1.7 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Cilët ishin njerëzit e administratës së Ali Pashës?

Ali PashaOborrtarë dhe nëpunës grekë
Megjithëse momentale, shfaqja e dobësisë përpara revoltës popullore, mund t’i kushtonte shumë Aliut. Por në atë periudhë erdhi në Janinë sekretari i ambasadës angleze në Stamboll dhe qëndroi disa ditë me të. Ky qëndrim zyrtar forcoi në mënyrë të pabesueshme pozitat e Aliut dhe te të gjithë armiqtë e tij, të brendshëm e të jashtëm, krijoi përshtypjen se duke gëzuar një përkrahje të tillë kaq të hapur dhe inkurajuese nga ana e Anglisë, pashai nuk kishte më frikë as nga Divani. Do të ishte i përjetshëm. Në periudhën e qetësisë së jashtme dhe sigurisë së brendshme që po fillonte tashmë, Aliu u përqendrua më tepër te demonstrimi i luksit të oborrit, te festat dhe te kënaqësitë trupore. Mjaftonte që të kalonte nga Janina qoftë edhe një zyrtar i mesëm i huaj, që të shërbente si shkas për parada ushtarake, për dreka festive dhe gjueti madhështore, që mund të krahasoheshin me gjuetitë më të mira të Luigjëve të Francës. Pritja më spektakolare iu bë një princi nga Persia, i cili kishte ardhur për t’u njohur me vendin ku sundonte Aliu dhe të merrte eksperiencë nga qeverisja e tij. Megjithëse princi ishte i mësuar me luksin e Lindjes, e humbi toruan nga pritja që iu bë dhe kryesisht nga shpura e stërmadhe dhe e shumëllojshme e Aliut dhe nga oborrtarët shërbëtorët e tij të panumërt.
Suita e Aliut përbëhej nga: Qehajabeu ose administratori, Divan efendiu ose kryesekretari, Haznadar agai ose financieri, Selihtar agai – ai që i mbante shpatën, Muhurdar agai – ruajtësi i vulës, Çohadar agai – komandanti i truprojave, Kaftan aga i – ai që i mbante mantelin, Çemeshiragai – ai që kujdesej për gardërobën, Divitaragai – ai që i mbante kallamarin e shkrimit, Peshqiragai – ai që mbante peshqirin dhe i hidhte ujë për t’u larë, Kavashibashi – që ishte në krye të të ftuarve të tij, Kafexhibashi – ai që i bënte kafen, Dunimeni – kujdestari i posaçëm për qymyrin e kuzhinës dhe për drutë e oxhakëve të tij (Aliu ishte shumë i ndjeshëm ndaj të ftohtit, dhomat i kishte me dy oxhakë dhe në dimër qëndronte midis tyre, duke hedhur krahëve dhe dy guna, por ujin ama e donte akull të ftohtë, si në verë, ashtu dhe në dimër), Berberbashi – kryeberberi, sofraxhibashi – “maitre d’hotel” siç do ta quanin sot. Të gjithë këta nuk punonin vetë, ishin si të thuash funksionarë, nën urdhrat e tyre kishin shumë të tjerë, ata që bënin me të vërtetë punën dhe që quheshin arkadashë.
Dy prej tyre tani së fundi ishin bërë specialistë për të larë barkun e Aliut. Barku i ishte fryrë nga dhjami i pleqërisë dhe ishte bërë palë-palë. Në mes të këtyre palëve i ishte shfaqur një ekzemë, e cila infektohej nëse nuk shpëlahej çdo mëngjes me ujë të pastër. Veç kësaj suite të panumërt, e cila siç e kërkonte salltaneti turk ishte e domosdoshme për çdo vezir, Aliu kishte grumbulluar në Oborrin e tij çdo person nga zotërimet e tij që kishte shkëlqyer në dije dhe në shkencë, në art e në kulturë. Subjekti më i rëndësishëm dhe më domethënës i administratës së Oborrit ishin sekretarët- ministrat e tij. Aliu kishte krijuar një shkollë të vërtetë politike, të krahasueshme me atë të Fanarit, në të cilën studiuan mjaft grekë, për t’u bërë më vonë në një mënyrë apo në një tjetër, të dobishëm për çështjen e madhe të lirisë së Greqisë – dhe për ta futur në grackë dhe për ta eliminuar të parin atë vetë.
