8.1 C
Prizren
E premte, 1 Maj, 2026

Blloku: Nuk është kompetencë e Brovinës, thirrja e liderëve

Kuvendi i Kosoves 7Përfaqësues të Bllokut opozitar thonë se nuk është në kompetencë të kryesueses Flora Brovina, thirrja e liderëve për një takim konsultues këtë enjte.

Ftesa për takim konsultativ mes liderësh të partive politike këtë të enjte nga kryesuesja Flora Brovina konsiderohet e pa bazë dhe jo kompetencë e saj nga ana e bllokut opozitar.

Ahmet Isufi nga AAK-ja i ka thënë Radio Kosovës se thirrja për takim konsultativ është tejkalim i kompetencës së zonjës Brovina që si kryesuese e seancës s`ka të bëjë asgjë me nivelin e kërkesës së saj për takim me liderët politik. Sipas tij, Blloku nuk do t`i përgjigjet ftesës së Brovinës për konsultime, por vetëm thirrjes për seancë konstituive.

“Ajo vetëm duhet ta respektojë rendin e ditës për të caktuar nga kryesia e kaluar dhe vetëm kaq është mandati i saj. Prandaj, kërkesa për t`i ftuar liderët politik është absurde sepse liderët politik mund t`i ftojë presidentja, mund të ftohen ata mes vete dhe jo kryesuesja e një mbledhje konstituive e Kuvendit”, tha ai.

Në anën tjetër, njohës të rrethanave politike theksojnë se ngërçi politik tashmë ka hyrë në një fazë delikate dhe janë duke u harxhuar të gjitha mundësitë për një zgjidhje të shpejtë. Analisti, Artan Muhaxhiri i ka thënë Radio Kosovës se presidentja Atifete Jahjaga do të duhej që të ndërhynte për zgjidhjen sa më shpejt të situatës së krijuar që pas zgjedhjeve të tetë qershorit.

“Presidentja Jahjaga e ka obligim kushtetues që të shndërrohet në një faktor uniteti dhe të tentoi të gjejë një zgjidhje. Në fund të fundit është e pamundur që të zgjidhet kjo bllokadë pa takimin e dy blloqeve kryesore, pra të koalicionit LDK, AAK, Nisma dhe PDK-së”, theksoi ai.

Ndërkaq, Zyra e Presidentes Atifete Jahjaga bënë të ditur se Presidentja nuk do të ndërmjetësojë zgjidhjet ndërmjet subjekteve politike, meqë u takon vetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të përmbushin pritjet e qytetarëve të vendit, për të gjetur zgjidhjet për konstituimin e Kuvendit, që hap rrugën e krijimit të institucioneve të reja.

Këshilltari i Presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu përmes postës elektronike, i ka thënë Radio Kosovës se në zbatim të Kushtetutës dhe në përputhje me mandatin e saj, me qëllim të garantimit të funksionimit demokratik të institucioneve, duke ruajtur pavarësinë dhe autonominë e secilit institucion, Presidentja Jahjaga, në rast nevoje, kurdo që do të mund të ndodhte pengimi i funksionimit të shtetit dhe rrezikimi i proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon vendi, nuk përjashtohet mundësia që të lehtësojë diskutimin me forcat politike.

Më Shumë

PDK-ja refuzon ofertën e VV-së, Hamza: Manovër politike

Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Vetëvendosjes për propozimin e tre kandidatëve për pozitën e presidentit të shtetit bashkë me Lidhjen Demokratike...

Hoti me mesazh nga Prizreni: Dy ditë vendimtare për Presidentin e ri ose kthimin e mandatit te qytetarët

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, pas një të diele të kaluar në Prizren, ka theksuar rëndësinë e zhvillimeve të radhës...

Lajmet e Fundit