4.5 C
Prizren
E martë, 21 Janar, 2025

Vizat margjinalizojnë artin

Art Liberalization Europe III DiasporaMes natyrës, nuk kishte si të ndodhe ndryshe, veçse, ajo të shkrihej në pëlhurat e tyre. Natyra dhe me bukuritë e saj ka qenë inspirim për shumë nga artistët pjesëmarrës të rezidencës ndërkombëtare “Art Liberalization Europe III Diaspora”, por janë trajtuar edhe tema të tjera, përmes të cilave artistët kanë shprehur revoltën e tyre ndaj vizave.

Sipas artistëve që kanë qenë pjesë e kësaj rezidence, qëllimi është sensibilizimi i opinionit ndërkombëtar për barrierat që kanë artistët, që të dalin jashtë kufijve të Kosovës, për të prezantuar artin e tyre nëpër botë.

Naim Spahiu, organizator, thotë për “Zërin” se tema e rezidencës ndërkombëtare “Art Liberalization Europe III Diaspora” është ajo e liberalizimit në Evropë, që, sipas tij, “ka të bëjë me sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar që ne si artistë i kemi barrierat, pengesat në arenën ndërkombëtare, duke e ditur që kemi telashe duke filluar nga ato më të thjeshtat, prej vizave”.

Teksa flet për edicionin e tretë të organizimit të kësaj rezidence, Spahiu tregon se është një nunër i konsiderueshëm i artistëve që janë pjesëmarrës dhe që i janë bashkuar qëllimit të kësaj rezidence.

“Ne si artistë jemi të organizuar që sado pak të japim kontributin tonë”, ka thënë Naim Spahiu.

Arbnor Morina, i cili i është bashkuar me vonesë artistëve të rezidencës, hante drekë dhe pikturonte në të njëjtën kohë.

“Dje kam ardhur me vonesë sepse nuk jam duke jetuar këtu dhe jam duke nxituar”, thotë ai.

Morina punonte dy peizazhe. “Meqë jemi në Gërmi nuk mund t’i ikim inspirimit të natyrës. Ne jetojmë nëpër vende shumë urbane me ngarkesë shumë dhe kjo është një mundësi edhe e relaksimit, edhe e socializmit me natyrën dhe inspirimit direkt nga natyra”, ka treguar Morina. Duke iu referuar organizimit ai thotë se dihet se kemi problem shumë të madh me lirinë e lëvizjes.

“Kjo është edhe një lloj proteste, një lloj pakënaqësie, karshi një sistemi “demokratik”, Bashkimit Evropian”, ka thënë artisti, derisa shprehet se gjithë organizimi e ka mesazhin e vet. “Ne e dimë që ky tentimi ynë është shumë i vogël karshi problemeve të mëdha që i ka shteti ynë me liberalizimin, por sidoqoftë kjo është një mënyrë e shprehjes së revoltës sonë artistike”, ka thënë Arbnor Morina.

Besarta Fetiu, një tjetër artiste pjesëmarrëse e rezidencës, e sheh këtë organizmi si mundësi e bashkimit të artistëve.
“Qëllimi i këtij organizimi është shumë i rëndësishëm, që ne artistët nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia të takohemi mes vete”, thotë Fetiu e cila ka punuar dy punime ku ka paraqitur peizazhe.

Bashkim Zabërgja shprehet se mënyra më e mirë për të protestuar artistët është puna e tyre. “Ne artistët nuk kemi tjetër formë, pos mënyrës si punojmë ne, me atë protestojmë, me atë festojmë”, thotë Zabërgja, teksa punonte në një peizazh.

“Pasi është koloni, zakonisht punohen motive të atypëratyshme, dhe natyra më ka motivuar”, ka treguar Bashkim Zabërgja.

Uran Limani tregon se rezidenca ka të bëjë me mosdaljen e artistëve jashtë kufijve të Kosovës. Ai thotë se artistët duhet të jenë të lirë, sepse përfaqësojnë një shtet.

“Artistët janë ambasadorë të shtetit dhe ata nuk është dashur të kenë barriera për ekspozimin dhe prezantimin e punëve të tyre jashtë vendit”, shprehet Limani.

Teksa tregon për punën e tij dyditore, ai thotë se është një ndër protestat më të qeta, më të bukura, më paqësore, që bëhet përmes artit.

“Kam dy punime që janë peizazhe, që janë të realizuara në frymën që unë punoj vazhdimisht, që kanë tregimin e vet. Njëri peizazh përçon një moment të ftohtë, një kohë me borë, tjetri është më i ngrohtë, është peizazh fshati, ku shihet kulla si sinonim i traditës sonë”, ka thënë Uran Limani.

Në edicionin e tretë të rezidencën ndërkombëtare “Art Liberalization Europe III Diaspora”, e mbajtur më 8 dhe 9 gusht, kanë marrë pjesë 18 artistë që kanë trajtuar tema të lira, por që punimet e tyre është dashur t’i përfundojnë brenda dy ditëve aq sa ka zgjatur rezidenca.

Punimet do të grumbullohen, do të krijohet një fond, për të cilin Naim Spahiu, thotë se shpeshherë e përdorin për fonde bamirësie, për ndonjë organizim që ka të bëjë më gjendjen sociale të njerëzve të Kosovës.

Janë ndarë mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe ata që e kanë përkrahur organizimin.

Më Shumë

Përkujtohet 322-vjetori i Kuvendit të Arbrit

Lezha solli në kujtesë Kuvendin e Arbrit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit pas Besëlidhjes së Skënderbeut. Në 322-vjetorin e Kuvendit, në kishën...

Zhduket një vajzë në Rahovec

Një person është raportuar se është zhdukur të hënën rreth orës 14:00 në Rahovec. Sipas njoftimit të policisë, babai ka njoftuar se vajza e tij...

Lajmet e Fundit