Sigurisht që këta ministra nuk kishin një pikëpamje të tyren, ishin thjesht organe që zbatonin urdhra. Por përditë kishin rastin dhe mundësinë të ndiqnin lojën e politikës dhe të specializoheshin. Çështjet shtetërore, nga më e madhja deri te më e thjeshta, i rregullonte vetë Aliu. Tek oda ku ai priste sekretarët e tij, ishte vendosur një rradhë kutish metalike brenda të cilave vendoseshin arkivat. Aliu, duke thithur çibukun apo tabakon, ose duke luajtur me tespihet e tij të famshme – kishin tridhjetë e një perla të mëdha, sa një pasuri e tërë – u diktonte tre apo dhe katër sekretarëve njëkohësisht shkresat që do të përpilonin. Disa i kishte për korrespondencën me Divanin, një për francezët, një për anglezët dhe të tjerë për shërbimet brenda vendit. Përveç sekretarëve për Divanin, të gjithë të tjerët ishin grekë. Korrespondenca ishte në gjuhën greke. Sekretarët habiteshin me kujtesën e Aliut. Nëse nuk gjenin ndonjë dokument, e dëgjonin tek u thërriste: – Kërkoni, ore, në kutinë e tretë nga lart. Aty brenda e keni.
Asnjëherë nuk gabonte. Sekretarët e tij bënin një jetë të vështirë dhe ishin të privuar nga shumë gjëra. “Në oborr,-shkruan një dëshmitar i kohës, – funksiononte një si ministri që përbëhej nga Mantho Ikonomi, Spiro Kollovoi dhe Kosta Gramatikoi nga Konica, të cilët punonin pa pagesë nga mëngjesi deri në darkë në një dhomë brenda sarajeve por banonin jashtë sarajeve. Sa herë paraqiteshin të interesuarit, merrnin prej tyre një shumë të hollash, zakonisht të vogël, për shërbimet që u bënin.” Anglezi Riçard për të njëjtën çështje shkruan: “Nëpunësit anglezë të ministrive do të ngeleshin pa gojë, nëse do shihnin kryesekretarin e Aliut të ulur në një dhomë të keqe, para një tavoline të ulët dhe të bërë pa shije, i rrethuar me pirgje shkresash që i vendoste vetë me rregull. As zyrë komode, as kolltukë, as penë argjendi për të shkruar, as nëpunës për ta ndihmuar. Shkresat ishin të shpërndara andej- këtej, tavolinë nuk kishte, ndërsa senjor Kollovoi, duke e mbështetur letrën në pëllëmbën e dorës ose në gjunjët e tij dhe duke e zhytur penën me bishtin e drunjtë që e mbante të lidhur në brez, nënshkruante shkresat e tij … “.
