8.6 C
Prizren
E shtunë, 17 Maj, 2025

Fotot e Marubëve frymëzojnë fotografët e Kosovës

1646Fotografitë e fototekës “Marubi”, nga Shkodra që janë të vendosura afro një muaj në muret e dy kateve të Galerisë Kombëtare të Kosovës në kuadër të ekspozitës “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi”, ka mrekulluar edhe disa nga fotografë e njohur të Kosovës.
Ata e kanë cilësuar atë si thesar që nuk mund të shpaguhet me asgjë në botë. Madje këta fotografë në veçanti kanë thënë për Kel Marubin se ai do të jetë për një kohë të gjatë gjeniu i pazëvendësueshëm i fotografisë jo vetëm në trojet shqipfolëse, por edhe më gjerë.

Shala: Studioja e Marubëve ndër më eminentet në Evropë
Njëri ndër fotografët e njohur në vend, Naim Shala, ka deklaruar për “KultPlus” se paraqitja në këtë ekspozitë e gjithë këtyre portreteve dhe peizazheve në këtë mënyrë të fotografuar, tregon se studioja e Marubëve ka qenë ndër më eminentet në Evropë, ku në të janë pozuar shumë diplomatë ndërkombëtar dhe personalitete të rëndësishme politike të asaj periudhe.
“Fati ynë kombëtar është se të gjithë ‘negativët’ e fototekës “Marubi” nga Shkodra janë ruajtur dhe neve na është krijuar një mundësi shumë e mirë që t’i shohim një pjesë të këtij thesari që përmban vlera të padiskutueshme. Marubët nuk janë të shquar vetëm me fotografi portrete, por ata me thjeshtësinë e tyre aq mrekullisht kanë ditur t’i nxjerrin këndet e peizazheve dhe prapavijat e personazheve të cilët janë të shfaqur në këto fotografi sa që me punën e tyre lënë të habitur shumë fotografë me përvojë”, ka theksuar Shala, duke shtuar më tutje se njëra ndër fotografitë të cilët i ka lënë më së shumti përshtypje ka qenë fotoja e titulluar “Simon (nga Guri i Zi)” e shkrepur në vitin 1925 nga dora e “artë” e Kel Marubit.
“Marubët, nuk kanë fotografuar vetëm figura eminente të asaj kohe apo familjet aristokrate, po kanë bërë një përjashtim të jashtëzakonshëm e që është një vlerë tejet e madhe kombëtare, ku në studio kanë futur për t’i pozuar edhe fshatarët në mënyrë që të dal sa më interesant një fotografi e tyre. Mua më ka lënë shumë përshtypje kjo fotografi e realizuar nga Kel Marubi, ku me të mund të konkurrohet edhe në këtë kohë, në ndonjë konkurs për portretin më të mirë në botë. Krejt këtë fotografi çka e bënë të jetë e zakonshme është shikimi i këtij plaku dhe qëndrimi i tij dinjitoz që ndihet tejet krenar në varfërinë e vet”, ka thënë fotografi Shala, i cili ka treguar më pas edhe disa detaje për aparatet e Marubëve që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare ku nëpërmjet objektivit të tyre janë fotografuar për të qenë të “përjetshëm” heronjtë si: Azem e Shotë Galica, Isa Boletini, Bajram Curri, pastaj :shkrimtarët At Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi e disa të tjerë.
“Atëbotë, aparati nuk ka qenë i përmasave të vogla për të pasur mundësi si sot ta fusësh në xhep, mirëpo një aparat fotografik i Marubëve ka peshuar 60 kg që së bashku me të e ka bartur ku ka shkuar për të fotografuar edhe karrocën e cila ka qenë e modifikuar në laborator. Negativët e atij aparati janë punuar aty për aty duke u zhvilluar në terren”, ka thënë ai duke shtuar se kjo ekspozitë për fotografët aktual vendor si dhe gjeneratat e ardhshme të cilët mendojnë të jetojnë nga ky profesion, duhet të jenë pikë frymëzimi se si realizohet një fotografi që mahnitë çdo kënd ashtu siç kanë vepruar të gjithë ata fotograf të fototekës “Marubi”.
Nëpërmjet fotografive të shfaqura në ekspozitën “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi” mijëra vizitorë kanë pasur mundësi të shohin se si janë dukur qindra vjet më parë: tregu, kalaja, bujtinat dhe qendra e qytetit të Shkodrës dhe në përgjithësi si është zhvilluar jeta e qytetarëve të rrethinës së këtij qytetit i cili është i cilësuar si “djepi i qytetarisë shqiptare”.
