Prizreni nënshkruan marrëveshje për shpërndarjen e dërgesave dhe gjobave të trafikut përmes Postës së Kosovës

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka nënshkruar sot një Marrëveshje Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës dhe Postën e Kosovës, me qëllim përmirësimin e efikasitetit të shpërndarjes së dokumenteve dhe forcimin e koordinimit ndërmjet institucioneve.

Sipas komunës, marrëveshja ka fokus të veçantë shpërndarjen e dërgesave dhe gjobave të trafikut rajonal.

“Kryetari Shaqir Totaj nënshkroi sot Marrëveshje Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës dhe Postën e Kosovës për kryerjen e shërbimeve postare, me fokus të veçantë në shpërndarjen e dërgesave dhe gjobave të trafikut rajonal, që synon përmirësimin e efikasitetit të shpërndarjes së dokumenteve dhe forcimin e koordinimit ndërmjet institucioneve”, thuhet në njoftimin e komunës, përcjell PrizrenPress.

Në fillim të prillit, Policia e Kosovës ka filluar dërgimin e gjobave të trafikut në adresë të pronarëve të automjeteve që identifikohen se kanë bërë kundërvajtje.

Gjobat për shkeljet në trafik – që do të identifikohen përmes pajisjeve inteligjente – do t’iu dërgohen pronarëve të automjeteve përmes Postës së Kosovës dhe platformës e-Kosova.

Sipas policisë, përmes pajisjeve inteligjente identifikohen shkeljet në trafik sikurse tejkalimi i shpejtësisë, skadimi i afatit të regjistrimit, tejkalimi në vende të ndaluara, mosrespektimi i semaforit, mosvendosja e rripit, përdorimi i telefonit mobil e kundërvajtje të tjera.

Pas verifikimit të pronarit të automjetit, policia e regjistron dhe e printon dëshminë e kundërvatjes. Të dhënat futen në sistem, e më pas gjoba vendoset në zarf e dorëzohet në shërbimin postar, për t’iu dërguar më pas pronarit të automjetit.

Qytetarët mund të paraqesin ankesë për gjobën e pranuar. Atyre po ashtu iu mundësohet që të paguajnë gjobën për kundërvajtje në çdo zyre postare të Postës së Kosovës./PrizrenPress.com

Më Shumë

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren shpall konkursin për studentët e rinj më 29 qershor

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren njofton të gjithë maturantët dhe kandidatët e interesuar se më 29 qershor 2026 do të shpallet zyrtarisht konkursi për...

Gazetaria nuk është shërbim ndaj pushtetit, por përgjegjësi ndaj së vërtetës

Nga Musa Sabedini Në gjithë rrugëtimin tim profesional kam besuar se gazetaria nuk matet me afërsinë ndaj pushtetit, por me guximin për t’i kërkuar llogari...

Lajmet e Fundit