Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon edhe sot vizitën e tij dyditore në Gjermani, ku të shtunën është takuar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Berlin, ku ka marrë pjesë në kongresin e Partisë Socialdemokrate. Kurti do të vijojë sot takimet me mërgatën tonë në Gjermani.
Kryeministri Kurti, në margjina të Kongresit të SPD-së, pati takime edhe me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi, si dhe me kryetarin e SPD-së, njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, Lars Klingbeil.
Bëhet e ditur se me sekretaren Lasi, u diskutua mbi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat dhe promovimit të vlerave të përbashkëta të demokracisë, drejtësisë e barazisë për të gjithë.
Kryeministri Kurti, dje në takim me kryetarin e SPD-së Klingbeil, ka thënë se rajoni përket brenda Bashkimit Evropian, e Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e aspiratës së saj për anëtarësim në BE, ku dhe e ka bërë hapin e parë duke aplikuar për anëtarësim. Në lidhje me dialogun, ai theksoi se Kosova vijon të mbetet konstruktive e aktive në proces, drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen reciproke, thuhet tutje në njoftim.
Të shtunën kryeministri Kurti kishte takime edhe me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. Ai tha se me kancelarin e bëjnë bashkë marrëdhëniet e forta bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, angazhimi i përbashkët në Procesin e Berlinit dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bindjet tona socialdemokrate.rtklive