7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Zgjedhjet më mirë të mbahen në qershor

MazllumBaraliuNjohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu, ka thënë se nuk do të ishte mirë që Republika e Kosovës të shkojë në zgjedhje parlamentare pa përfunduar reforma zgjedhore.

Baraliu në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve me reformë do të ndikonte në konsolidimin e shtetit të Kosovës. “Duke pasur parasysh interesin qytetar, institucional në të mirë të demokracisë dhe konsolidimin e shtetit, zgjedhjet parlamentare të mbahen me reformë zgjedhore. Në rast se klasa politike nuk është e gatshme për ta përmbyllur reformën, atëherë nuk ka kohë për të pritur dhe me këtë kornizë legjislative duhet të mbahen zgjedhjet sepse shtyrja e tyre mund t’i shkelë afatet kushtetuese, gjë që është e kundërligjshme dhe kundërkushtetuese”, ka thënë Baraliu.

Baraliu ka vlerësuar se nëse shkohet në zgjedhje parlamentare pa reformë do ta dëmtonte imazhin e Kosovës. “Imazhi i Kosovës do të vazhdonte të dëmtohej në rast se shkohet në zgjedhje pa reformë. Në një mënyrë ose tjetër, kjo klasë politike, për shkak të sjelljeve rigide, në një masë e ka dëmtuar imazhin e Kosovës. Edhe përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar kanë thënë se nuk është mirë që zgjedhjet të mbahen pa reformë”, ka thënë Baraliu. Sipas tij, përfundimi i këtij procesi të stërzgjatur do të varet nga gatishmëria, interesimi dhe vullneti politik i klasës politike. “Ju e keni parë deklaratën e Lunaçekut, e cila ka përmendur mosgatishmërinë ose mosmbajtjen e premtimeve  të disa liderëve të subjekteve politike. Kjo çështje varet prej tyre. Mendoj se nuk ka shumë punë për të bërë në drejtim të përfundimit të reformës. Ajo çfarë duhet të bëjnë liderët e partive politike është të dakordohen për disa çështje kryesore, në mënyrë që Projektligji për zgjedhjet, i cili pothuajse është i gatshëm të dërgohet në Qeveri, Kuvend, mund të miratohet deri kah gjysma e muajit të ardhshëm”, është shprehur Baraliu. Ai ka thënë së është në interes të të gjithëve që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. “Është interes i yni i brendshëm dhe i jashtëm që zgjedhjet të jenë të lira, fer, demokratike dhe të paanshme. Ne duhet të japim mesazhe pozitive sa iu përket zgjedhjeve”, është shprehur Baraliu.

Zgjedhjet të mbahen në qershor

Ish-shefi i ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë do të ishte qershori i këtij viti. “Koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, sigurisht se do të ishte muaji qershor, për shumë arsye të cilat nuk kanë arsye të numërohen. Institucionet e Kosovës duhet t’i kryejnë të gjitha obligimet, përfshirë edhe reformën zgjedhore, në mënyrë që presidentes t’i jepet mundësia t’i shpallë zgjedhjet në një afat i cili do të përkonte me kohën e mirë, pra para se të hyhet në pushime verore”, ka deklaruar Baraliu. Ai ka thënë se liderët e partive politike mund ta gjejnë gjuhën e përbashkët që zgjedhjet të mbahen në qershor. “Në këtë drejtim mendoj se nuk ka dallime në mes të tyre. I kuptoj pikëpamjet të cilat mund t’i kenë pak a shumë diverse të protagonistëve politikë, por jam i sigurt se janë disa zgjidhje të cilat janë të mira për të gjithë. Ato nuk duhet të anashkalohen”, ka thënë Baraliu, duke shtuar se përfaqësuesit e partive politike po deklarohen se janë të gatshëm për zgjedhje. “Paritë politike janë duke thënë se janë të përgatitura për zgjedhje. Madje disa përfaqësues të këtyre partive janë duke dhënë deklarata të cilat i tejkalojnë kufijtë e normales, se po të ketë zgjedhje nesër, janë gati. Megjithatë, kjo është për t’u diskutuar ose për t’u dëshmuar se sa janë të përgatitura partitë politike, e kjo do të dëshmohet gjatë procesit zgjedhor”, ka theksuar ai.

Baraliu ka thënë se në pjesën e dytë të këtij viti Kosova duhet t’i ketë institucionet e reja të dala nga vota e lirë e qytetarëve. “Kosova duhet ta ketë Kuvendin e ri, Qeverinë e re dhe institucionet e tjera. Për këtë arsye zgjedhjet duhet të organizohen më herët në mënyrë që mos të kemi vakuume institucionale. Në këtë proces duhet t’i kemi parasysh rezervat e caktuara. Gjithashtu, duhet pasur parasysh ndodhitë e paparashikuara të cilat mund të krijojnë probleme në funksionin e shtetit”, ka deklaruar Baraliu.

Vazhdimi i vendeve të rezervuara nënkupton Ahtisaari plus

Profesor Mazllum Baraliu, njohës i sistemeve zgjedhore, ka thënë se çështja e vendeve të rezervuara për minoritetet as që duhet të diskutohet. “Mendoj se çështja e vendeve të rezervuara tashmë është absorbuar. Pjesa kryesore e opozitës nuk është duke pranuar të vazhdohen vendet e rezervuara. Ata që  janë në pozitë ose kanë dëshirë për këtë çështje duhet të mendojnë mirë para se t’i hynë asaj pune, sepse do ta kenë shumë të vështirë ta bëjnë ndryshimin e Kushtetutës. Pa ndryshimin e Kushtetutës nuk mund të bëhet kjo punë, sepse kjo çështje duhet të shtyhet me dy të tretat e shumicës së dyfishtë, pra shumicës së shumicës dhe shumicës së pakicës”, ka deklaruar Baraliu, duke shtuar se vazhdimi i vendeve të rezervuara nënkupton Ahtisaari plus. “Të gjithë duhet ta kuptojnë se tash për tash kjo punë nuk mund të bëhet sepse e tejkalon Planin e Ahisaarit, pra do të ishte Ahtisaari plus. Askush askënd s’e ka autorizuar që definitivisht ta defunksionalizojë dhe ta ngarkojë deri në hipotekë shtetin e Kosovës”, ka thënë Baraliu.

Më Shumë

Dragashi inicion procedurat për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Qeveria komunale e Dragashit në mbledhjen e fundit ka marrë vendim që të iniciojë procedurat e prokurimit për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal. Sipas njoftimit,...

Kryetari i Malishevës premton mbështetje për GLV “Llapusha

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka zhvilluar një takim pune me drejtuesit e Grupit Lokal të Veprimit (GLV) “Llapusha”, të prirë nga...

Lajmet e Fundit