0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Rrustemi: PDK është e para, por fitues janë LDK-AAK-NISMA

Naim RrustemiIsh-deputeti Naim Rrustemi konsideron se ka dallim të madh mes atij që ka dalë i pari dhe fituesit të zgjedhjeve nacionale. Sipas tij, PDK është e para por fituesit jankoalicioni LDK-AAK-NISMA pasi kanë shumicën demokratike në Kuvend. Në një intervistë për Express, Rrustemi, i cili me lëndën e tij pati dërguar Fatmir Sejdiun në shtëpi, thotë se Gjykata Kushtetuese nuk do t’i kënaq të gjitha palët. Pas kësaj situate, ai parashikon reformim të PDK’së në opozitë.

Express: Në zgjedhjet e fundit s’keni marrë pjesë pasi në zgjedhjet e vitit 2010 nuk arritët të bëheni deputet. Si e vlerësoni procesin e këtyre zgjedhjeve kur dihet se s’ka pasur akuza për vjedhje votash sikur në kohën kur ju keni qenë kandidat?

N. Rrustemi: Konsideroj se procesi zgjedhor ka shkuar brenda standardeve ballkanike. Me fjalë të tjera, nuk mund të presim që përnjëherë të ndryshojnë të gjitha proceset, dhe që vota e qytetarëve të shkojë aty ku duhet. Megjithatë, mbetet ende hapësirë për përmirësimin e procesit zgjedhor. Kam marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2010. Nuk kam arritur të bëhem deputet. Përpjekjet e mia janë ende që të jem aktivisht në politikë, por, nuk kam arritur të bëhem deputet dhe nuk është fundi i botës. E, keqja e madhe në Kosovës njerëzve që merren aktivisht me politikë është se shumë shpejt po shkëputen prej zanateve dhe prej punës dhe po shihet pastaj se gara për deputet nuk po e ka natyrën për të ndërtuar politika publike, por më shumë njerëzit po e shohin politikën si vend pune, si vend garancioni për veti. Por, kjo asgjë nuk e zbehë procesin zgjedhor.

Express: Situata politike është komplikuar pas bashkimit të tri partive politike në një bllok të përbashkët. E në anën tjetër e kemi PDK’në e vetmuar. Është mbajtur edhe një seancë e kontestuar konstituive e Kuvendit. Si e shihi zgjidhjen e kësaj bllokade politike?

N. Rrustemi: Nuk po shoh asnjë komplikim të situatës. Besoj se është e shëndetshme për PDK’në që të ndalet dhe të mendojë se pse të gjitha janë kundër saj.

Express: Cila është analiza juaj, pse janë të gjithë kundër PDK’së?

N. Rrustemi: Më mirë se PDK s’e di askush. Besoj se janë lodhur dhe rraskapitur dhe nuk po i konsideron askush si partnerë serioz afatgjatë. Pyetja më esenciale do të ishte se pse të gjithë kundër teje? A kanë të gjithë faj apo faj ke ti? Nuk e mendoj se grupimi në një anë e bën anën tjetër më të keqe apo më të mirë. Pyetja esenciale duhet të jetë se pse të gjithë kundër teje? Liderët e PDK’së duhet ta pyesin vetën se pse të gjithë kanë dalë kundër PDK’së? Ata duhet të pyesin se a kanë qenë vazhdimisht konsisent? Mirëpo, kjo situatë është e shëndetshme për reformimin e PDK’së dhe ata tash kanë mundësi të mendojnë se pse të gjithë kanë dalë kundër tyre.

Express: Meqë keni pasur përvojë me Gjykatën Kushtetuese, sa janë gjasat që Enver Hasani të merr një vendim meritor lidhur me seancën konstituive?
N. Rrustemi: Gjithmonë do të ketë palë të pakënaqura. Çfarëdo vendimi që do të merret do të ketë palë të pakënaqura. Besoj se trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese do të jetë rigoroz në vendimin e saj. Me fjalë të tjera, Gjykata Kushtetuese me një rigorozitet shkencor do ta merrë vendimin. Sepse krejt komplikimet politike po i mbeten Gjykatën Kushtetuese dhe ata duhet të matin vetën se sa janë të gatshëm të marrin një vendim. Personalisht, nuk e kam kuptuar krejt këtë debat në atë se kush është partia fituese. Fituesi definohet dhe besoj se Gjykata Kushtetuese kanë nivel shkencor se kur flitet për shkencat e jurispodencës definohet secila fjalë. Se çka definohet fituesi i zgjedhjeve? Fituese dhe i pari dallojnë shumë. Mund të jesh i pari por mos të jesh fituesi. Kjo i ngjan pothuajse një maratone. Ju mund të vraponi 32 kilometra por mos me përfundu maratonën deri në fund.

Express: Nëse është kështu, nuk mundet as i dytii treti t’i bashkojnë kohën dhe t’i dalin të parët para atij që e ka fituar garën?

