2.2 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Virginia Woolf, Pasioni i mendjes

Virginia Woolf“Ai donte diçka, donte atë që ajo gjithnjë kishte pasur vështirë t’ia jepte. Donte t’i thoshte se ajo e dashuronte.” Letërsia që shkroi Virginia Woolf nuk ndryshon shumë nga jeta që ajo jetoi. Mendimi filozofik e i ndjeshëm që përshkonte trupin e kësaj anglezeje, që iluminoi Britaninë e shekullit XX, e bënte atë të ishte ndryshe. Ashtu e veshur me fustanet e saj të thjeshta, të mbërthyera deri nën qafën e hollë, ecte çdo mbrëmje rrugëve të Londrës. Ashtu si zonja Dolloway, një prej personazheve më të njohura të letërsisë së saj, Virginia Wolf besonte te dashuria.

Dhe kur kjo forcë që e lidhte më shumë me të shkruarin kishte ikur prej saj, ajo u ngjasonte gërmadhave të një qyteti, që nuk do të ringrihet. Ditarët që ajo ka lënë pas, tregojnë se gruaja gati e trishtuar në kujtesën e bashkëkohësve të saj, kishte bërë një jetë si në librat që shkroi. Asgjë nuk e kishte penguar të ndiqte rrugën drejt shtigjeve të fshehura të zemrës. Klarisa Dalloway, gruaja që u end gjatë rrugëve të Londrës, duke u endur kujtimeve të rinisë së hershme dhe dyzimit në duhet të takonte të dashurin e saj të parë tani që ishte në qytet, është vetë Woolf. Vetëm mendimi se ai ishte në qytet, e kishte bërë të mos ndihej e qetë; takimi me të do të ishte një ringjallje e asaj që kishte kaluar. Iu desh kaq kohë ta harronte, dhe ja ai është sërish aty. Duket sikur ca fije të padukshme lidhin nga larg shpirtrat që ndajnë të njëjtën ëndërr.Ai ishte aty si për t’i kujtuar se ishte koha për të shkruar.

“Nëse duhet të jem e lumtur, është e nevojshme që çdo ditë të merrem me nga pak letërsi”, i thoshte ajo dikur. Woolf lindi në Londër, më 25 janar 1882, nga prindër me përvoja të tjera martesore. Julia Prinsep, e ëma, një grua mjaft e bukur dhe e kultivuar, vejushë kishte pasur tre fëmijë George, Gerald e Stella, në martesën e dytë lindi vajzat Virginia dhe Vanessa (me të cilën raporti i Virginia-s ishte mjaft i ngushtë) dhe djemtë Thoby e Adrian. Kurse Leslie Stephen, i ati, historiograf dhe kritik, i ve edhe ai, gjatë martesës së parë kishte pasur një vajzë me të meta mendore, Laura.

Virginia u edukua në shtëpi nga prindërit, sipas traditave viktoriane. Dhembjet e para të jetës së saj, qenë vdekja e së ëmës kur ishte vetëm 13 vjeçe dhe menjëherë më pas e së motrës, Stella, që i shkaktuan kriza të mëdha pasigurie. Gjatë periudhës së zisë, i ati nuk arriti të ishte aspak një mbështetje e mirë, as për Virginia-n e as për fëmijët apo thjeshtrit e vet, dhe ajo, e vetme, e pambrojtur, nisi të vuante nga indiferenca e botës mashkullore. Edhe pas vdekjes së të atit, depresioni i saj u thellua, duke u ndier në faj se pse nuk ia kishte shprehur plotësisht dhembshurinë e saj. Virginia arriti që gjithsesi të jetonte një jetë normale, të ishte aktive dhe e impenjuar me të shkruarin apo udhëtimet. Në vitin 1904 tentoi për të parën herë të vriste veten; ngushëllimi më i madh ishte miqësia me Violet Dickinson-in, që e mirëpriti në shtëpinë e saj, e kuroi dhe pastaj e prezantoi në “Guardian”, të përjavshmen londineze.