Aliu jo vetëm që nuk i paguante sekretarët e tij, por ndonjëherë, për shkakun më të parëndësishëm, mund edhe t’i zhdukte. Një ditë, teksa inspektonte murin shtesë që po bënte në njërën anë të sarajeve, thirri një prej sekretarëve të tij, Anagnostin, për t’i dhënë udhëzime për një shkresë. Por Anagnosti shfaqi disa kundërshtime që e acaruan kaq shumë Aliun, saqë dha urdhër dhe e hodhën menjëherë nga kastroja në një hon të thellë, ku gjeti një vdekje të frikshme. Megjithatë, posti i sekretarit ishte shumë i lakmuar. Si sekretarë të Aliut shërbenin njerëz seriozë dhe me emër. Më të famshmit prej tyre ishin Mantho Ikonomi, Spiro Kollovoi, Kosta Vurbianiti, Thanas Lidhoriki, Stefan Duka, Anagnost Karpenisioti dhe të tjerë. Disa prej tyre, të pajisur me vlera, me aftësi dhe ndjenja të vërteta kombëtare, ishin shumë të vlefshëm dhe për bashkëqytetarët e tyre. Dy prej këtyre ishin veçanërisht me emër: Mantho Ikonomi dhe Spiro Kollovoi. Manthon, nga fshati Kukuli i Zagorit, pashai e kishte marrë sekretar që të nesërmen e vendosjes së tij në Janinë. Ishte një burrë i mençur, i matur dhe shumë i disiplinuar: “E tha zoti Mantho”, thoshte populli. Njerëzit ushqenin për të konsideratën më të thellë, ashtu siç e respektonte dhe Aliu dhe këshillohej me të – sipas mënyrës së tij – për të gjitha çështjet e rëndësishme. Mantho Ikonomi luajti një rol të rëndësishëm në historinë greke, madje dhe para revolucionit të 1821-shit. Duke qenë ndër anëtarët më aktivë të Eterisë kishte ndikuar që të anëtarësoheshin shumë nga Oborri i Aliut dhe mbante kontakte të vazhdueshme me përfaqësues të Eterisë në Patra dhe Korfuz. Si karakter, ishte njeri i drejtë, i ndershëm në kulm dhe nuk i interesonin përfitimet. Vdiq pa asnjë kacidhe, megjithëse nëse donte, kishte mundësi që me postin e rëndësishëm që mbante në Oborr të fitonte pasuri kolosale. Sa herë që Aliu jepte urdhër të mblidheshin ndihma në të holla për çfarëdo lloj nevoje, Mantho asnjëherë nuk kishte mundësi të paguante. Për të paguanin miqtë e tij, jo vetëm të krishterët, por edhe myslimanët.
Spiro Kollovoi lindi në Janinë në një familje të mirë. Studioi në Epir dhe në vazhdim, duke shkuar në Europë për punë tregtie, mësoi një sërë gjuhësh të huaja. Pasi u kthye në Janinë, Aliu e mori në Oborr dhe e mbajti deri në fund. U lidh me Ikonomin, i cili ndikoi për anëtarësimin e tij në Eteri. Ndikimi i Kollovoit mbi Aliun ishte kaq i madh, saqë ai e përdorte për misionet e tij më të rëndësishme. Ishte tip i qeshur dhe i gjallë dhe njerëzit e donin shumë. Kur mjeku anglez Holland vizitoi për herë të parë Aliun, ai, duke treguar nga Kollovoi, tha: – Fol lirshëm, se ky është më i vjetri dhe më besniku ndër shërbëtorët e mi. Dhe e njeh më mirë se çdo njeri tjetër të gjithë jetën time të mëparshme.
Midis sekretarëve dhe nëpunësve të tjerë, kishte dhe shumë pa karakter, të cilët Aliu i përdorte si vegla për çdo vepër të ulët. Një prej tyre ishte Kosta Vurbianiti. Mënyra se si ai u bë sekretar i Aliut është e habitshme dhe domethënëse edhe për atë edhe për të zotin e tij. Një ditë, Aliu ishte duke inspektuar një ndërtesë, kur një korrier i çoi një letër që e informonte se një bej i fuqishëm në Shqipëri nuk dëgjonte te zbatonte urdhrat e tij. I zemëruar dhe duke dashur që t’ia transmetonte menjëherë urdhrat e tij, u thirri ustallarëve që punonin në ndërtesë dhe i pyeti se kush prej tyre dinte te shkruante. Vurbianiti, atëherë i ri në moshë, u paraqit tek Aliu. Pashai i diktoi një letër të mbushur me kërcënime për beun e mësipërm dhe e porositi sekretarin improvizues qe te mos ndryshonte asnjë prej fjalëve të tij. Pasi mbaroi së diktuari, i tha Vurbianitit që t’i lexonte letrën që kishte shkruar. Gjatë leximit të letrës, Aliu konstatoi me habi se ustai sekretar kishte shtuar frazën: “Mos guxo të bësh ndryshe, se do të të pijë e zeza!”. – Po pse, ore, – e pyeti me zë të egër Aliu, – shkruan më tepër se ato që të thashë?
