11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Pak fjalë për njeriun e veprave dhe të shembujve të mirë

Blerim RrecajShkruan:Blerim Rrecaj

Ka kohë që hamendem, ka kohë që hezitoj a t’ia filloj një shkrimi. Me anën e së cilit do të ca thurja mendime e ndjenja për një bashkombës tonin, për njërin nga bashkatdhetarët tanë. Që ka emër e mbiemër. Që ka një jetë me një histori sa tronditëse aq dhe krenare. Që me vepra bashkëbisedon me njerëz, me lexues . Dhe nuk ndalet. Si një trim i mirë me pak shokë ose si “një trim i mirë vetëm” siç thotë në veprën e tij “Shqipori” njëri prej shkrimtarëve shqiptarë të këndej gardhit. Dhe kam ndjerë e ndjej se të shkruaj diç për të do të përballem me ndjenjën e një përgjegjësi jo të vogël. Sidoqoftë po ia filloj, sigurisht me një lloj pasigurie ndonëse duke pasur në mend fjalën e urtë se hekuri rrehet sa është i nxehtë, duke u gjendur diku mes heshtjes ,të thënmes e spontanitetit (mbase ky i fundit mund të na nxisë qoftë për t’ia qëlluar a për të gabuar…) Por duke pasur në mend edhe mjaft gjëra të tjera…

Në njërën nga ditët e majit 2012 në inbox-in tim më pat ardhur letra nga një shok imi që përmbante librat në formatin PDF të Agim Hamitit me titull: “Odiseja e një detektivi” (pjesa e parë dhe e dytë) dhe shkrimin: “Një zë nga shkretëtira shqiptare” me njoftimin: “Blerim po ta çoj ni libër elektronik për Shqipërinë e diktaturës. Besoj se hyn në kuadër të atij planit për të lexuar më shumë, që e përmende një ditë”. Dhe sa e sa kemi nevojë për ta njohur vetveten dhe ç’pengesa të mëdha që kemi mes nesh por kur ne s’merremi me këto punë që na përkasin neve atëherë kush do të merret?! Pyetje që s’do shumë koment apo jo?

Më vonë në nëntor të këtij viti (2012) pata parë te faqja elektronike “Pashtriku.org” (tek kjo faqe te rubrika libri gjendet romani dypjesësh i lartpërmendur) një shkrim për librin me autor Eugjen Merlika me titull: “Në kërkim të së vërtetës”. Për heshtjen e bojkotimin që ka kapërcyer një dekadë. Merlika pos tjerash thotë: “Ai na ka dhënë një vepër në të cilën spikasin dy linja : burgjet e diktaturës komuniste, si shprehja më e përsosur e “luftës së klasave”, në tërë mizorinë e tyre, dhe prapaskenat e politikës s’asaj diktature në marredhëniet me armiqtë – miq anglo-amerikanë në më shumë se një gjysëm shekulli”. Dhe tash duke përfolur autorin e rrallë që ka shkruar për këtë librin e Agim Hamitit pothuajse të shpallur non grata e që kryesisht gjendet nëpër faqe interneti pak a shumë ai thotë se linjën e parë autori e ka trajtuar shkëlqyeshëm e linja e dytë është më e ndërlikuar pasi aty përmendën shumë aktorë vendorë e të huaj. Mbase mjaftojnë këto citate për ta ilustruar me ca shembuj atë që nisa për të rrëfyer.

Dhe po vazhdoj aty ku e lashë aty ku më mbeti…

Pasi pata lexuar librin dhe patëm diskutuar me shokun tim rreth tij për të vërtetat e fshehura që (na) ka zbuluar autori dhe gjatë bisedave për të kemi thenë se tash po e kemi më të lehtë për të kuptuar lojën e proceset që janë bërë e po bëhen andej e këndej kufinjëve fatkeq që kanë lënë e po lënë gjithë këto plagë fizike e shpirtërore duke shpërfytyruar gjendjen tonë si njerëz e si shqiptarë. Eh kufinjtë e mallkuar. Së fundmi lexova romanin “Varrë” të Eqrem Bashës dhe pasojat e rënda që kanë shkaktuar kufinjtë mes nesh e që po na pengojmë të jetojmë ashtu siç duhet e siç na ka hije. Për të mos e zgjatur ndonëse zgjidhja e çshtjes shqiptare ende s’po merr zgjidhje (a është larg saj) dhe po stërzgjatet e po zvarritet me hapa breshke ja dhe një citat nga libri që përmenda: “Te ne kufijtë janë varrë të hapura, rreze topash, sinorë që i ngul e i shkul i huaji dhe s’e pyet asnjëherë të zotin. Nuk na ndajnë nga të tjerët që s’janë si ne, por futen midis nesh, ndajnë vëllanë nga vëllai, djalin nga babai, burrin nga gruaja…” Pasojat e varrëve (plagëve) ishin e vazhdojnë të jenë të mëdha siç thotë Xhevahir Spahiu në poezinë “Borxhet e mija” se “I kam borxh vitit ’13 që s’ia mbylla plagët”…

Dhe kohë më vonë pata parë një faqe elektronike në facebook të cilën e mirëmbant(e) Agim Hamiti. Në të postoheshin e postohen falë e shprehje të urta, artikuj, poezi, tregime, proza poetike, histori poetësh(shumicën prej të cilëve i ka njohur personalisht)të pushkatuar nga regjimi diktatorial, shkrimin për moszbardhjen e vrasjes së vëllezërve Gërvalla e të Kadri Zekës…

