0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Hekuran Zhiti, shkrimtari pas burgut, hamall në portin e Durrësit

80818Hekuran Zhiti, ka qenë shkrimtar që nuk mundi dot të botonte në komunizëm. Për këtë arsye, në ditët tona ai njihet si babai i shkrimtarit Visar Zhiti. Familje të përndjekurish, para ’90-ës, ata jetuan si mundën, derisa me ardhjen e demokracisë, iu rikthyen si mundën artit e letërsisë. Zhiti, i vjetri, në vitet 1944-1945 pat shkruar një pjesë shumë interesante, “Nusja në thes”, që godiste sa mundte një prefekt që, në vend që të zgjidhte hallet e popullit, përfitonte nga detyra për të zgjidhur të vetat. 60 vite pas kohës kur u shkrua, komedia do të prekë Teatrin e Metropolit në datat 21,22 dhe 23 shkurt. Me këtë rast, Visar Zhiti (ish minister Kulture) na tregon si u shkrua vepra, si mbijetoi dhe punët e mundimshme të të atit pasi doli nga burgu.

Kur është shkruar kjo pjesë? Ajo është shkruar rreth viteve 1944-1945, në Berat. Atë kohë u vu në skenë atje nga amatorë të teatrit, madje dhe vetë im atë si autor I saj, ka pasur një rol në këtë vënie në skenë dhe qe pëlqyer shumë nga publiku. Madje t’ju rrëfej një detaj interesant: skenograf i kësaj shfaqjeje atëherë ka qenë një italian që kishte mbetur në Shqipëri si rob lufte. Ai pat punuar në Berat disa kohë derisa iu dha mundësia të kthehej në Itali.

Ju, si e keni ruajtur deri në ditët tona këtë komedi?
Unë e kam ruajtur atë si dorëshkrim. Ka qenë në copa letrash me shkrim dore dhe në disa të tjera me një makinë shkrimi. Babai juaj ka qenë I dënuar politik.

Si i shpëtoi kjo vepër bastisjes gjatë arrestimit?
Kanë ardhur dhe kanë bërë kontroll në shtëpi kur u arrestua im atë dhe sigurisht që shtëpia u bastis. Madje, kanë ardhur me një karrocë të madhe me kalë për të marrë gjithë ç’kishte im atë, në kuptimin e librave. Atë kohë morën librat të tijët në gjuhë të ndryshme, shumë prej tyre qenë frëngjisht, si edhe përkthimet e Fan Nolit që babai i ruante më shumë kujdes.

Ju thoni pse shpëtoi kjo komedi?
Sepse qe në copa letrash, nuk I ngjante një dorëshkrimi, as një pjese të shkruar prej tij. Qenë fletëfletë dhe iu janë dukur të parëndësishme. Shumë gjëra të babait patën mbetur në shtëpinë në Tomorricë. Por, disa plaçka, letra e libra që mbeten prej tij i morëm dhe i ruajtëm, si unë, edhe nëna.

U vu në skenë pas arrestimit të tij?

Jo. Por, atë natë që ai u arrestua, shfaqja qe në skenë dhe kur mbaroi, publiku duartrokiste dhe kërkonte në skenë autorin. Ndërkaq, ata nuk e dinin se Hekuran Zhiti po arrestohej 300 metra më tutje, pra e kanë arrestuar 300 metra larg teatrit.

Ju, kur i lexuat dorëshkrimet e tij?
Unë e dija që ai kishte dorëshkrime. Në bisedat që bënim për artin im atë më shprehte keqardhje që nuk e botonte dot këtë pjesë. E krahasonte këtë dhe komeditë e tjera të tij, me “Prefektin” apo me “Karnavalet e Korçës”. Ai, kishte të dhëna si aktor. Pirro Mani thoshte ‘ju jap 5 aktorë, më jepni Hekuran Zhitin’, ndërsa Nonda Bulka e quante Gjergj Fishtën e Jugut.

Pse u arrestua babai juaj, Hekuran Zhiti?
Babai ka mbaruar Normalen e Elbasanit dhe kishte qenë nacionalist, nxënësi Karl Gurakuqit e Karl Ljarjës. Edhe pse e dëshironte Shqipërinë të lirë, si gjithë të tjerët, siç e donin edhe partizanët, pas luftës u arrestua dhe iu ndalua botimi i librave. Në burg ka kaluar tortura pa fund, të cilat na I ka rrëfyer vajza e Princit të Mirditës, Gjon Marka Gjoni. Në burg pati zënë miqësi edhe me Vexhi Buharanë, edhe me Mustafa Greblleshin. Pjesa flet për një prefekt që abuzon me detyrën.

Për kë e kishte shkruar babai pjesën?
Babai ka qenë kundër pushteteve abuzuese dhe ka qenë një njeri rebel. Ka qenë disident edhe në kohën e Mbretërisë, madje ka qenë
edhe i arrestuar prej tyre. E veçanta e veprave të tij është se komeditë e tim eti kanë qenë komedi tragjike. Është përplasur me realitete me të cilat qeshet e qahet.
Ai i ka shëtitur pjesët teatrale në rrethe. Si i mbante mend pritjet e artdashësve?
Po, i ka çuar në qytete të ndryshme, pasi në atë kohë trupat teatrale lëviznin, shëtisnin, për të përçuar artin dhe madje thoshin se për ta dashur më shumë Shqipërinë duhej ta njihje atë. Në një nga këto shëtitje, im atë ka takuar edhe Gjergj Fishtën në Shkodër.

Për cilin vit bëhet fjalë?
Duhet të ketë qenë viti 1932-1933. E kanë vizituar Fishtën në qelën e tij në Shkodër në vazhdën e shëtitjeve të Normalistëve. Dhe ai iu ka thënë: “Përpara djema. Shkollat janë oaze në shkretëtirë”.

Po kur doli nga burgu, ç’bëri babai juaj?
Nuk shkoi në Berat, pasi kishte frikë se do binte pre e provokimeve. Ai ka punuar si punëtor krahu në Durrës, ku në kuadër të punës që I lanë të bënte ka shtruar edhe rrugën e kalldrëmtë që të çon në Amfiteatrin e Durrësit. Një farë kohe pat punuar edhe hamall në portin e Durrësit, po pastaj e hoqën, se thanë, ‘është pikë kufitare, s’mund të lëmë të punojë aty një ish-të burgosur që mund të na arratiset’. Kur rektori i Universitetit të Tiranës, Kahreman Ylli e pyeti: ‘Ç’bën o Hekuran, pse shtron rrugë?’, ai I pat thënë: ‘Këtë e di partia’. Më në fund, rektori e pat ndihmuar të rifutej në arsim, duke bërë që ai të jepte mësim në Lushnjë.

Më Shumë

Kurti: Po punohet për ngritjen e standardit të jetesës për romët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, deputeti Ergjan Galushi, morën pjesë në aktivitetet kulturore kushtuar gjuhës dhe kulturës Rome. Kryeministri...

Vjehrri në Rahovec dyshohet se ushtron dhunë psiqike ndaj nuses

Policia e Kosovës ka nisur hetimet ndaj një burri në Rahovec për të cilin dyshohet se ushtron dhunë psiqike ndaj nuses së tij. Në raportin...

Lajmet e Fundit