Në Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren u mbajt të enjten një akademi përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e mjekut specialist internist-kardiolog Dr. Bujar Demiri, i cili ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare.
Akademia u organizua nën kujdesin e Drejtorit Ekzekutiv të spitalit, Osman Hajdari, i cili vlerësoi kontributin e tij shumëvjeçar në shërbim të pacientëve dhe institucionit shëndetësor.
“Dr. Bujar Demiri ishte pjesë e një brezi mjekësh që profesionin e mjekut e konsideronin mbi të gjitha si mision dhe përgjegjësi ndaj njeriut. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dhjetë vite nga pensionimi i tij, gjurmët e punës dhe kontributit të tij mbeten pjesë e historisë së këtij institucioni. Me përkushtimin, profesionalizmin dhe humanizmin e tij, ai ka lënë pas një shembull të mirë për kolegët dhe për gjeneratat e reja të mjekëve”, tha Hajdari, raporton PrizrenPress.
Për jetën dhe veprimtarinë profesionale të tij foli edhe Dr. Shemsedin Shabollari, shef i repartit të internos, ku kishte punuar Dr. Demiri.
“Dr. Bujar Demiri ka lindur në Prizren në vitin 1951, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Fakultetin e Mjekësisë dhe specializimin në mjekësi interne i kreu në Beograd, ndërsa subspecializimin në kardiologji e kreu në Zagreb. Në spital ka punuar deri në vitin 2002. Gjatë punës 35-vjeçare, Dr. Bujari nuk ishte vetëm mjek që trajtonte sëmundjet, por edhe një njeri që u jepte shpresë pacientëve”, tha ai.
Sipas tij, Dr. Demiri do të kujtohet për profesionalizmin dhe humanizmin e tij.
“Humanizmi, përkushtimi, modestia dhe ndershmëria profesionale janë vlera që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës. Nga kolegët do të kujtohet si njeri i urtë dhe i matur, si udhëheqës që dinte të menaxhonte repartin e internos dhe si shembull për brezat e rinj për profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj profesionit”, theksoi Shabollari.
Edhe drejtori mjekësor i spitalit, Dr. Shefki Xharra, e vlerësoi figurën e tij.
“Dr. Bujari e jetoi profesionin e tij si një mision. Në çdo orë të ditës, në çdo situatë, ai ishte aty ku duhej – pranë pacientit. Për dekada me radhë, Dr. Bujari u shërbeu qytetarëve me përgjegjësi dhe integritet”, u shpreh Xharra.
Në emër të familjes falënderoi Dr. Enis Demiri, i cili ka ndjekur gjurmët profesionale të të atit në fushën e kardiologjisë.
Dr. Bujar Demiri ndërroi jetë më 15 mars 2026 dhe u varros në Prizren, duke lënë pas një kontribut të çmuar në shërbim të pacientëve dhe sistemit shëndetësor./PrizrenPress.com/
Marketing
Shiten banesa moderne në lagjen “Tranzit i Ri” të Prizrenit – mundësi pagese me këste
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
https://prizrenpress.com/hapesira-me-qira-ne-objektet-e-reja-te-renelual-tahiri-ne-prizren/
