Me vendim të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, është formuar Shtabi për menaxhimin e situatës me Ethet Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK), me qëllim përballimin sa më efikas të rrezikut që paraqet kjo sëmundje, duke qenë se territori i komunës vazhdon të konsiderohet zonë endemike.
Kastrati ka mbajtur një takim me anëtarët e shtabit, ku ka kërkuar angazhim maksimal dhe mobilizim të plotë të të gjitha institucioneve përgjegjëse. Në krye të shtabit është emëruar drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Amrush Helshani, i cili së bashku me anëtarët ka raportuar për masat aktuale dhe planet në vijim për parandalimin dhe luftimin e EHKK-së.
Gjatë takimit, Kastrati theksoi rëndësinë e zbatimit të përgjegjësive institucionale në përputhje me Strategjinë Nacionale për Parandalimin dhe Luftimin e EHKK-së, duke kërkuar monitorim të vazhdueshëm të situatës në terren, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Sipas raportimeve të shtabit, gjendja aktuale vlerësohet stabile dhe nuk është konfirmuar asnjë rast i infektimit. Aktualisht në terren po zhvillohet faza e dytë e repelimit të kafshëve, ndërsa gjatë ditëve në vijim pritet të nisin edhe fushatat informuese për qytetarët nga profesionistët shëndetësorë të QKMF-së. Po ashtu, javën e ardhshme është planifikuar të fillojë procesi i dezinsektimit në zonat endemike./PrizrenPress.com/
Marketing
