Kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Dragashit, Shaban Shabani, ka falënderuar qytetarët dhe mbështetësit e këtij subjekti politik, që ushtruan të drejtën e votës gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve të djeshme.
Ai ka uruar kryetarin Bexhet Xheladini për fitoren, duke shprehur dëshirën që “premtimet e dhëna të kthehen në vepra dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve të kësaj komune, pa dallime”.
“Të nderuar qytetarë, falënderimi ynë më i sinqertë shkon për secilin që ushtroi të drejtën e votës, sepse çdo votë është një zë i demokracisë, një hap përpara drejt ndërtimit të së ardhmes që të gjithë e duam. Një mirënjohje e veçantë u takon të gjithë aktivistëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike të Kosovës, që dhanë maksimumin e tyre me përkushtim dhe angazhim të sinqertë. Edhe pse bashkërisht punuam shumë, rezultati nuk ishte ai që e prisnim. Shumica e qytetarëve vendosi ndryshe nga pritjet tona. Prandaj, në cilësinë e kandidatit për kryetar në këto zgjedhje, e pranoj rezultatin e këtij procesi demokratik, sepse për mua, mbi çdo rezultat qëndron vullneti i qytetarëve dhe respekti për demokracinë dhe zgjedhjet e lira. Në këtë frymë, uroj kryetarin e ri të zgjedhur, z. Bexhet Xheladini, me dëshirën që premtimet e dhëna të kthehen në vepra dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë, pa dallime. Angazhimet tona të përbashkëta do të vazhdojnë. Le ta shohim këtë moment si një mundësi për të reflektuar edhe më shumë dhe për të ndërtuar një vizion të ri e më të fuqishëm për të ardhmen. Krejt në fund, edhe një herë, ju faleminderit nga zemra për çdo votë, për çdo përpjekje dhe për çdo besim që na dhatë” – ka shkruar Shabani.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