Dhe mozaiku me shënime e shkrime përmban male, bjeshkë, përrenj, lumenj, dete shqetësimesh e shpresash për fatet e kombit. Jo vetëm sa për të na u kujtuar poezitë e Ali Asllanit “Hakërrim” e “Dëshpërim dhe shpresë”. Ne lexuesit e kësaj faqeje e vërejmë se autori iu kundërvihet mjeteve të shumta të dez(informimit) dhe lëmë ndonjë rresht, ndonjë koment, ndonjë fjalë pasi lexojmë shkrimet, bëjmë ndonjë pëlqim(like) dhe shpërndajmë(share) ato, bredhim sikur bletët për të “ateruar” nga lulet e shumëllojta dhe për t’u ushqyer nga nektari i tyre dhe ndjejmë frymën e Rilindjes Kombëtare… Kjo dritare na fton për të qenë të vëmendshëm, për të parë realitetin në sy, për të zbutur keqkuptimet për gjërat që vazhdimisht nga pjesa dërmuese e mediave, shtëpive botuese, institucioneve nga më të ndryshmet ngatërrohen e mjegullohen qëllimisht. Në dritaren e Agimit vërejmë agun e një dite që zbardh pas një nate të gjatë. Aty ka shporta me tregime këndellëse, buqeta me poezi, aty nuk mungon as pena e mbrehtë faikkoniciane. (Dhe sikurse dikur Faiku edhe Agimi sot vazhdon veprimtarinë nga kryeqyteti i Evropës, nga Brukseli si mërgimtari i zorit që pret të kthehet me dëshirë në atdhe ndërkohë që priten sinjale për marrje statusi…) Aty shohim skena dhe prapaskena të politikave e politikanëve (pozitarëve a “opozitarëve”)vendorë a botërorë qoftë kur këta veprojnë mirë e fatkeqësisht në të shumtën e herave keq, qoftë veç e veç qoftë kur bashkëpunojnë, për të arritur ndonjë qëllim…Aty nuk mungojnë kaosi e paradokset. As problemet që presin zgjidhje. As e mira perballë të keqes. As kritika e demaskimi…Nga Agim Hamiti facebook pata marrë e postuar shkrimin shpjegues prej dhjetë rregullash të Naom Chomsky : “CILA ËSHTË METODA BASHKËKOHORE E MANIPULIMIT PSIKOLOGJIKO-INTELEKTUAL TË INDIVIDIT DHE TË SHOQËRISË NË PËRSHTATJE ME INTERESAT E KAMUFLUARA TË SUPERELITËS POLITIKE BOTËRORE?”, për këtë shpërndarje pata pranuar përgëzim nga një kritik shqiptar i mediave që jeton dhe vepron në Norvegji…

Në cepin e epërm të dritares së Agimit rri varur dhe njoftimi: “Kush dëshiron që unë t’i dërgoj gjithë librat e mi në pdf falas të m’i kërkojë në këtë adresë e-mailin tim”.

Dhe në pjesën e parë të gjysmës së dytë të këtij marsi autori do m’i dergoj librat e tij në PDF dhe po e shoh të arsyeshme ta paraqes komunikimin tone (elektronik) për të thenë e përsiatur më tej diç dhe për leximin e librave.

I nderuar Agim Hamiti, po te shkruaj dhe deshiroj te m’i dergosh librat ne pdf, kam lexuar librin tuaj Odiseja e nje detektivi 1,2 dhe jam edhe lexues i faqes tuaj ne facebook, te cilen e quaj: Dritarja informative e edukative e nje shqiptari nga Dukati.

Te mira e te mbara!

Përshëndetje Blerim !

Po ta plotësoj dëshirën me kënaqësi. E di që je nga më të rregulltit dhe më aktivët në faqen time (tonë) të fejsbukut. Së bashku me një grup Shqiptarësh të tjerë prej Kosove, jeni miqtë e mi më të preferuar në fejsbuk: të paktën të njihemi me njëri-tjetrin nëpërmjet shkrimeve tona; nuk dihet se ç’sjell e ardhmja…

Po të dërgoj librat e tjerë dhe dy-tre artikuj të publikuar në gazeta elektronike, të cilët trajtojnë problemet tona të përbashkëta.¨

Lexim të këndshëm e gjithë të mirat !

Vëllazërisht,

Agimi

Dhe kërkova dhuratën , dhurata më erdhi, njeriu vërtet e tregoka vetën me vepra thashë sapo mora dhuratën e hapa shpejt si një fëmijë kureshtar e i padurueshëm dhe kjo është një shenjë domethënëse e shumë e çmuar në këtë kohë kur ndjejmë aq shumë ftohtësi e aq shumë të zeza kanë mbuluar të bardhat.

Kam lexuar librin me tregime: “Tregimet e ferrit”, romanet: “Enigma e një brenge”, “Heronjtë e kotësisë”, “Polina” dhe dy shkrimet publicistike: “Një zë nga shkretëtira shqiptare” dhe “Fajtorë dhe të pafajshëm naiv”. Diç jam munduar të them për to, diç kam përsiatur dhe mendoj se këto vepra janë një muze i gjallë vuajtjesh të një diktature gjakatare, janë vepra që kërkojnë që drejtësia të vihet në vend sepse vetëm kështu mund të hedhim hapa përpara për të jetuar dinjitetshëm…

Agim Hamiti sikur ka parasysh shprehjen (gjermane): “Durimi është gjë e mirë por vepro deri sa pret”, dhe duke vepruar bëhet shembull i mirë për të tjerët…

Më Shumë

Policia në Prizren mbajti ligjëratë në shkolla mbi temën “Dhuna në Familje”

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim-DPP/Prishtinë, zbatuan Strategjinë e Inteligjencës dhe Policisë në Bashkësi. Në...

Duda Balje u ndalua nga autoritetet serbe në kufi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje është ndaluar mëngjesin e sotëm nga autoritet serbe në pikën kufitare në Merdare. Sipas “EO”, ajo ka qenë...

Lajmet e Fundit