– Pashai im, a nuk do ta pijë e zeza nëse nuk do të bëjë sipas vullnetit tënd? Aliut iu bë qejfi nga kjo përgjigje dhe në moment e emëroi sekretar të tij.
Në Oborrin e Aliut, përveç sekretarëve dhe këshilltarëve zyrtarë, shkëlqenin dhe shumë të tjerë, të krishterë dhe myslimanë, këshilltarë jo zyrtarë, nëpunës të lartë oficerë dhe mjekë. I pari mes këtyre ishte Aleks Nuçoja. Ishte i biri i Janit ose Nuço Karamesinit nga Zagori, i cili kishte ndikim të tillë në Stamboll, saqë ia doli të mbështeste në mënyrë efektive Aliun në fillimet e karrierës së vet. Dhe Aliu për mirënjohje bëri që të shquhej djali i vet, Aleksi.
Ai u shqua dhe për vlerat e tij si person, por kryesisht prej postit të përhershëm që i kishte dhënë Aliu. E kishte emëruar në postin e bash koçabashit të Zagorit, megjithëse ai jetonte në Janinë dhe shkonte në Zagor vetëm një herë në vit. Ishte tip i qeshur dhe njeri i ahengut dhe i qejfit, shumë dorëlëshuar dhe që i pëlqenin gjellët e mira. Por të gjitha ato që harxhonte i vilte prej patriotëve të vet, të cilët i mërziste me sjelljen e tij dhe ushtronte presion mbi ta duke vjelë taksa gjoja të prapambetura që në të vërtetë shkonin për pasurimin e tij. Kishte vënë pasuri të madhe. Për sa i përket luksit, shkëlqimit të jashtëm dhe qejfeve konkurronte djemtë e Aliut.
Tre njerëz visheshin në mënyrën më luksoze në Oborr: myslymanët Hati – Shehri efendiu dhe Mehmet efendiu, qehajai i Aliut, si dhe Aleks Nuçoja, i cili edhe fustanellën e kishte të qëndisur me ar. Kur Aliu dërgoi djalin e tij të tretë, Saliun e ri, komandant të Gjirokastrës, i dha me vete si këshilltar Aleks Nuçon, por shumë shpejt e mori mbrapsht, sepse siç pretendonte, e korruptonte të riun duke e çuar nëpër lokale pijesh, bixhozi dhe qejfi. Aleks Nuçoja ishte shumë i dobishëm për Aliun në lidhje me çdo çështje që kishte të bënte me grekët. Dy vjet përpara fillimit të revolucionit grek, ishte bërë siç do ta shohim më poshtë, anëtar i Eterisë dhe kishte punuar që udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të revolucionit të kishin predispozicion pozitiv kundrejt Aliut. Një tjetër grek që dallohej në Oborrin e Janinës, ishte dhe Kosta Marinu ose Marinoglu nga Kapesova e Zagorit, tregtar i madh dhe i fuqishëm dhe bankier në Janinë e Stamboll. Fillimisht shërbeu si inspektor financiar i Aliut, por më vonë dhe këshilltar i tij për çështjet e jashtme. Ishte shumë i pasur. Pasardhësit e tij morën pjesë në Revolucionin e 1821-shit me mbiemrin Marinaqi.
Një tjetër oborrtar grek ishte Jani Monovardha, mbikëqyrës i doganave në brigjet epirote, që sipas të thënave, kishte futur në xhepin e tij pesëqind mijë grosh. Nikolla Miho nga fshati Kotorxi i Kastanohorëve, njeri shumë i pasur, ishte dhe ky në Oborrin e Aliut. Madje i kishte dhënë pashait një hua prej tetëqind e pesëdhjetë mijë groshësh. Një pjesë nga pasuria e tij e madhe humbi më vonë siç do ta shohim, gjatë djegies së Janinës dhe pjesa që mbeti u shtetëzua. Edhe ky ishte anëtar fanatik i Eterisë. Të bijtë morën pjesë në Revolucionin e 1821-shit. Madje njëri prej tyre, Artemi Mihos, u bë dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë greke.
