6.1 C
Prizren
E enjte, 12 Dhjetor, 2024

“Djemtë e Detit” rikthehen pas 25 vitesh në Festivalin e Këngës në RTSh

Grupi legjendar “Djemtë e Detit”, i njohur për ndikimin e tij në muzikën shqiptare në fillimet e viteve ’90, do të rikthehet në skenën e Festivalit të 63-të të Këngës në RTSH pas gati çerekshekulli mungesë.

Kënga e tyre e re, e titulluar “Larg”, me tekst të aktorit dhe poetit të njohur Timo Flloko dhe e kompozuar nga Valentin Markvukaj, përmban një dedikim për Shqipërinë dhe ndjenjën e mallëngjimit për atdheun. Për grupin, rikthimi në këtë festival është një kthim në origjinë, pasi debutimi i tyre ndodhi pikërisht në këtë skenë.

“Fillimet e karrierës së grupit ‘Djemtë e Detit’ janë në festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar dhe, po t’i referohemi daljes në skenë për herë të fundit, për ne si grup ka qenë në vitet ’99-2000. Ka qenë kjo dalja e fundit në festival, me këngën ‘Kohë pa ty,’” tha Markvukaj në një intervistë për “Liberale.al”. Ai e përshkruan rikthimin si diçka “natyrale” dhe shton: “Në një farë mënyre, është sikur rikthehemi aty ku e lamë sërish.”

Megjithatë, ky rikthim do të ndihet i paplotë për shkak të mungesës së vokalistit të ndjerë Gent Demaliaj. “Patjetër që mungesa e Gentit ndihet në skenë, fizikisht edhe shpirtërisht. Pasi është hera e parë që ne do të dalim në atë skenë pa Gentin. Por e tillë qenka jeta,” theksoi Markvukaj.

Kompozitori, i cili ka jetuar në Australi për gati tre dekada, ndan emocionet e tij përmes këngës dhe dedikimit për vendlindjen. “Unë si kompozitor i këngës jetoj në Australi dhe kam gati 28 vjet që e kam lënë vendin. Por malli shtohet dhe akumulohet, prandaj edhe interpretimi është një lloj reflektimi i asaj çfarë unë ndjej, pra mallin që kam për vendin tim, për Atdheun, për Shqipërinë”, tha ai.

Festivali i 63-të i Këngës në RTSH, që do të mbahet nga 19 deri më 22 dhjetor në Pallatin e Koncerteve, pritet të sjellë 30 artistë pjesëmarrës, ku njëri prej tyre do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025. Mes artistëve të rinj, “Djemtë e Detit” mbeten një simbol i nostalgjisë dhe profesionalizmit.

“Falë adhuruesve tanë, jemi këtu ku jemi,” tha Markvukaj. “Ndërsa për brezin e ri mund të themi që është një brez që ballafaqohet me disa stile të tjera muzikore. Por rinia di gjithnjë të ‘fluturojë’ dhe të shikojë diçka të bukur, diçka të veçantë. Shpresojmë që të shikojë diçka profesionale edhe këtë herë, sepse në fund të fundit ajo ka rëndësi, profesionaliteti”.

Ai përshkroi emocionet e rikthimit në Shqipëri, duke theksuar zhvillimin e vendit: “Shqipërinë e gjej gjithmonë e më mirë. Po të jetoja këtu, ndoshta do të shihja problemet ditore. Kur kthehem shoh anën tjetër, zhvillimin, avancimin e Shqipërisë. Dhe gëzohem shumë kur e shoh gjithmonë e më mirë, gjithmonë e më të zhvilluar vendin tonë”.

Rikthimi i “Djemve të Detit” është pritur me shumë entuziazëm dhe konsiderohet si një nga surprizat më të mëdha të festivalit, duke rikthyer jo vetëm hijeshinë e tij, por edhe emocionet e artdashësve që ndjekin karrierën e grupit prej dekadash./PrizrenPress.com/

 

Më Shumë

Vajza që u raportua e zhdukur në Prizren, gjendet duke bashkëjetuar me një person

Ishte raportuar e zhdukur, para dy ditësh një vajzë nga Prizreni. Ajo është gjetur ditën e djeshme, duke bashkëjetuar me një person. I dyshuari është arrestuar...

Kilaj deklarohet plotësisht i pafajshëm në Hagë

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është deklaruar plotësisht i pafajshëm në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, ku po përballet me aktakuzën e ngritur...

Lajmet e Fundit