12 C
Prizren
E diel, 26 Tetor, 2025

Në UPZ u mbajt tribunë për demonstratat studentore të vitit 1981

ShemsediniNë Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, nën organizimin e organizatës studentore USPE, të mërkurën është mbajtur Tribunë në kujtim të Demonstratave Studentore të 11-26 mars 1981. Në këtë tribunë një fjalë rasti e mbajti edhe Prof. Dr. Zahadin Shemsidini, u. d. rektor i UPZ-së. Ai theksoi se këto demonstrata ishin vazhdimësi e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri e pavarësi dhe se falë këtij kontributi e sakrifice u bë i mundur fillimi i luftës së armatosur dhe çlirimi i vendit dy dekada më pas. “Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë që ne e gëzojmë sot. Brezat e rinj, po ashtu dhe ju studentë të dashur nuk duhet ta harroni këtë sakrificë, por vazhdimisht ta përkujtoni sepse është frymëzim për punën e mëtutjeshme”, theksoi Shemsidini. Ai shtoi se krahas shumë të tjerëve, ishte edhe intelektuali e politologu i shquar profesor Ukshin Hoti, i cili doli në mbështetje të hapur të kërkesës së studentëve për Republikë, emrin e të cilit tani e mbanë me krenari Universiteti i Prizrenit.

Prof. Dr. Mejdi Elezi, historian, theksoi se historikisht shumë shkencëtar kanë pasur të drejtë, që është vërtetuar me rastin e Kosovës, se universiteti i vënë themelet e shtetit. “Kjo është dëshmi e gjallë që ka ndodhur në Kosovë”, theksoi ai. Profesor Elezi tha se në kohën e protestave të vitit 1981 ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” në Gjakovë. Ai kujtoi se si mediat RTP, Rilindja dhe të gjitha revistat u munduan t’i japin karakter social, dhe jo politik këtyre kërkesave, mirëpo më vonë filluan të zhvishen dhe të dalin kërkesat reale të studentëve. “Kërkesë shumë reale ishte që 2 milion shqiptar të Kosovës të kenë republikën ashtu si edhe shtetet fqinje. Mirëpo, jo që nuk na dhanë por qeveria jugosllave e eliminoi edhe Kushtetutën e vitit 1974, dhe kjo solli akoma urrejtje te populli shqiptar. Kërkesat e demonstratave të vitit 1981 kanë qenë shumë reale, por më vonë bënë jo-reale, sepse erdhi deri te shthurja e Jugosllavisë, dhe kërkesa doli për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës e cila dha shumë viktima por u kurorëzua me sukses”, theksoi Elezi.

Një fjalë rasti në këtë tribunë e mbajti edhe Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Arif Riza. Ai evokoi kujtimet personale kur kishte qenë nxënës në atë kohë. Ai kujtoi se si i kishin vendosur plisat në përkrahje të protestave dhe për këtë arsye i kishte arrestuar policia serbo-jugosllave. Riza bërë të ditur se si nxënës e kishin shkruar në vende të ndryshme fjalën “Kosova Republikë”, që ishte një kërkesë edhe e demonstratave të kohës.

Edhe profesori Naim Baftiu e mbajti një fjalë rasti, ku theksoi se lirinë që e gëzojmë sot është si rrjedhojë e punës së asaj gjenerate.

Arlind Rifaj, anëtar i Parlamentit Studentor dhe organizator i kësaj tribune nga USPE, theksoi domosdoshmërinë e kujtimit të këtyre ngjarjeve të mëdha që të shërbejnë si frymëzim për të ardhmen. Në fund u shfaq një film dokumentar për këto ngjarje historike, i cili u ndjek nga të pranishmit.

 

Më Shumë

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet për dhunë ndaj babait, sulm ndaj policëve dhe dëmtim të zyrës së stacionit policor

Një person në Prizren është arrestuar pasi që i kishte shkaktuar dhunë psiqike babait të tij. Gjatë prangosjes, i dyshuari ka sulmuar edhe zyrtarët policorë,...

Këto janë grafitet për të cilat dyshohen tifozët prizrenas që i shkruan në Mal të Zi (FOTO)

Policia në Hercegnovi të Malit të Zi, ka ndaluar një autobus me shtetas kosovarë, që raportohet se janë tifozë zë KB Bashkimit. “Arpagjikt” ishin duke...

Lajmet e Fundit