Në Oborrin e Aliut shërbenin, gjithashtu, Stefan dhe Thimio Dhuka, dy vëllezër nga Përmeti, djem të Kostandin Dhukës, komandantit të Beratit pas shkarkimit të Ibrahim Pashës.
Në Oborrin e pashait mes vendasve dallonte një banor i Naksos që quhej Marko Dhamirali. Kishte ardhur nga Nakso në Janine te xhaxhai i tij mitropoliti Ierotheu, i cili u përkujdes që të çante përpara, prandaj dhe në Janinë njihej më tepër me emrin Markoja i Dhespotit. Duke qenë i zgjuar dhe aktiv, me të hyrë në shërbim tek Aliu u shqua shumë shpejt. Kur Myftar Pasha u emërua vali në Berat dhe në Vlorë, Dhamirali u emërua nënkomandant në po atë krahinë dhe për dymbëdhjetë vjet me radhë faktikisht ai ishte komandanti i saj. Kishte një dëshirë të zjarrtë për ta parë Greqinë të lirë. Mori pjesë dhe luftoi në Revolucionin e 1821-shit. Në betejën e Petës ai luftoi me një trupë të zgjedhur arvanitasish, të cilët i financonte nga xhepi i tij. Në asamblenë e parë kombëtare të periudhës së revolucionit, Dhamirali kishte një përfaqësim të trefishtë: të atdheut të tij të veçantë, Naksos, të armatolëve të Greqisë Perëndimore dhe së fundi të arvanitasve që e konsideronin bashkëpatriot. Besimi që kishin te ky njeri ishte i tillë, saqë shumë prej bejlerëve dhe agallarëve të fuqishëm të kohës i kishin dhënë – Dhamiralit dhe Tahir Abazit – në një letër të bardhë firmat dhe vulat e tyre, për të nënshkruar marrëveshje me qeverinë greke.
Pas vrasjes së Kapodistrias, Dhamirali u bë anëtar i komitetit tre-anëtarësh që drejtonte ishujt Ciklade dhe më vonë e dërguan komandant të Akarnanisë për të shtypur një revoltë.
Dhimitër Politheti nga Kastanohoret, Kristo Kina, Thanas Arta, Kosta Karistino, Asimaqi Kroqidha, i cili kishte pasur sukses me tregtinë në Vllahi, ishte bërë anëtar fanatik i Eterisë dhe më vonë politikan në Greqinë e lirë, Jorgo Turturi nga Kallaritet, anëtar i Eterisë dhe funksionar i lartë në kohën e Kapodistrias, Thanas Lidhoriqi nga fshati me të njëjtin emër, sekretar, vulëmbajtës dhe i preferuar i Aliut – më vonë shkroi dhe kujtime për pashain – Mihal Vrazeli, Jorgo dhe Anagnost Rondiri dhe shumë të tjerë ishin edhe këta tek Oborri i pashait. Nga dy të fundit që përmendëm më lart, i pari u fut në shërbim të Aliut si çohadar dhe shërbëtor, së bashku me Odhisea Andhrucon dhe Karaiskaqin. Luftoi më vonë në krye të një mijë burrave në Revolucionin e 1821-shit dhe u vra në Mesollongji.

