Gashi në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK theksoi se “në Kalanë e Prizrenit çdo ditë, si sot që kemi mot të mirë, kemi 1 000 turistë”.

“Qyteti i Prizrenit është një ndër qytetet kryesore në Republikën e Kosovës që vizitohet më së shumti nga turistët vendorë dhe ndërkombëtarë. Është një qytet muze për vetë faktin se ka shumë monumente, duke u nisur nga emblema – Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kalaja e Prizrenit dhe shumë monumente të tjera që dita-ditës po futen në mbrojtje, po konservohen e po restaurohen”, tha ai.

Ai tregoi se çdo ndërhyrje ka në fokus ruajtjen e origjinalitetit të monumentit, duke u bazuar në dokumentacionin që është siguruar deri në momentin e ndërhyrjes.

“Domethënë është një ndërhyrje me shumë kujdes, që i paraprin një analizë e mirëfilltë, pastaj hartimi i projektit dhe, më në fund, ndërhyrja në monument deri në finalizim, gjegjësisht sjellja e monumentit në gjendje të mirë dhe shërbim të turizmit dhe atraksionit kulturor”, shtoi ai.