Presidenti turk Erdogan i ka kërkuar Rusisë të kthehet te marrëveshja që e lejon Ukrainën të eksportojë drithë, duke lehtësuar një krizë globale ushqimore. Por Moska kërkon lëshime që vetëm Perëndimi mund t`i ofrojë.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shprehu optimizëm rreth rivendosjes së një marrëveshjeje vendimtare të grurit të ndërmjetësuar nga OKB, pas bisedimeve të hënën me homologun rus Vladimir Putin.
Moska e braktisi marrëveshjen, e cila krijoi korridore për eksportet ushqimore të Ukrainës mes një mungese globale ushqimi, në fillim të korrikut. Rusia u ankua se Perëndimi po bllokonte eksportet e veta të grurit dhe plehut.
Çfarë thanë të dy udhëheqësit
Në një konferencë shtypi pas tre orë bisedimesh në vendpushimin rus të Soçit në Detin e Zi, presidenti turk tha se besonte se së shpejti mund të gjendej një zgjidhje për të ringjallur marrëveshjen. Me propozimet e reja nga Kombet e Bashkuara që kanë për qëllim adresimin e shqetësimeve të Rusisë, Erdogan tha se shpresonte të arrihej sa më shpej një zgjidhje e mundëshme.
“Kemi përgatitur një paketë të re propozimesh në konsultim me OKB-në. Besoj se është e mundur të arrihen rezultate. Unë besoj se do të arrihet së shpejti një zgjidhje që do të përmbushë shpresat e Turqisë.” Erdogan tha gjithashtu se alternativat ndaj marrëveshjes origjinale të grurit që janë hedhur nga Moska dhe Kievi “nuk mund të ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme.”
Putin tha se Rusia ishte gati të ringjallte marrëveshjen “sapo të hiqeshin kufizimet ndaj eksporteve të saj. “Ne do të jemi gati të shqyrtojmë mundësinë e ringjalljes së marrëveshjes së drithit… Dhe do ta bëjmë këtë sapo të zbatohen plotësisht të gjitha marrëveshjet për heqjen e kufizimeve ndaj eksporteve bujqësore ruse,” tha Putin .
Pse është e rëndësishme marrëveshja?
Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga OKB dhe Turqia, i mundësonte Ukrainës vazhdimin e eksportimit të grurit që nga vera e vitit 2022 duke siguruar zinxhirët e furnizimit global.
Që kur u tërhoq nga marrëveshja, Rusia ka nisur një breshëri sulmesh ndaj depove të drithërave dhe infrastrukturës portuale të Ukrainës, e cila është një nga furnizuesit më të mëdhenj të grurit në botë. Ajo ka thënë se do t’i konsiderojë anijet që udhëtojnë për në dhe nga portet ukrainase si anije që mund të transportojnë mallra ushtarake, pra, si objektiva të ligjshme sulmi.
Sulmet kanë përfshirë edhe dy portet e brendshme në Danub, Reni dhe Izmail, të dyja janë në kufi ujore me Rumaninë dhe kanë kanë fituar rëndësi në rritje për eksportin ukrainas.
Presidenti i Turqisë i ka bërë thirrje Rusisë të heqë bllokadën e saj, duke nënvizuar rëndësinë e marrëveshjes për stabilitetin ushqimor anembanë botës në zhvillim. Ai ka theksuar se marrëveshja është thelbësore edhe për të ruajtur sigurinë në vetë rajonin e Detit të Zi.
Erdogan është përpjekur të mbajë lidhje të mira si me Moskën, ashtu edhe me Kievin gjatë luftës 16-mujore në Ukrainë dhe ka refuzuar të bashkohet me anëtarët e tjerë të NATO-s në sanksionimin e Rusisë.
Rusia po e përkeqëson urinë globale’, thotë Gjermania
Ndërkohë, ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock akuzoi të hënën Putinin se po luante lojëra “cinike”.
“Rusia po e përkeqëson urinë globale,” tha ajo. “Vetëm për shkak të Putinit transportuesit e mallrave nuk mund të kalojnë lirshëm.”
Baerbock shtoi megjithatë se përpjekjet e Erdoganit për të “kthyer marrëveshjen në udhën e duhur” janë të rëndësishme.
Putin tha pas bisedimeve me presidentin e Turqisë se Moska ishte pranë arritjes së një marrëveshjeje për të siguruar grurë për gjashtë vende afrikane. Ai tha se Rusia do të furnizojë ushqimin dhe do të kryejë logjistikën pa pagesë, duke shtuar se furnizimet “do të fillojnë në dy javët e ardhshme.”
Çfarë kërkon Rusia?
Putin thotë se që Rusia të kthehej në marrëveshje do të duhej të përmbusheshin disa kushte. Këtu përfshihet heqja e pengesave ndaj eksporteve ushqimore ruse, duke përfshirë edhe sanksionet perëndimore mbi pagesat, logjistikën dhe sigurimin e anijeve.
Erdogan ka treguar simpati për qëndrimin e Putinit. Në korrik, ai tha se Putin kishte “disa pritmëri nga vendet perëndimore” lidhur me marrëveshjen e Detit të Zi. Ai shtoi se është “vendimtare për këto vende të ndërmarrin hapa lidhur me këtë.”
Kohët e fundit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i dërgoi ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov “propozime konkrete” për të sjellë eksportet ruse në tregjet globale. Por, Lavrov tha se Moska nuk ishte e kënaqur me letrën.
Sipas burimeve zyrtare ukrainase, Rusia kishte nisur në prag të bisedimeve një sulm “masiv” me dronë ndaj rajonit të Odesës, duke duke dëmtuar infrastrukturën në Izmail. Rruga ujore e Danubit është tani kanali më i rëndësishëm i Ukrainës për të eksportuar grurë, me anijet që nisen për në Detin e Zi nëpërmjet portit rumun të Konstancës, duke anashkaluar kështu bllokadën e Rusisë ndaj porteve ukrainase.