kosovës, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për të filluar mbajtjen e dënimit me burgim.

Në këtë urdhëresë, thuhet se nëse i dënuari nuk vepron sipas urdhëresës, përkatësisht nëse në ditën e caktuar nuk paraqitet në Institucionin për mbajtjen e dënimit, gjykata do të lëshojë urdhëresë për ndalim dhe dërgim me forcë për mbajtjen e vuajtjes së dënimit.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se ende nuk kanë pranuar ndonjë dëshmi nëse urdhëresa e lëshuar nga gjykata është pranuar nga “Burdushi”.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, nga Zyra për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të gjykatës, jemi informuar se ka filluar procedura e ekzekutimit të dënimit me burgim për të dënuarin H.P. Të dënuarit H.P i është dërguar nga gjykata urdhëresa që të lajmërohet në institucionin për mbajtjen e dënimit me burgim, mirëpo gjykata ende nuk ka dëshmi se është pranuar urdhëresa nga i njëjti”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Gjithashtu në përgjigjen e gjykatës, thuhet se i njëjti nuk ka bërë ende ndonjë kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burg.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar edhe mbrojtësin e “Burdushit”, avokatin Sami Istrefi, i cili ka mohuar se ka pranuar një urdhëresë të tillë.

“Nuk kam pranuar ende, kështu që sigurisht ndoshta pala e ka pranuar, por unë nuk e kam pranuar”, ka thënë avokati Istrefi.

I pyetur nëse i njëjti ka kontaktuar me palën e tij lidhur me këtë çështje, avokati Istrefi ka deklaruar se nuk ka biseduar me palën lidhur me këtë çështje.

“Sigurisht, ndoshta nuk e ka marrë pala ende, por në momentin që e pranon na menjëherë në kuadër të asaj parashtrese që e ka lëshuar kryetarja e gjykatës tani duhet me pa sa është e mundshme me kërku edhe një afat shtesë, në qoftë se jo atëherë të shohim qysh vendos gjykata”, tha tutje avokati Istrefi.

Ai ka thënë në momentin që pala e pranon urdhëresën në fjalë, në konsultim me të do të vlerësojnë se a do t’i duhet edhe një afat shtesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit dhe në qoftë se jo, atëherë ai do të shkojë në vuajtje të dënimit.

“Por, në momentin që e pranon pala tashti në konsultim me palën në qoftë se ai vlerëson që i duhet edhe një afat shtesë për shkak të disa zhvillimeve të familjes së vetë në rregull, në qoftë se jo atëherë do të shkojë në vuajtje të dënimit”, tha Istrefi.

Gjithashtu, i njëjti ka thënë se më kohë pala ka parashtruar edhe kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

“Betimi për Drejtësi”, po ashtu ka tentuar të kontaktojë edhe me të dënuarin “Burdushin”, por që i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Ndryshe, në seancën e 23 dhjetorit 2022, prokurorja Merita Bina-Rugova në fjalën përfundimtare kishte njoftuar se ka bërë precizimin e dispozitivit të parë të aktakuzës, të cilin e ka ndarë në dy pjesë, mirëpo tha se kualifikimi i veprës penale është i njëjti.

Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar e së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar, aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 e deri më 26 korrik 2019, në Prizren, i akuzuari Hysri Peqani-Burdushi, ka mjekuar persona të ndryshëm anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, e ka bërë ndonëse nuk kishte kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse.

Sipas Prokurorisë, Peqani e kishte bërë një gjë të tillë me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.

Për këto, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.

Prokuroria Speciale e ngarkonte të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie të tipit “Super Campion”.

Prokuroria pretendonte se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transferove bankare , ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Për këto veprime, ai akuzohej për veprën penale të “Shpëlarjes së parave” nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32, paragrafi 1 dhe 2, nën paragrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Temperatura të ulëta, ky është parashikimi i motit për Vitin e Ri

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar parashikimin e motit për periudhën nga 30 dhjetori 2024 deri më 3 janar 2025. Sipas raportit, moti do të...

Komuna e Prizrenit fiton Grantin e Performancës për vitin 2025

Komuna e Prizrenit ka fituar Grantin e Performancës Komunale për vitin 2025. Ky grant, i akorduar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe...

Lajmet e Fundit