Kosovës i mungon puna ekipore në luftën kundër kancerit, i mungon puna konzoliare. Këtu është fillimi dhe fundi i problemit pse lufta kundër kësaj sëmundjeje nuk po shkon deri në fund.
Ani pse Kosova ka pajisje, ka ekspertë, por secili punon kokë në vete, thotë në një intervistë për “Kohën Ditore”, eksperti për sëmundjen e kancerit të gjirit, Elvis Ahmeti.
Ai flet edhe mbi efektet që mund të kenë për pacientet mungesa e barnave, ndërprerja e detyrueshme e kemio apo e radioterapisë, për shkak se pacientet nuk ka mundësi t’i bëjnë ato, flet për mamografët modernë që i ka Kosova, e për të cilët shpeshherë mungojnë filmat, prandaj pacientet presin në radhë deri në dy muaj për një kontroll mamografie.
Ai tregon se si bota moderne ka zbuluar se identifikimi i hershëm i kancerit dhe trajtimi adekuat i tij, janë çelësi i suksesit, dhe të dyja këto gjëra janë sfida në Kosovë.
Sa mund të jemi të kënaqur me shërbimet shëndetësore për sa i përket luftës kundër kancerit të gjirit, nisur që nga mungesa e regjistrit për evidentimin e rasteve që preken nga kjo sëmundje?
Ahmeti: Jo vetëm Kosova, por asnjë vend në rajon nuk ka pasur regjistër të kancerit. Me punën në Bordin për luftimin e kancerit, i formuar në vitin 2011, ne e kemi përpiluar formularin për regjistrimin e të të prekurve me kancer. Që atëherë ai funksionon, jo sa duhet, por ka disa të dhëna. Kjo ka ndihmuar që ne, së paku t’i kemi disa të dhëna tepër të nevojshme rreth shtrirjes së kësaj sëmundjeje, siç është ajo kur kemi parë se vitin e kaluar, nga të gjitha llojet e rasteve të reja me kancer, prin kanceri i gjirit me 224 raste të reja në vit. Kjo është sfidë, sepse kërkon luftimin e tij.