24.6 C
Prizren
E shtunë, 5 Korrik, 2025

A do të futet nën mbrojtjen të UNESCO-s Eposi i Kreshnikëve?

Eposi i kreshnikevePas Dosjes së Këngëve të Jugut Iso-Polifonia Shqiptare, e cila që nga viti 2006 është pranuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization – UNESCO), si vlerë e trashëgimisë gojore të njerëzimit dhe përfaqëson Shqipërinë, edhe Eposi i Kreshnikëve kërkon mbrojtje nga kjo organizatë botërore, për ta përfaqësuar shtetin e Kosovës.

Po bëhen një vit qyshkur një grup ekspertësh shqiptarë në krye me Dr. Zymer Nezirin, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe etnoepikolog, dhe Ministria e Kulturës e Kosovës, dorëzuan në selinë e UNESCO-s në Paris, kërkesën që Dosja e Eposit të Kreshnikëve të vihet nën mbrojtjen botërore të kësaj organizate, si një ndër kryeveprat e trashëgimisë gojore të njerëzimit.

Bartësi i këtij projekti, Zymer Neziri, thotë se nuk ka informacione nëse kërkesa e Ministrisë së Kulturës është shqyrtuar nga UNESCO, por ai shpreh besimin Dosja e Eposit të Kreshnikëve, për karakterin e saj heroik-legjendar dhe fuqinë artistike, do të shpallet nga UNESCO-ja si vlerë e trashëgimisë orale të njerëzimit, pavarësisht faktit që Kosova ende nuk është pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Këngët e epikës legjendare janë monumenti më i madh i poezisë gojore shqiptare. Ky epos, që ende bën jetë të gjallë, kryesisht në viset malore në Shqipëri, në Kosovë e në Mal të Zi, është një nga eposet e fundit të gjalla në Evropën Juglindore”, thotë Zymer Neziri.

Vite më parë Qeveria e Kosovës e kishte licencuar një komision ekspertësh në përbërje nga Zymer Neziri nga Prishtina, Shaban Sinani dhe Vasil Tole nga Tirana, që ta hartonin Dosjen e Eposit të Kreshnikëve, si një përpjekje e institucioneve të Kosovës që t’i promovonte vlerat kulturore brenda organizatave në varësi të OKB-së.

Neziri tha se gjatë hartimit të Dosjes së Eposit të Kreshnikëve për të aplikuar në UNESCO, një mbështetje të madhe këtij projekti ia kishin dhënë edhe dy studiues të huaj – dr. David Elmer nga Universiteti i Harvardit, përgjegjës i deritashëm i Koleksionit të madh të epikës gojore në Universitetin e Harvardit, Kembrixh (Cambridge), SHBA dhe Nicola Scaldaferi, nga Universiteti i Milanos, Itali, etnomuzikolog.

Epikologu Neziri shtoi se në aplikacionin e dorëzuar në UNESCO janë shtruar të gjitha karakteristikat e epikës shqiptare, ku jepen të gjitha detajet karakteristike që ka Eposi i Kreshnikëve, siç janë: vjetërsia e ciklit të këngëve të kreshnikëve; koleksionet më të njohura (ato të botuara, si dhe ato të cilat ende bëjnë jetë të gjallë nëpër disa vise të Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë së Veriut; Koleksionet e botuara në gjuhët botërore etj.

Ndryshe, vetëm një javë më parë, në Prishtinë u mbajt një konferencë shkencore në Institutin Albanologjik me temën “Gjendja e Eposit të Kreshnikëve në pesë vende të Ballkanit: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi”. Studiues shqiptarë por edhe të huaj, në këtë konferencë u pajtuan se hulumtimet në fushën e epikës popullore, sidomos ato të Ciklit të Këngëve të Kreshnikëve, duhet të vazhdojnë ende, sepse, sipas një pjesë bukur e madhe e këtij visari shpirtëror shqiptar ende bënë “jetën” e gjallë në viset veriore të Shqipërisë dhe si i tillë ai duhet të mblidhet dhe të studiohet, para se të shuhet nga zhvillimet e globalizmit dhe të “agresionit” të teknologjisë informative. /Albinfo/

Më Shumë

Isuf Çollaku – Bukëpjekësi që la gjurmë në Prizren

Zanati i bukëpjekësit ka qenë ndër më të vjetrit dhe më të nderuarit në qytetin e Prizrenit, dhe një nga emrat që lidhet ngushtë...

Arrestohen dy prizrenas në Kukës, po trafikonin armë nga Kosova në Shqipëri

Dy kosovarë janë arrestuar në Kukës, nën dyshimin se po trafikonin armë zjarri nga Kosova në Shqipëri. Sipas Policisë së Shtetit, të arrestuarit janë Sh....

Lajmet e Fundit