15.8 C
Prizren
E hënë, 21 Tetor, 2024

Njeriu i Harruar

Prend BUZHALA
(Katër poezi që u shpërngulën në harresë,
duke e ndjekur Harrimin e Shenjtë)
1.
Ja, Njeriu i Harruar,
si një pëshpërimë e largët në brigje të ftohta,
Si një këngë e moçme, e tretur në terratisje motesh,
me gjurmë të humbura në pluhurin e kohës,
e, dikur ishte zë kumbues që shqyente qiellin.
Aty është ai
e askund nuk ndodhet.
Ja, Njeriu i Harruar, endet si hije,
me pamjen e vet është zhdukur e shpërnulur
në të tjera meridianë planetarë
në të paralele hapësirash tejkohore,
si lotët e tharë nëpër kujtime
e nën qiellin e plasur e të zbrazur.
Aty është ai
e nuk shihet.
Vetëm një dritë që nuk fiket asnjëherë
i ka mbetur në zemër,
si flakë e përjetshme zotash,
si një besim që nuk shuhet kurrë,
për t’i ndriçuar rrugët e errëta të jetës
nëpër katakombet e kohëve.
Aty është ai
e askush s’e mban mend fytyrën e tij.
2.
Ja Njeriu i Harruar në skutën e një kohe,
humbi emri i tij nëpër bisedat e moçme,
humbi nëpër rreshtat e shkrimeve të ftohta
si netët polare.
Si të jetonte në skajet e vetë universit,
ku askush nuk shkel, askush nuk sheh
dhe ku askush nuk flet e as nuk jeton.
Aty është ai
e askund fryma e tij e gjallë.
Ditët i kalojnë si një lumë i qetë,
duke mos lënë asnjë gjurmë mbi breg.
Çdo hap që hedh
sikur zhduket përpara se ta arrijë dheun.
Aty është ai
e askund nuk ndodhet.
Ja, Njeriu i harruar
si qenie e padukshme
si një re pa hije që mblidhet e shprishet,
Dhe thotë: le të jem më i harruari i botës,
Në këtë harresë e gjej lirinë time,
jam i lirë nga kërkesat që dikur më rëndonin në shpirt.
Asnjë stacion s’e pret,
askush nëpër stacionet e botës atë nuk e takon.
E, tash, ka kohën e gjithë botës
për t’i ndjekur gjurmët e mendimeve
që i la pas si jehonë e shurdhër.
Aty është ai,
dëshmitar i heshtur jashtë kohe.
3.
Ja Njeriu i Harruar!
Sa bukur qneka të jesh në këtë univwes harrese,
me paqen që vjen nga mungesa e pritjeve të botës.
Sa bukur të ndjehesh i vetëm me vetveten,
Dhe, në këtë vetmi,
zbulon diçka që bota s’e di:
atë forcën e një shpirti
që nuk ka nevojë për mirënjohje, për lavdi,
apo për kujtime.
Aty është ai,
në një teatër jete që askush s’e fton të luajë.
Ja Njeriu i harruar,
i tillë, qenieplotë shfaqet në thjeshtësinë e vet,
me copëzat e fjollat e kujtesës
që i ka shpërndarë nëpër zemra.
Qenka një frymë që shkon përtej harresës –
i lirë prej kujtesës së botës.
Aty është ai,
si fotografi e vjetër, e ngrënë nga pluhuri i kohës.
Ja Njeriu i harruar,
si një lis i lashtë
që qëndron në një pyll të prerë,
si një lis me rrënjë të thella në tokë,
e askush atë mal të çuditshëm nuk e sheh.
Aty është ai,
askush për atë pyll nuk pyet.
4.
Ja Njeriu i Harruar!
Vetëm ndonjëherë copëza rrëfimesh i vijnë
nga largësia e dhimbshme, e prerë.
Një rrëfim i lënë në mes,
një fjalë e lënë përgjysmë, si gjysmpëfjalë,
si gjysmëbotë e gjysmëjetë.
Ka diçka të përjetshme tek njeriu i tillë
harresa është vetë liria.
Aty është ai,
si një këngë e zvargur pa melodi.
Ja Njeriu i Harruar!
Është si një kalendar pa data,
kohë që nuk llogaritet me orë dhe minuta,
është një tjetër rend pa ditë e pa net.
Njeriu mund të harrohet nga bota,
por jo nga vetja.
Dhe kjo vetëdije, kjo e vërtetë e heshtur,
është ngushëllimi i tij më i madh.
Është pajtimi i madh me fatin
që askush tjetër nuk e ka kuptuar.
Aty është ai,
Si se dritë mëngjesi që e sheh e për të nuk është.
Ja Njeriu i Harruar!
Qenka një dritë e brendshme,
një zjarr që digjet në heshtje,
duke i dhënë kuptim gjithçkaje që ka mbetur pas.
Jeton mes dritës dhe hijes,
duke u shkrirë me një heshtje.
Njerëzit e kanë harruar
si një libër që nuk hapet më kurrë,
siç harrohet një rrëfim i vjetër,
siç harrohet një fyell ilirik,
si emër i tretur nën dhé.
Aty është ai,
duke e dëgjuar zërin e errët të natyrës.
Ja Njeriu i harruar
qëndron në prag të një bote
që ka kaluar pranë tij pa u ndalur.
Është pemë e vetme në kopsht
me degë të thyera.
Pemë pa gjethe, pemë pa gjelbërim.
Vetëm trungu mbetet aty me rrënjët në tokë.
Ka një zë tjetër, që vjen nga thellësitë e tij,
një zë që i përket një bote tjetër brenda vetes,
ku askush nuk ka hyrë kurrë.
Ky zë i flet me qetësi, me urtësi:
ndonjëherë, më mirë është të jesh i harruar
e vetveten ta gjesh.
Aty është ai,
si e vërteta e fshehur nëpër frymëmarrjet e njerëzve.
Ja Njeriu i Harruar
që ju nuk e shihni.
Aty ka një forcë që vetëm toka e ndjen.
Aty është ai!
Është e vetmja fitore që e meriton Harrimin e Shenjtë.
(tetor 2024)

Më Shumë

Dominim total, rezultat fantastik – Kosova e pandalshme

Kosova ka realizuar fitore të thellë prej 3:0 ngaj Qipros në Ligën C të Kombeve. Serinë e golave e hapi kapiteni Amir Rrahmani me një...

Ndalet hovi i Prizrenit, ndan pikët me Dardaninë

Në ndeshjen e javës së 8-të të Ligës së Dytë të Kosovës, FC Prizreni nuk arriti të vazhdojë serinë e fitoreve, duke barazuar 1-1...

Lajmet e Fundit