Edhe përkundër që kurrikula për arsimin parauniversitar parasheh që një pjesë e madhe e saj të realizohet me përdorimin e teknologjisë, shkollat në vend vazhdojnë të kenë mungesë të digjitalizimit. Se sistemi arsimor ka dështuar të digjitalizohet e thonë edhe njohës të fushës së arsimit.

Xhavit Rexhaj i tha Radio Kosovës së për përmirësimin e cilësisë në arsim është e nevojshme futja e teknologjisë në sistemin arsimor.

“ Për digjitalizimin dhe futjen e teknologjisë në sistemin arsimor të Kosovës nuk është bërë asgjë. Unë mendoj së teknologjia duhet të integrohet në mënyrë të natyrshme edhe organike. Pse po mendoj unë kështu? Tekstet duhet të bëhen në formë të digjitalizuar dhe mësimdhënësit të trajnohen për përdorimin e kësaj teknologjie që futet në sistem”, tha Rexhaj.

Edhe kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj i tha Radio Kosovës së institucionet arsimore deri me tani nuk kanë bërë asgjë sa i përket digjitalizimit të shkollave.

“Mund të këtë ndonjë shkollë ku është dhënë ndonjë donacion. E sa i përket Qeverisë, nuk ka ndonjë lëvizje pozitive, përveç ndonjë pajisjeje ose tabele të mençur që është donacion, por jo, në nivel vendi nuk është bërë asgjë”, tha ai.

Ministria e Arsimit vite më parë ka nënshkruar marrëveshje për marrjen e një kredie rreth 5 milionë euro për projektin, “Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit” gjatë viteve 2013 – 2017 projekt i cili ka dështuar të realizohet. Në lidhje me këtë, muaj më parë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë të ditur se rezultatet e auditimit tregojnë se projekti në fjalë nuk është funksionalizuar dhe nuk janë arritur qëllimet e tij për e-Edukimin dhe digjitalizimin e provimit të maturës, e që kjo e ka dëmtuar buxhetin e shtetit rreth 5 milionë euro.

Përmes një përgjigje me shkrim, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur për Radio Kosovën se nuk ka pasur Departament e as Divizion për digjitalizim dhe rrjedhimisht projektet që janë bërë pa planifikim, pa bartës të procesit dhe pa mbikëqyrës, të iniciuara vite më parë nga 2014 e tutje janë jofunksionale. “Tashmë kemi Raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit ku konstatohet që projekti e-Edukimi është jo funksional për çka detyrohemi të paguajmë kredi deri në vitin 2032 edhe pse platforma nuk është funksionale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

Tutje, në përgjigjen e ministrisë thuhet se digjitalizimi i sistemit arsimor është prioritet pasi ky është proces i rëndësishëm për transformimin e arsimit në Kosovë.