22.9 C
Prizren
E premte, 1 Gusht, 2025

Dy kunata

Hajdar Mallaku
(Tregim satirik)

Kjo ngjarje nuk kish ndodhur në një kohë të largët sa të thoshim “na ishte një herë në kohë të babunës…”. I takonte brezit të afërt se na e treguan baballarët tanë. Në një lagje të qytetit me kurorë jetonin në një shtëpi dy kunata. Njëra ishte si dita e tjetra si nata. Po them si dita se më e madhja, edhe vinte nga një familje bujare, edhe ishte shtëpiake e përsosur, madje dhe emrin e kishte Bujare. Ndërsa e dyta ishte një teveqele e llojit të veçantë e që edhe emrin e kishte Teveqele. Thënë saktë ajo emrin e vërtetë e kishte Mjaftoni, por me kalimin e kohës emri i saj u fsheh në harrim.

Fillin e këtij emri përbuzës e kishte përdorur padashur i ati, i cili nga mllefi e qortoi, e porositi, iu lut që të kishte kujdes për çdo gjë se “nuk kam kohë, -i kishte thënë, një herë të të them e mirë e një herë tjetër e keqe; ta vë një emër që do ta bashë tërë jetën”. E ajo e praptë se e praptë. E thirri disa herë me emrin Teveqele dhe nuk e quajti më kush me emrin e vërtetë. Deshi a nuk e deshi këtë emër e barti si e bart zhguallin (rrashtën) mbi shpinë breshka e malit. Dhe babai i mençur, si thoshte Ali Asllani: “lum shtëpi e babës diti dhe e nxori, mjerë shtëpi e burrit ra në lak e mori”, e fejoi dhe martoi.

Vitet e para jetuan në një harmoni të brishtë deri sa Teveqelja nuk ia mbushi mendjen të shoqit që të ndaheshin.

“Ti u mbyte duke punuar, ti po e mban këtë shtëpi, nuk po ke kohë as të më përkushtohesh mua, më mirë po ndahemi se jetojmë më mirë”. Dhe ky refren i përsëritur e bëri efektin e vet . U ndanë dhe u vendosën në shtëpi të veçanta.

Çdo gjë u nda përgjysmë. Mungonin në shtëpi herë diçka e herë diçka tjetër. Teveqelja i pa mangësitë dhe filloi ta përdorë fytyrën tjëtër. Një ditë i tha të shoqit: “të paska mbajtur kunati se ti nuk na qenke i zoti për asgjë”. Ai i shkreti hesht e plas, çile gurë gojën.
Teveqelja në vazhdim filloi ta përdorë edhe një fytyrë tjetër. Filloi të hyjë më shpesh në shtëpinë e kunatës. Gjuhën e bëri të ëmbël. Fjalën “kunatë e dashur” nuk e lëshoi nga goja. Pinte kafe, hante ndonjë ëmbëlsirë dhe në fund e zbulonte shkakun e shkuarjes. Lypjen hua e bëri përditëshmëri. Herë lypte para, herë një filxhan kafe, herë një filxhan çaj, herë një bukë miell (miell sa për një bukë) dhe çdo gjë tjetër që e ka nevojë shtëpia. Madje një ditë lypi dhe gaca për ta ndezur zjarrin. Sa do që këto dukeshin cikërrime, e mbushën gotën e mosdurimit.

Tregun nuk e kishin larg për të blerë, por përtacia dhe lakmia për të huajën iu bë sëmuarje. Pasi u ndanë, u duk se po e luante bythën për të punuar, por jo se jo. Kurrë nuk e ktheu anjërën prej huazimeve. E huaja është hua që ose duhet kthyer, ose duhet falur sipas traditës.

Kështu kaluan ditë e javë dhe një ditë Bujarja i tha të shoqit: “kunata më është bërë tepër e mërzitshme, lyp hua dhe kurrë s’e kthen, vjen e zhvat çka mundet, madje një herë s’më tha mua eja për kafe. M’i sjellë në shtëpi të gjitha thashethëmet e lagjes. Po e marrim një qen se edhe ashtu ushqimet e tepërta po i qesim posht e më mirë ia qesim atij”.

I shoqi u pajtua. Pas pak ditësh e solli në shtëpi një kudër. Ishte tepër e sertë dhe duhej kujdes i shtuar deri sa u mësua me anëtarët e shtëpisë. E shoqja e pyeti:
– Si e ka emrin?
Përgjigja ishte pak e drojtur, por duhej zbuluar.
– Bythë, e kish emrin – tha i shoqi.
– Po emër i turpshëm – tha e shoqja.
– Nuk e thërrasim shpesh dhe vetëm me këtë emër reagon se kështu e kanë emruar familja ku e mora. Ndoshta dhe fëmijët mund t’ia kenë vënë si emër provokues.
-Mirë, mor burrë, si thua ti, ashtu qoftë.
Po fëmijët si fëmijë shumë me çejf e ndillnin me këtë emër dhe atë me zë sa emrin e saj e mësuan tërë lagjja.
Nuk e kish mësuar vetëm Tevja (e thirrnin shkurt dhe me përkëdheli dhe asaj i pëlqente kjo shkurtesë emri), apo ndoshta mendonte se Bytha ishte si qen i rrugëve që nuk turret. Shkoi te kunata. E çeli derën e oborrit pa bërë zë, as pa trokitur. E pa Bythën dhe nuk pati drojë; i bëri dy-tre hapa drejt shtëpisë kur kudra iu turr me ulërimë. U kthye prapa gati për ta mbyllur derën nga jasht, por Bytha e zuri. E kafshoi në mollaqe, ia shqeu fundin dhe e gërvishti edhe në trup, në lëkurë. Duke e mbuluar bythën me dorë, që të mos i dukej fundi i shqyer e pak dhe nga dhimbja, shkoi te shtëpia e vet.

