Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave ndaj aktiviteteve ilegale me mjete motorike në territorin e Parkut Kombëtar “Sharri”.
AMMK përkatësisht Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka bërë të ditur se në vazhdimësi është duke u ballafaquar me probleme të shumta të veprimeve ilegale në territorin e parkut.
“Së fundmi janë shtuar rastet e veprime ilegale të motoristëve dhe veturave për bjeshkatari duke shfrytëzuar ilegalisht terrenin e Parkut Kombëtar “Sharri” për lëvizje dhe gara të ndryshme në pronat publike dhe private”, thuhet në reagimin e AMMK-së.
Këto veprime, sipas Agjencisë, po shkaktojnë ndërhyrje të drejtpërdrejt në prishjen e peizazheve natyrore, ndotjen e mjedisit, krijimin e mbeturinave si dhe po ndikojnë negativisht në shqetësimin e kafshëve të egra që jetojnë në këto zona me vlera të mëdha te biodiversitetit.
“Përkundër përpjekjeve dhe paralajmërimeve të vazhdueshme për parandalimin e këtyre aktiviteteve ilegale përmes shkresave informuese, kërkesave dërguar Policisë së Kosovës që të ndalojë këto aktivitete, kallëzimeve penale, vërejtjeve etj., deri më sot nuk janë përfillur veprimet e AMMK përkatësisht të stafit të DAPK ’Sharri’”, thuhet në reagimin e AMMK-së.
Aty theksohet se në javët dhe muajt në vazhdim, me qëllim të parandalimit të këtyre aktiviteteve ilegale do të intensifikohen angazhimet në bashkëpunim me institucionet relevante.
“Do të veprohet përmes ndërmarrjes së masave shtesë, në kuadër të së cilave ndaj kryerësve të këtyre veprimeve do të shqiptohen gjoba bazuar në legjislacionin në fuqi, do të konfiskohen mjetet motorike si dhe do të ngriten kallëzime penale për shkeljet ligjore”, thuhet në reagim.
AMMK përkatësisht Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” përmes këtij paralajmërimi ka kërkuar nga të gjithë ata që janë duke kryer këto veprime që të tërhiqen nga këto aktivitete ilegale, “sepse në të kundërtën do të përballen me masa ligjore përkatëse”. /Telegrafi/
Marketing