6.1 C
Prizren
E hënë, 24 Shkurt, 2025

Smaka: Kërkesa e presidentes, e ngutshme

riza smakaNjohësi i së drejtës kushtetuese, profesori Riza Smaka, e ka quajtur të panevojshme kërkesën e presidentes Atifete Jahjaga drejtuar Gjykatës Kushtetuese për t’i sqaruar dy nene të Kushtetutës, që kanë të bëjnë me atë se kush duhet të mandatohet për formimin e Qeverisë.

Sipas tij, dispozitat e Kushtetutës së Kosovës janë shumë të qarta dhe nuk krijojnë kurrfarë dileme.

“Presidentja nuk ka pasur nevojë të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese sepse dispozitat e Kushtetutës janë të qarta. Edhe ajo nga pozicioni i presidentes është dashur ta përfillë nenin 95, paragrafin e parë, sepse është dispozitë e qartë, e kuptueshme, e plotë dhe nuk krijon kurrfarë dileme. Por, ndoshta këtë e ka bërë për qëllime taktike, për t’u mbuluar me një opinion të Gjykatës Kushtetuese, e cila është në influenca politike”, ka thënë Smaka.

Ai ka vlerësuar se kërkesa e Jahjagës, përveçse është e panevojshme, është edhe e ngutshme.

Në këtë kontekst, Smaka ka thënë se presidentja është dashur t’i presë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 8 qershorit.

“Edhe pse s’ka pasur nevojë ta bëjë këtë kërkesë, përveç kësaj e ka bërë një hap para kohe, sepse kjo kërkesë është dashur të bëhet pas publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 8 qershorit”, ka thënë Smaka.

Ai ka shtuar se e drejta për ta propozuar kandidatin për kryeministër i takon koalicionit i cili do ta siguronte shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë në Kuvend.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se presidentja është dashur vetëm t’i ushtrojë kompetencat e saj duke iu referuar neneve përkatëse.

“Neni 84, paragrafi 14, është shumë i qartë, i cili thotë: ‘Presidentja e cakton mandatarin për formimin e qeverisë pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën në Kuvend’. Çka ka pasur nevojë këtu për të kërkuar sqarim?!”, është shprehur Smaka. /Epoka e Re/

Më Shumë

Kapet duhan i kontrabanduar me vlerë rreth 130 mijë euro në Vërmicë

Një sasi e konsiderueshme e duhanit me vlerë rreth 130 mijë euro është kapur të hënën në fshatin Kojush, pranë Vërmicës.  Policia ka njoftuar se...

Rihanna rrëfen ndryshimet e mëdha mes djemve të saj: Janë dy personalitete krejt të kundërta

Në një intervistë ekskluzive për Harper’s Bazaar, Rihanna ndau detaje të rralla mbi jetën si nënë dhe personalitetet e kundërta të djemve të saj,...

Lajmet e Fundit