Hyri në shtëpi me ulërimë. I tregoi të shoqit ç’i kish ndodhur e ai e qortoi butë që të mos e acarojë: “lum gruaja, në shtëpinë e huaj nuk hyhet pa trokitur, apo pa bërë zë. Del i zoti i shtëpisë, apo e zonja e shtëpisë, të pret dhe të përcjellë. Duhet pasur kujdes “çdo gjë u mbyll me një mrrolje pa shpërthyer belaja.

Kaluan ditë e javë, thuaj se u harrua çdo gjë, dhe Tevja shkoi prapë te kunata e madhe edhe për të ndejtur, për ta marrë në gojë tërë lagjen me thashethëmat e saj, që ta merrnin ditën dhe ta jepnin natën, dhe për të lypur, si e kish zanat, një gjilpërë. Këtë të fundit ajo e mori si shkas dhe asgjë të jashtëzakonshme, si nënvlerësim se ajo nuk merrej me gjëra të imëta. Takohej me shoqe dhe e lëvdonte vetën pasi nuk e lavdonte askush: “Marshallah më qoftë! Syri i keq mos më gjetët! Kam kryer punë sa dhjetë veta”.

Trokiti në derën e kunatës, e çeli derën sa e futi kokën brenda oborrit, e pa Bythën shtrirë që lehu, bëri zë dhe priti. Kunata qëlloi në balkon dhe ia ktheu me ëmbëlsi duke e dituar se ardhja e saj nuk do të ndodh:
-Hajde kunatë, hajde! Moti na ke humbur…moj.
– Po vi, po po më ha Bytha.
– Në të hëngërt Bytha, rri në shtëpinë tënde, pra.

Tefja e mbylli derën dhe u kthye duke tërrfatur si bën pela hamshuricë kur përdhoset në livadh. E ndjeu veten të përçmuar dhe u kthye në shtëpi. Ndërsa, kunata e madhe, Bujarja, e rehatuar tashmë, ofshani: “Më në fund e bajte bythën!”
Kaluan javë dhe rastësisht u takuan prapë. Ishte ditë tregu dhe të dyja kishin dalë për t’u furnizuar me gjëra ushqimore si çdo herë me bindjen se i merrnin më të freskëta dhe më lirë.

Tevja i foli e para thuajse në mes tyre nuk kish ndodhur asgjë:
-Po ku je moj kunatë, që nuk jemi parë qe një muaj?
-Qe besa, përditë me punë të shtëpisë, – tha Bujarja.
-Fajet i ka Bytha jote që na prishi në mes veti.
-Jo Bytha ime, po bytha jote. Ti je bythëshqyer. Sillesh nëpër lagje, lyp këtu, lyp atje dhe kurrë nuk i ktheve huatë. Kujtove ti se ne jemi budallaqe. Bujaria jonë ishte një mirësjellje për fqinjësi të mirë, por me kë?
-Mos të qofsha falë, -tha Tevja, në shtëpi i kam të gjitha të mirat.
-Mos grindeni në ditë tregu, moj, -foli një grua plakë që ndodhej aty pranë. – E dini se jeni gra dhe bërtisni jo bytha ime, jo bytha jote, a për bythë paskeni dalë, a për treg?
-Mirë po thua, moj hallë. S’di pse po zihen kur të dyja paskan bythë mjaftë – tha një kopuk shitës.
-A të foli dhe ty bytha, mor kopuk, -vazhdoi plaka. Kqyre familjen tënde, mos të kruhet bytha për bythë të huaja se ta humb bytha kryet një ditë.
Katër luftëtarë, që u zunë për bythë (Bythë), u shpërndanë në katër anë të horizantit për të përcjellur kumtin: “ruajuni, mos t’ju hajë bytha!”

Marketing

Kliko videonhttps://www.facebook.com/PrizrenPress/videos/1684680412412465

Më Shumë

Sunny Hill Festival nis sonte

Sonte nis festivali muzikor Sunny Hill Festival në Prishtinë, ku do të performojë ylli botëror me prejardhje kosovare, Dua Lipa. Kjo ngjarje kulturore mbledh adhuruesit...

Kampi Nacional i FBK-së përfundon në Prizren – Identifikohen talentet e së ardhmes

Pas gjashtë ditësh trajnimesh intensive dhe aktivitetesh të shumta, ka përfunduar me sukses Kampi Nacional 2025, i organizuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës...

Jeta me harrimin

Lajmet e Fundit