Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se të gjithë duhet ta pranojnë zgjedhja e organeve të Kuvendit dhe formimi i Qeverisë bëhet vetëm me shumicën e votave të deputetëve në Kuvend.
Limaj ka thënë se koalicioni i bllokut, si shumicë parlamentare duke respektuar dispozitat kushtetuese dhe aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, do të gjejë zgjidhjen e cila qon në zgjedhjen e organeve të Kuvendit të Kosovës dhe formimin e Qeverisë. “Unë besoj dhe jam i bindur se ne, me maturi, pa ngutje, si shumicë parlamentare duke respektuar dispozitat kushtetuese dhe aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, do të gjejmë zgjidhjen që do të na qoj në zgjedhjen e organeve të parlamentit dhe po ashtu formimin e qeverisë”, ka shkruar Limaj në profilin e tij në Facebook.
Limaj ka bërë me dije se çdo kund në demokracitë parlamentare, shumica parlamentare merr përgjegjësinë për të qeverisur me vendin.
Lideri i Nismës, ka dhënë kritika për kryesuesen e seancës konstitutive të Kuvendit Flora Brovina, sa i përket shtyrjes së seancës. “Zonja Brovina nuk ka pasur të drejtë që të shqyrtoj kërkesa të tilla, e aq më pak të marrë vendime për to. Ajo ka pasur vetëm një detyrë, që në seancë të njoftoj deputetët se ekziston një kërkesë për shtyrje të seancës dhe të kërkojë nga deputetët që të votojnë pro ose kundër për një kërkesë të tillë, dhe këtu përfundon detyra e saj”, ka deklaruar Limaj.
Deklarata e plotë e Fatmir Limajt në profilin e tij në Facebook:
Javën që lamë pas ishim përgatitur të gjithë për vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit siç edhe ishte thirrur, mirëpo në momentin fundit kjo ndryshoi.
Për mendimin tim nuk është e pazakontë shtyrja e seancës kur ka arsye të qëndrueshme, por ajo që është e pazakontë dhe madje shumë shqetësuese është mënyra se si erdhi deri tek kjo shtyrje.
Shqetësim për mua është mënyra se si kjo kërkesë është proceduar duke shkelur praktikat dhe procedurat parlamentare.
Kërkesat për shtyrje të seancave janë normale dhe mund të vijnë nga grupet e deputetëve apo edhe nga vet grupet parlamentare, mirëpo procedimi i këtyre kërkesave duhet të bëhet sipas procedurave të parapara dhe të praktikuara edhe në të kaluarën në kuvend (çdo kërkesë e tillë, kur kuvendi është i konstituuar shqyrtohet në kryesi dhe kryesia me miratimin e saj dhe nga të gjithë shefat e grupeve parlamentare ose shumicën absolute të tyre e miratojnë shtyrjen e seancës. Ndërsa si rregull kërkesa për shtyrje të seancës, paraqitet gjithmonë në seancë, dhe vetë deputetët me shumicë votash vendosin pro ose kundër kërkesës për shtyrje të seancës).
Në rastin konkret, në mungesë të konstituimit të organeve të kuvendit, zonja Brovina nuk ka pasur të drejtë që të shqyrtoj kërkesa të tilla, e aq më pak të marrë vendime për to. Ajo ka pasur vetëm një detyrë, që në seancë të njoftoj deputetët se ekziston një kërkesë për shtyrje të seancës dhe të kërkojë nga deputetët që të votojnë pro ose kundër për një kërkesë të tillë, dhe këtu përfundon detyra e saj.
Veprimi i deputetes më të vjetër të parlamentit (e cila ka një rol ceremonial dhe asgjë më tepër) është shqetësues dhe kundërligjor. Është kundërligjor për arsyet që i ceka më lartë, ndërsa është shqetësues sepse siç duket kryesuesja ceremoniale e seancës me vetëdije është futur në shërbim të skenarëve të paligjshëm të cilët po e dëmtojnë në mënyrë të pa riparueshme traditën e jetës sonë parlamentare (edhe ashtu të re), të cilën e kemi ndërtuar me shumë mund deri më tani.
Prandaj, unë ftoj deputeten Brovina të kthehet ne rolin e saj dhe të heq dorë që këtë rol ta kthej në organ të kuvendit (tentimi i vazhdueshëm për të thirr tryeza të partive parlamentare për konsulta apo për të marr vendime, siç ndodhi herën e fundit ku dhe shtyu seancën), po ashtu e ftoj zonjën Brovina që të përmbahet nga veprimet tjera të cilat shkelin rregulloren dhe dispozitat kushtetuese të vendit tonë.
Po ashtu, ftoj të gjithë akterët politik të përfaqësuar në kuvend që të përmbahen dhe të kërkojnë zgjidhje në kuadër të dispozitave kushtetuese, dhe gjithashtu ta pranojnë realitetin e ri politik në Kosovë.
Vullneti i shumicës së qytetarëve reflektohet nëpërmjet përfaqësuesit të tij të zgjedhur, deputetit. Tashmë besoj se është e qartë për të gjithë se NE si koalicion përfaqësojmë këtë shumicë të deputetëve edhe atë shumicën absolute.
Sikur deri më tani dhe po ashtu çdo kund në demokracitë parlamentare, shumica parlamentare merr përgjegjësinë për të qeverisur me vendin.
NE si koalicion, pavarësisht tashmë mendimeve të ndara qoftë të spektrit politik apo dhe atij profesional (gjykatësit e gjykatës kushtetuese, ish gjykatësit e kësaj gjykate, hartuesit e kushtetutës sonë dhe ekspertët tjerë të së drejtës kushtetuese, të cilët edhe publikisht i kanë paraqitur mospajtimet e tyre dhe mendimet ndryshe lidhur më aktvendimin e gjykatës kushtetuese për zgjedhjen e Kryekuvendarit).
NE kemi respektuar këtë aktvendim dhe do të vazhdojmë ta respektojmë duke kërkuar zgjidhje e cila do të na qoj drejt konstituimit të organeve të kuvendit dhe formimin qeverisë sipas vullnetit dhe votës së shumicës së deputetëve.
Pra presim që të gjithë të pranojmë se edhe zgjedhja e organeve të kuvendit edhe formimi i qeverisë mund të bëhet vetëm me shumicën e votave të deputetëve në parlament.
Unë besoj dhe jam i bindur se NE, me maturi, pa ngutje, si shumicë parlamentare duke respektuar dispozitat kushtetuese dhe aktvendimet e gjykatës kushtetuese, do të gjejmë zgjidhjen që do të na qoj në zgjedhjen e organeve të parlamentit dhe po ashtu formimin e qeverisë.