1.7 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Shumë aplikacione refuzohen

AgimCeku5-30Kryetari i Komisionit për Verifikimin e Veteranëve dhe pjesëmarrësve të luftës së UÇK-së, Agim Çeku, është shprehur i kënaqur me mbarëvajtjen e këtij procesi në Zonën Operative të Shalës, duke thënë se në Brigadën 141 “Meh Uka” të kësaj zone tashme ka përfunduar ky proces.

Çeku ka bërë me dije për “Epokën e re” se në këtë brigadë një numër i konsiderueshëm i atyre që kanë aplikuar për njohjen e statusit të veteranit nuk u është pranuar statusi i veteranit, pasi nuk kanë mundur të verifikohen se kanë qenë luftëtarë të UÇK-së nga komandantët e kësaj brigade. “Procesi në Zonën Operative të Shalës po shkon sipas pritjeve tona. Deri tani ka përfunduar verifikimi i Brigadës 141. Në përgjithësi ky proces ka shkuar mirë. Një numër të konsiderueshëm të aplikacioneve askush nga zinxhiri komandues nuk ka mundur t’i vërtetojë se kanë qenë luftëtarë të UÇK-së. Pra, janë klasifikuar veteranët e kësaj brigade dhe disa, fatkeqësisht, janë të zhgënjyer, sepse nuk ka mundur askush ta vërtetojë se kanë qenë pjesë e luftës”, ka thënë Çeku. Ai ka paralajmëruar se ky proces do të përmbyllet gjatë pranverës, pasi është prioritet i Qeverisë së Kosovës. Sipas tij, nevojitet pak kohë derisa të verifikohen të gjitha aplikacionet. “I kemi thirrur të gjithë komandantët e niveleve të ndryshme, ku secili komandant duhet ta shikojë me kujdes secilin aplikacion. Ne do të bëjmë çmos që ky proces të përfundojë sa më shpejt, duke shpresuar se edhe në Kuvend sa më shpejt do të kalojnë plotësimi dhe ndryshimi i ligjit për vlerat e luftës. Ky proces është një nga prioritetet e qeverisë dhe komisionit. Besoj shumë se do ta kryejmë brenda pranverës ashtu siç ka thënë edhe kryeministri”, është shprehur Çeku.

Ai ka shfaqur shpresën se edhe Kuvendi i Kosovës do ta trajtojë me prioritet amendamentimin e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave Civile dhe Familjeve, në mënyrë që të miratohet para datës 10 mars. “Besoj se deri me këtë datë ky ligj do të amendamentohet, sepse ajo është pengesa kryesore që e ka vonuar këtë proces kaq shumë. Besoj se parlamenti këtë çështje do ta ketë si prioritet dhe shumë shpejt do të aprovohet”, ka deklaruar Çeku. Mirëpo përfaqësuesit e veteranëve janë skeptikë se procesi i verifikimit të kategorive të dala nga lufta do të përmbyllet në pranverë të këtij viti.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka thënë për “Epokën e re” se veteranët nuk janë në dijeni se kur mund të përfundojë ky proces. “Realisht ne nuk e dimë se kur do të përfundojë ky proces, sepse ata kanë premtuar shpesh se ky proces do të përmbyllet këtë muaj apo në muajin tjetër dhe kjo nuk ka ndodhur. Pra, u bënë 15 vjet që ne nuk kemi ligj për luftën e UÇK-së, që është një fatkeqësi shumë e madhe”, ka theksuar Xhemajli. Ai ka përsëritur edhe një herë kërkesën e veteranëve që Ligji për Vlerat e Luftës të amendamentohet para datës 10 mars. “Dhjetorin e kaluar ne ua kemi dërguar një letër të hapur të gjitha institucioneve të Kosovës, duke përfshirë Qeverinë e Kosovës dhe Kuvendin e Kosovës. Kemi kërkuar prej tyre që deri më 10 mars të bëhet plotësim-ndryshimi i Ligjit për Vlerat e Luftës në mënyrë që të njihet lufta e UÇK-së me ligj, tek pastaj të bëhet edhe ligji për benificionet e veteranëve”, është shprehur Xhemajli, duke shtuar se për veteranët është e mirëseardhur që ky proces të përmbyllet sa më shpejt. “Veteranët e luftës jetojnë në një gjendje tepër të rëndë ekonomike, sociale dhe shoqërore. Po ashtu, tash kanë filluar të shfaqen më të madhe te veteranët edhe problemet shëndetësore. Një numër i konsiderueshëm i veteranëve asnjëherë prej se ka përfunduar lufta nuk e ka ndier dorën e shtetit”, ka thënë ai.

Xhemajli ka bërë me dije se nëse deri më 10 mars nuk ndodh plotësim-ndryshimi i Ligjit për Vlerat e Luftës, OVL-UÇK-ja mund të ndërmarrë veprime konkrete. “Për të drejtat e veteranëve vetëm një herë ka pasur protestë në vitin 2010. Kështu që, pas datës 10 mars veprimet tona do të jenë shumë konkrete, jo vetëm deklarative, siç ka ndodhur deri më tash”, ka thënë Xhemajli.

Më Shumë

Qytetari dorëzon në polici disa pare gjetura në një qendër tregtare në Prizren

Në Stacionin Policor në Prizren qytetari me inicialet E.K. ka dorëzuar një portofol të cilën e kishte gjetur në qendër tregtare ”Lorik Center”, në...

Inaugurohet kabineti i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi” të Prizrenit

Të mërkurën është përuruar kabineti i ri i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi”. Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit mes Drejtorisë Komunale...

Lajmet e Fundit