Gustav Adolfi i Suedisë
Gjithë këta njerëz, së bashku me elitën e ushtarakëve të Aliut – do flasim më poshtë për të – ishin shumë të zhurmshëm gjatë festave të mëdha, gjatë pritjeve për të huajt dhe gjatë gjuetive mbresëlënëse. Më shumë nga të gjithë të huajt, nga këto pritje, Ishte verbuar por dhe argëtuar, mbreti i rënë nga froni i Suedisë Gustav Adolfi i katërt, i fundmi i dinastisë Vaza, i cili kaloi nga Janina për të parë nga afër se ç’njeri ishte ky Ali Pasha për të cilin flitej kaq shumë në Europë. Ky mbret autarkik, që nuk i përshtatej epokës që Jetonte, kundërshtar fanatik i parimeve demokratike dhe i Bonapartit, bëri aleancë me Anglinë dhe Rusinë kundër perandorit francez, për të vuajtur më vonë dështimet jashtë vendit, duke humbur Pomeraninë dhe Finlandën që më parë i takonin mbretërisë së tij, u arrestua, u hoq nga from, u burgos dhe në fund u internua. Para se të vendosej përfundimisht në Gjermani me titullin e kondit Gotorp, ndermori një udhëtim në Europë. Duke dashur të shkonte në More dhe të priste aty deri sa sulltani t’i dërgonte fermanin për të vizituar vendet e shenjta, kaloi në Korfuz dhe qe aty në Prevezë dhe në Janinë për të njohur vezirin e famshëm. Aliu, si një pallua që hap krahët e tij, e priti duke i bërë një ekspoze të Oborrit të tij shumëngjyrësh. Ç’nder i madh për sarajin e tij ta vizitonte “një fisnik”, paçka se i rënë nga vakti! Pritje, parakalime të ushtarëve të tij shqiptarë, dreka dhe darka. Sipas zakonit të mbretërve të vjetër, në drekat dhe darkat e pasura nuk mungonte këngëtari. Aliu kishte “Homerin” e tij. Por ishte më me fat se mbretërit prehistorikë të grekëve, sepse e dëgjonte “Homerin” e tij kur ishte gjallë, me veshët e tij, duke i kënduar bëmat e tij. Kur vinte momenti i shumëpritur por dhe paksa i vështirë, për të tretur ushqimin, Kavashbashi fuste te sarajet një tip të çuditshëm, të veshur keq, flokë paqethur dhe mjekër pa krehur për vite me radhë, të zbehtë, me sy të mëdhenj e të lodhur dhe pamjen e një njeriu fatkeq.
Bënte temenara të thella, puthte cepin e gunës së Aliut dhe duke i rënë pa ndonjë talent të veçantë lirës së tij që nxirrte tinguj të ngjirur, fillonte të këndonte me një zë hundor pjesë nga “Iliada e re”, e cila i kushtohej e tëra vezirit dhe titullohej “Alipashada”. Tekstin e kësaj vepre, të bërë pis, të stërpalosur dhe me shumë lloje shkrimesh – ishte analfabet dhe ia diktonte veprën njërit apo tjetrit -e mbante te silahu i vet sepse ndonjëherë i kërkonin dhe pjesë që nuk i mbante mend. Vepra ishte voluminoze dhe përmbante mbi njëzet mijë vargje. Ishte Haxhi Shereti ose Sherani, shqiptari mysliman nga Delvina, siç na e thotë vetë te prezantimi që na bën:
“Haxhi Shereti më quajnë, i varfër nga sevdaja.
Delvina është vendi im, dhe ky është emri im.”
Shereti, duke kultivuar talentin e tij – sepse kishte njëfarë talenti – ia doli që, nga një anëtar i personelit të ulët të Aliut, të bëhet poeti zyrtar i Oborrit. Ashtu siç na tregon vetë pa ndrojtje nëpërmjet veprës së tij, qëllimi i tij nuk kishte ndonjë lidhje me poezinë:
“Kështu fillova të shkruaja bëmat e vezirit,
Mbase bën ndonjë derman dhe për mua fakirin.”

E shkruar me këtë qëllim, vepra nuk mund të përmbante gjë tjetër veçse lajka të ulëta: frynte veprat e Aliut dhe kujdesej të anashkalonte çdo gjë që mund të dëmtonte famën e tij. Por Aliu përsëri nuk ishte i kënaqur. Shpesh e ndërpriste bardin e tij për t’i bërë vërejtje dhe për ta urdhëruar që të korrigjonte diçka që e konsideronte jo korrekte. Kështu gradualisht “Alipashada” u shndërrua në një biografi të vërtetë të Aliut. Sa për “dermanin” e varfërisë së tij, Haxhi Shereti ia arriti pas pak kohe: Aliu përveç trajtimit që i bënte, më së fundi e emëroi në një post të vogël të administratës në Shqipërinë e Mesme. Emërimin ia bëri pasi provoi besnikërinë dhe aftësinë e tij në një mision delikat: Pas shkatërrimit të Kardhiqit e dërgoi te serasqeri në Bitola, që t’i paraqiste kardhiqotët si kryengritës të rrezikshëm dhe zhvillimin e ngjarjeve ashtu si i interesonte Aliut.