Slivova: Marubët, diplomatë të artit shqiptarë
Fotografi, Ridvan Slivova, ka theksuar se kompozicioni i fotografive të familjes Marubi është tejet përshtypjelënëse, për arsye se në të ka hyrje-dalje që iu jep mundësi vizitorëve ta lexojnë dhe përjetojnë mendimin e fotografëve të kësaj fototekë të çmuar historike.
“Te Marubët dhe fotografët tjerë të fototekës së studios së tyre, dominon ndriçimi natyral dhe rregullimi i skenës ku janë të vendosur ata të cilët janë të fotografuar.
Marubët për mua janë diplomatët e artit shqiptar, për arsye se gjithë ata diplomatë të vendeve të ndryshme të botës, kur kanë vizituar qytetet e Shqipërisë, nuk e kanë lënë pa e shfrytëzuar rastin për të marrë rrugë edhe për në Shkodër me qëllim që të fotografohen në studion e tyre.
Ata përmes realizimit të fotove nga Keli dhe Gega, kanë dërguar mesazh te qytetarët e vende të tyre”, ka thënë Slivova që ka treguar se fotoja “Burrë e grua nga Italia”, e realizuar në vitin 1920 nga Kel Marubi, i ka pëlqyer më së shumti në këtë ekspozitë që ka mbledhur mijëra vizitorë.
“Në këtë fotografi ka shumë shprehje figurative. Keli Marubi, studion e vet në disa raste e ka shndërruar në një skenë teatrore si në rastin e çiftit italian, ku vërehet burri me një pushkë të gjatë që simbolizon mbrojtjen e atdheut dhe pragun e shtëpisë dhe nga ana tjetër shihet përkrahë tij edhe gruaja e vet e pozicionuar në këmbë që e ka të vendosur dorën në bel ku tregon krenarinë e femrës shqiptare”, ka pohuar Slivova.
Prenaj: Fotot e Marubëve përcjellin civilizim si në ditët e sotme
Petrit Prenaj, fotograf në të përditshmen “Tribuna” ka thënë se për të është e përkryer ekspozita me fotografitë e Marubëve, pasi që nëpërmjet fotove ata kanë arritur të bëjnë dokumentimin real të gjendjes të asaj periudhe në Shqipëri duke i prekur të gjithë kategoritë e njerëzve.
“Në këto foto shihen veshjet, fshatarët, doktori, fabrikat, ceremonitë fetare, mënyrat e jetesës e shumë të tjera. Meritat për këtë ekspozitë ku dominon portreti më shumë, shkojnë edhe për kuratorët e saj të cilët nuk e kanë pasur të lehtë përzgjedhjen e ekspozimit të fotografive nga një fototekë tejet e pasur siç është ajo e familjes Marubi”, ka thënë Prenaj, ku ka shpjeguar më pas se përse i ka pëlqyer më së shumti fotografia e realizuar nga Gegë Marubi në vitin 1933 e titulluar “Grueja e Ismet Totos”.
Kjo fotografi më ka lënë përshtypje për një arsye, sepse, është e realizuar në pozicionin portret sikurse të ishte në kohët e sotshme. Këtu në këtë foto e shkrepur në vitin 1933, është një femër e cila pasqyron civilizimin dhe modernitetin e popullit tonë. Në çdo kohë, si në antikë, mesjetë e gjer më sot në këtë periudhë kohore, femra gjithnjë ka qenë e respektuar në traditat e kombit tonë shqiptar”, deklaroi Prenaj.
Qytetarët e Kosovës kanë pasur mundësinë t’i shikojnë për herë të parë për një muaj rresht më shumë se 250 fotografi nga thesari i arkivit të fototekës “Marubi”. Me hapjen e ekspozitës “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi”, ka filluar edhe implementimi i kalendarit të përbashkët kulturor mbarëkombëtar Kosovë-Shqipëri, një akt ky i rëndësishëm që është nënshkruar muajin e kaluar nga dy ministritë e Kulturës, të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Më Shumë

Paraburgim për të dyshuarit që i shitën armën 24-vjeçarit që u vetëvra në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dy të dyshuarve S.J., dhe D.B., për shkak të...

Ftohen banorët e Gjonajt dhe Tupecit të propozojnë emra për rrugët dhe sheshet e paemërtuara

Kryetari i Këshillit Lokal të fshatrave Gjonaj dhe Tupec të Hasit, Herolind Osmanollaj, ka ftuar të gjithë banorët që të dërgojnë propozimet e tyre...

Lajmet e Fundit