N. Rrustemi: Atëherë kur nuk ka fitues, bashkohet kushdo me këdo për të krijuar shumicën

Express: Mirëpo, maratona ka përfunduar, zgjedhjet janë certifikuar?

N. Rrustemi: Unë veç e përshkruajta dhe vendosa një paralele. Logjika është pikërisht këtu. Në demokraci vendos shumica, por duhet të sqarohet se kush është i pari dhe kush është fituese, besoj se Gjykata Kushtetuese e di shumë saktë se çka do të thotë fituesi. Fituesi nuk do të thotë vetëm të jesh i pari, për mendimin tim. Besoj se Gjykata Kushtetuese e di parimin e demokracisë që është shumica. Gjykata nuk do ta ketë vështirë të merr vendim lidhur në këtë rast.
Express: Keni qenë deputet i PDK’së dhe e njihni mirë z. Thaçi. Sa është i gatshëm Kryeministria aktual të pranojë të dalë në opozitë?

N. Rrustemi: Nuk e njoh mirë z. Thaçi, por këtu nuk ka dëshira se a pranon apo jo. Në lojën e demokracisë dëshirat i mbanë për vete. Çka do të bëjë nëse s’e pranon? Cili është roli i tij? … PDK nuk është e një njeriu dhe sigurisht ka edhe njerëz të tjerë që thonë se me dëshirë s’po dalin në opozitë por po na dërgojnë të tjerët në opozitë. Me dëshirë e kish bërë vetën mbret sepse ambiciet nuk kanë kufij. Mirëpo, nuk të lënë të tjerët të shpallësh vetën mbret. Askush s’e ka fuqinë e pakufishme të merr vendime në bazë të dëshirave të veta. Veprimet duhet të jenë në harmoni me distribuimin e forcës politike.

Express: Si mund të funksionojë koalicioni LDK-AAK-NSIMA, kur dihet se lideri i LDK’së është humbës i tre palë zgjedhjeve. AAK në anën tjetër ku ka marrë më pak se dhjetë pir ërqind të votave. Aty është edhe Fatmir Limaj i akuzuar për korrupsion?

N. Rrustemi: Mundesh të jesh 20 herë humbës dhe njëherë fitues. Ajo është aritmetikë. Jeta demokratike nuk e përcjellë ndonjë varg se ke qenë njëherë e duhet të jesh dy herë… Unë e shoh se do të forcohen lidhjet mes partive në koalicion. Siç ju po e përshkruani kjo është qasje shumë negative. Z. Limaj ka punë me gjykatë, e dënon, e dënon, s’e dënon, s’e dënon. Këto janë paragjykime. A do të bëjnë veprime të mira apo jo mbetet të shihet. Për këtë arsye është edhe opozita. PDK do të jetë shumë aktive në opozitë pasi kanë qenë në pushtet qe shtatë vite dhe kanë informacione të mjaftueshme. Jeta demokratike s’varet vetëm prej pozitës, por kjo varet edhe prej opozitës.

Express: Sa ka rrezik që të përsëritet qeverisja që ka ndodhur mes LDK’së dhe AAK’së?

N. Rrustemi: Ajo kohë është pësim për të mësuar. Ata kanë qenë sikur kopeja pa ugiç. Si kope e dhenve të humbura pa ugiç, ku lideri i AAK’së shkoj në Hagë dhe për një moment kanë qenë të shpërndarë. Dihet se atëherë s’ka qenë krejt qeverisja në dorë të Qeverisë. Nuk jam duke e amnistuar qeverisjen e atëhershme, por kisha pasur dëshirë që edhe kjo qeverisje të merret edhe më atë kohë nëse dikush ka rënë ndesh me ligjin. Mendoj se ajo kohë ka qenë shumë kohë e hidhur për këto dy parti.

Express: Njëri prej zyrtarëve të PDK’së ka kërkuar qeveri gjithëpërfshirëse. Si e shihni një ide të tillë?

N. Rrustemi: Kjo nuk është në të mirë të Kosovës. Kjo e mbytë vendin dhe është zhgënjim për demokracinë e Kosovës. Këto janë oferta të dalin nga kjo situatë. Kosova s’ka ngërç politik. Këto janë edhe elemente shantazhuese dhe një parti me 37 deputetë s’mund ta dërgojë vendin në zgjedhje. Dinamikën e zhvillimeve politike e dikton koalicioni LDK-AAK-NSIMA. Këta ata që e diktojnë dinamikën.

Më Shumë

Kryeparlamentarja e Shqipërisë: Kam lindur në Tiranë por me shtëpi zemre jam nga Prishtina e Prizreni

Sot po mbahet seanca e përbashkët e kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë. Kryetarja e Kuvendit...

Bashkimi shkëlqen në kryeqytet, fiton bindshëm ndaj Prishtinës

Bashkimi fitoi ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet me rezultat 73:83 (21:32, 17:13, 19:24, 16:14), në javën e 13-të të ProCredit Superligës. Ndeshja nisi furishëm, me...

Lajmet e Fundit