Punimet në rrugën Prizren-Tetovë shkaktojnë rrëshqitje dheu, rrezikohen disa shtëpi në Leskovec

Katër shtëpi të fshatit Leskovec, të komunës së Prizrenit, janë të rrezikuar nga rrëshqitja e dheut. Kjo gjendje është krijuar pas fillimit të punimeve në rrugën Prizren-Tetovë, thonë banorët e këtyre shtëpive. Rrezikshmëria është rritur çdo ditë e më shumë, thotë Hajredin Berisha, pasi edhe rruga e asfaltuar nuk është më.

“Kompania e cila është duke vijuar punimet në rrugën Prizren- Tetovë, ka bërë disa gjana që na ka sjellë deri në këtë gjendje. Punimet po vazhdojnë, premtime na kanë dhënë qysh para dy muaj e gjysmë, se do të sanohen gjërat, por janë duke shkuar në gjendje më të rrezikshme”, tha për RTK-në, Hajredin Berisha, pronar i njërës prej shtëpive.

Pas kaq muajsh, banorët kërkojnë ndalimin e punës, deri në rehabilitimin e shtëpive.

“Kemi tentuar t’i ndalim edhe punimet e kompanisë, jo t’i ndalim që të mos vazhdon rruga, por t’i ndalim që të sanohen dhe të rehabilitohen familjet. Toka është e jona, është afër dy hektarë e kemi babë e babgjysh”, vijoi tutje Berisha.

Për këtë rast është njoftuar policia rajonale, ndërsa drejtori i Inspektoratit, Islam Ukimeri, bën të ditur se, disa herë ekipet kanë dalë në terren, ndërsa po e monitorojnë situatën.

“Dje që e kemi marrë informatën nga policia, kemi dalë në vendngjarje e kemi konstatuar gjendjen dhe rrezikun që është shkaktuar atje, e kemi njoftuar Drejtorinë e Emergjencave, tani kur jemi duke folur inspektorët janë në terren dhe janë duke rrethuar objektet e rrezikuara”, tha Ukimeri.

E kontaktuar nga RTK, drejtoresha për Emergjenca dhe Shpëtim, Ramize Sinani-Shala, tha se në terren kanë dalë ekipet e gjeodezisë, që do të verifikojnë shkaqet e rrëshqitjes së dheut, e më pas do të merren masa.

Nga Ministria e Infrastrukturës nuk janë përgjigjur lidhur me këtë çështje./rtk/

Më Shumë

Gjendet 24-vjeçarja nga Prizreni që ishte raportuar e zhdukur

Është gjetur vajza 24-vjeçare nga Prizreni, e cila ishte raportuar e zhdukur pasi ishte larguar nga shtëpia pa njoftim. Sipas burimeve, ajo është gjetur më...

Përurohen tri ndërtesa sociale me efiçiencë në Prizren për 51 familje

Është përuruar projekti që implementon masat e efiçiencës së energjisë për tri ndërtesat sociale shumëbanesore në Prizren, me vlerë investimi afro 460 mijë euro. Kryeministri...

Lajmet e Fundit