2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

ASHAK: Largimi i Titos dhe Hasanit, është e kundërligjshme

ASHAK-objektiKryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve e Kosovës (ASHAK) i ndoqi me vëmendje prononcimet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) lidhur me debatin midis dy anëtarëve të ASHAK-ut, Rexhep Qosjes dhe Hivzi Islamit.

“Në të dy prononcimet udhëheqja e ASHSH-së pa asnjë shkas u implikua drejtpërsëdrejti në këtë debat midis individësh, duke marrë anën e atij që pa të drejtë dhe në vazhdimësi e denoncon Akademinë tonë. Pikënisja e debatit qëndronte tek kritikat ndaj ASHAK-ut që i paska pranuar J. B. Titon dhe S. Hasanin anëtarë dhe nuk i paska hequr deri sot nga lista e anëtarësisë.

Shërbimi profesional i Akademisë, në bazë të procesverbaleve të kohës, i dha shpjegimet përkatëse për opinion, duke saktësuar se heqja nga lista e kujtdo që është pranuar njëherë në Akademi është e kundërligjshme dhe në kundërshtim me të gjitha parimet e akademive të botës. Në kohën kur janë pranuar gjithashtu Tito dhe Hasani anëtarë të ASHAK-ut, R. Qosja ka qenë anëtar funksional i Akademisë dhe i të gjitha forumeve të saj.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është institucion me 36 anëtarë aktivë dhe një plotësisht pasiv (R. Qosja), i cili nuk merr pjesë në asnjë aktivitet dhe nuk vjen në institucion tash e shumë vjet. ASHAK i ka organet e veta të ligjshme: Kuvendin, Kryesinë, Seksionet dhe trupat e tjerë, përmes të cilave zhvillon veprimtarinë e saj. Në këto suaza, secili anëtar ka mundësi të shprehë të gjitha shqetësimet e tij dhe të kërkojë mbështetje për propozimet dhe idetë konkrete. Mbi këto nivele dhe themele Akademia si institucion e zhvillon edhe bashkëpunimin me institucionet e tjera, brenda Republikës së Kosovës dhe jashtë saj, përfshirë edhe bashkëpunimin me ASHSH-në mbi bazë të Marrëveshjes së bashkëpunimit dhe protokolleve për zbatimin e saj, që nënshkruhen çdo dy vjet.

Ndërhyrja dhe rreshtimi i njëanshëm i udhëheqjes se ASHSH-së, mbi bazë të preferencave ideologjike, siç është bashkimi me një grup personash jashtë Akademisë, le të kuptohet se ASHSH-ja në raportet e saj me ASHAK-un, dëshiron të niset nga marrëdhëniet e saj me individë që ajo apo kreu i saj parapëlqen dhe jo nga raportet me institucionin, me të cilin ka marrëveshje bashkëpunimi. Seleksionimi i tillë i njëanshëm dhe ndërhyrja paternaliste mund të ketë implikime serioze në bashkëpunimin midis dy institucioneve.
Pavarësisht nga rrethanat, në këtë bashkëpunim ASHAK-u asnjëherë nuk është nisur nga parime të tilla, por ka bërë çmos që çdo gjë në marrëdhëniet midis dy institucioneve të rrjedhë në rrafsh institucional, pa ndërhyrë asnjëherë dhe për asnjë gjë në raportet dhe çështjet brenda ASHSH-së. Kjo ishte dhe baza e shëndoshë që ka siguruar bashkëpunimin afatgjatë dhe e ka bërë të mundshëm realizimin e një varg aktivitetesh të përbashkëta, gjë që për ASHAK-un gjithnjë ka qenë prioritet absolut.

Gjatë bashkëpunimit shumëvjeçar, ASHAK është përpjekur që me çdo kusht t’i realizonte të gjitha pikat e Protokollit, ndërsa nga ana e ASHSH-së në vitet e fundit ka pasur mjaft ngecje, me arsyetim se Akademia është në proces të reformimit, nuk i ka më institutet dhe qendrat studimore brenda saj etj., që nuk dukeshin krejtësisht të qëndrueshme.

Kryesia e ASHAK-ut thekson edhe njëherë se dëshiron fuqishëm që bashkëpunimin ta çojë përpara dhe ta ngrejë në shkallë edhe më të lartë, gjithnjë në kuadër të marrëveshjeve institucionale për bashkëpunim reciprok.

Raportet e individëve të ASHSH-së me individë a grupe joformale, kudo që të jenë, janë çështje të tyre, por në raportet me ASHAK-un është e nevojshme të evitohen sjelljet emocionale, mësimet ideologjike etj. ndaj Akademisë sonë dhe udhëheqjes së saj, mbi bazë të superioritetit të rremë dhe përgjithësisht të sjelljeve paternaliste, të cilat e rrezikojnë seriozisht raportin e bashkëpunimit, për çka ASHAK-u nuk mund të mbajë përgjegjësi”, thuhet në letër, e cila është nënshkruar nga nënkryetari Akademik Pajazit Nushi. /rtk/

Më Shumë

Ylli shkëlqen ndaj Tiranës

Golden Eagle Ylli fitoi përballjen ndaj Tiranës me rezultat 87:59 (32:12, 16:22, 26:14, 13:11), në javën e parë të Ligës Unike. Te vendasit u dalluan...

Vetëvendosje bashkoi bashkatdhetarët në një takim në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren organizoi një takim me bashkatdhetarët nga diaspora. Qindra pjesëmarrës u mblodhën për të diskutuar rreth zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. “Nga përfaqësues...

Lajmet e Fundit