Aliu, kur lodhej vetë ose shikonte që lodheshin të ftuarit e tij, ia ndërpriste menjëherë këngën himnizuesit të tij dhe e dërgonte për gjumë. Gustav Adolfi i katërt u detyrua të dëgjonte një pjesë të madhe të “Alipashadës”. Kollovoi që ishte ulur pranë tij, bënte përkthimin, domethënë i bënte një përmbledhje të shkurtër të historisë në vargje të Haxhi Sheretit. Mbreti suedez të nesërmen i dhuroi Aliut shpatën e Karlit të dymbëdhjetë – “për t’i prerë kokën poetit”, siç thoshte Psalidha me tallje. Por Gustavi zotëronte edhe diçka tjetër të cilës Aliu ia vuri syrin: një diamant të madh. E pyeti se sa e shiste dhe Gustav Adolfi u gjend në pozitë të vështirë. Më së fundi Aliu e kandisi që t’ia shiste për katërmbëdhjetë mijë florinj venecianë, domethënë treqind e njëzet e pesë mijë franga të asaj kohe. Pashai me këtë diamant stolisi “bel hanxharin” e tij, thikën që mbante gjithnjë në brez.
Por kontaktet e Aliut me artin nuk ishin vetëm poezitë e Haxhi Sheretit. Përveç këngëtarëve arapë që ia gjenin telat me “ilahitë” e tyre të ëmbla dhe patetike si dhe muzikantëve të tjerë që kishte qejf të dëgjonte, Aliut i pëlqente të ndiqte dhe punimet e piktorëve. Një varg mjeshtërish të penelit, kuptohet të nivelit të ulët, kalonin ose dhe qëndronin përherë në Oborrin e Aliut, për pikturat murale të sarajeve të tij që asnjëherë nuk pushoi së ndërtuari. Mes këtyre mjeshtërve, Aliut i ishte imponuar një italiane e zgjuar dhe e bukur: Maria Fortunato Pasano. Çdo ditë atë e shikonin duke hyrë në apartamentet e Aliut dhe nëse e gjente në orë të mira, vendoste këmbalecin përballë tij dhe punonte. Aliu i kishte besuar asaj portretin e tij. Më së fundi e mbaroi, mbi një copë të mëndafshtë dhe është portreti më i mirë dhe i vetëm që arriti të na transmetojë pamjen e tij të vërtetë. I shoqi i kësaj italianeje, Fortunato Pasano, ishte komandant i flotës së vogël që Aliu mbante në gjirin e Ambrakisë.
Pas fundit tragjik të vezirit, Pasano u bashkua me grekët që kishin filluar kryengritjen. Me dy anijet që ai komandonte, i ndihmoi shumë grekët në lëvizjet e tyre në këtë gji. Më së fundi disa luftanije të flotës turke e sulmuan, e zunë rob së bashku me anijet e tij dhe e çuan në burg në Artë. Do ta kishin vrarë, nëse nuk do ta shpëtonte zgjuarsia dhe bukuria e gruas së tij./bw/

Më Shumë

82 vjet nga vdekja e intelektualit të shquar shqiptar, Faik Konica

Sot përkujtohet 82 vjetori i vdekjes së Faik Konicës, shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, përkthyes, një nga personalitet më të shquara të kulturës, letërsisë,...

Përurohet pllaka përkujtimore për martirët e Krushës së Vogël

Në Krushë të Vogël u përurua sot një pllakë përkujtimore te Oda e Sejdi Batushës, kushtuar martirëve të vrarë gjatë masakrës së vitit 1999....

Lajmet e Fundit