Në vjeshtën e këtij viti, së bashku me të motrën Vanessa dhe vëllezërit Thoby dhe Adrian, Virginia u shpërngul në Gordon Square, në lagjen angleze të Bloomsbury-t, ku mori jetë grupi “Bloomsbury”, një rreth intelektual shkrimtarësh dhe artistësh, që për një tridhjetëvjeçar i dha zë skenës kulturore angleze, duke u mbledhur çdo javë në shtëpinë e botuesit Leonard Woolf për të diskutuar për artin, letërsinë dhe politikën. E lirë më në fund nga prania e të vëllezërve, si ajo ashtu edhe Vanessa, u stimuluan nga ambienti i ri ku ishte futur, me një entuziazëm të rigjetur. Ajo nisi të botonte në suplementin letrar të “Times” të parat kritika letrare. Më 10 gusht të vitit 1912 u martua me Leonard Woolf-in, por shumë shpejt filloi të jepte shenjat e para të një çekuilibrimi mendor dhe tentoi për të dytën herë vetëvrasjen me helm. E mori veten edhe në sajë të të shoqit, që për ta bërë të rifitonte besimin dhe ekuilibrin, i propozoi të themelonin një shtëpi botuese. Kështu lindi “Hogarth Press”, që botoi vepra shkrimtarësh të talentuar, mes të cilëve edhe Mansfield dhe Eliot.

Në vitin 1922, kushtet e saj të brishta mendore pësuan një goditje tjetër, kësaj radhe nga kritikët, mes të cilëve edhe vetë Mansfield-i, të cilët bënë copash romanin e saj “Night and Day” (Natë dhe ditë). Asaj kohe i takon edhe miqësia e saj me Vita Sackville-West-in, shkrimtare dhe poeteshë, nënë e dy fëmijëve me tendenca lesbike të pafshehura (por edhe Woolf-i në rininë e saj kishte qenë e tërhequr nga gratë), me të cilën Virginia nisi një marrëdhënie që nuk e dëmtoi marrëdhënien me Leonardin e që u bë burim frymëzimi. Ishte ajo që e krijoi personazhin Orlandon në romanin me të njëjtin emër.

Me kalimin e viteve, edhe pse e vijoi aktivitetin letrar, krizat depresive u bënë gjithnjë e më të shpeshta, duke u përkeqësuar për shkak të fobive që lindnin nga Lufta e Dytë Botërore (Virginia ishte edhe pacifiste e bindur), derisa më 28 mars të vitit 1941, pasi i shkroi një letër lamtumire të shoqit, mbushi xhepat e xhaketës me gurë dhe humbi në lumë. “E ndiej se po çmendem përsëri. Kësaj radhe nuk do të shërohem. Po filloj të dëgjoj zëra. Nuk arrij të përqendrohem. Prandaj po bëj atë që duket gjëja më e mirë për t’u bërë. Ti më ke dhënë më të madhen lumturi që mund të jepet. Nuk besoj se dy persona do të mund të kishin qenë më të lumtur përpara se të arrinte kjo sëmundje e tmerrshme.

Nuk mund të luftoj më… Ajo që dua të them është se gjithë lumturinë e jetës sime e kam prej teje. Ke qenë plotësisht i urtë me mua dhe pabesueshmërisht i mirë. Nëse ndokush do të kishte mundësi të më shpëtonte, do të ishe ti…”. Ishte 63 vjeçe. Ndarja e saj nga jeta nuk ishte e lehtë për burrin që i kishte kushtuar gjithë jetën kësaj gruaje të pazakontë, që e kishte dashur që ditën e parë kur e pa të hynte në takimet letrare në apartamentin e tij, me një fletore të vogël në dorë. Vite më vonë, mes koleksionit të letrave të tij, u gjet kjo letër…

“E di që Virginia nuk do të vijë nga studioja e saj përmes kopshtit, e megjithatë shoh në atë drejtim duke e kërkuar. E di që është e mbytur e megjithatë pres ta dëgjoj të hyjë. E di që libri ka mbaruar, megjithatë e kthej faqen.” Virginia Woolf vazhdon të mbetet edhe sot si një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë.

Libri i saj “Një dhomë më vete”, hyn në ato traktate që sollën ndryshime në emancipimin e gruas, dhe rolin e saj në shoqëri. “Që një grua të shkruajë letërsi, duhet të ketë para dhe një dhomë më vete”, shkruan Woolf.

Më Shumë

Dominimi i Ballkanit: Klubi, futbollisti dhe trajneri më i mirë për vitin 2024

FC Ballkani ka vulosur edhe një herë statusin e tij si fuqia kryesore në futbollin kosovar, duke fituar tre çmime madhore për vitin 2024....

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi shqyrton sfidat në aspektin e sigurisë në Prizren

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), i kryesuar nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të mërkurën, ka mbajtur mbledhjen e radhës. Në...

Lajmet e Fundit