21.5 C
Prizren
E hënë, 25 Gusht, 2025

Zbulohet portreti më i vjetër i Skënderbeut në doreshkrimin e 1465

95419Një nga argumentet më të debatuara në shkencën albanologjike ka qenë i lidhur me autenticitetin e portretit të Skënderbeut. Pranimi apo mos pranimi i vërtetësisë ishte i lidhur me faktin se pikënisja e ikonografisë kastriotiane dokumentohej gati gjysmë shekulli pas vdekjes së tij e për më tepër në artin grafik. Pra kopje e ndonjë portreti më të hershëm e të panjohur, që mund të hamendësohej por jo të provohej. Kështu debati pro (O. Paskali, Dh. Dhamo, K. Frashëri, K. Biçoku, F. Hudhri etj.) e kundra (At Vinçenc Malaj) edhe pse në distancë zhvillohej kryekëput mbi konsiderata subjektive. Portreti më i parë e më i njohur në Shqipëri u duk për herë të parë në vepra e të vetëquajturit Marin Barleti (ndryshe Beçikemi) Historia de Vita et Gestis Scanderbegi.. (maj 1522), që për një sërë shkaqesh të karakterit social, politik e ideologjik mbarte e transmetonte në vetvete një sërë enigmash të cilat me qëllim apo pa qëllim janë fshehur ose vazhdojnë të fshihen akoma bile edhe të mohohen.

Sidoqoftë portreti i botuar në veprën e parë e më të suksesshme biografike merrte edhe karakterin e portretit zyrtar dhe shërbeu në shekullin e XVI si gjenerues i ikonografisë kastriotiane. Ishte shekulli kur kërkesat për portretin e vërtetë e për burime sa më të sakta pretendoheshin jo vetëm nga humanistët e shquar të kohës por edhe nga publiku i gjerë i lexuesve.

Në këtë atmosferë të zhvillimeve humanistike heshtjen e Marin Beçikemit për portretin e Skënderbeut nxitojnë ta plotësojnë për interesat e tyre nipërit e Pal Ëngjëllit. Në të ashtuquajturën vepra e tretë e Marin Barleti pra “Shkurtoria mbi jetën e papëve…” (Compendium vitarum summorum pontificum…) e cila u botua më 1555 në Romë kemi një referim të qartë për portretin e ksilografuar në veprën Historia e Skënderbeut. Sipas letrës të Barleti që ja dërgonte valla Pietër Ëngjëllit lexohet : Nuk jam lajkatar (për Herkulin), por do të lavdëroj Zotin shpirtgjerë që të ruajti ty, shëmbëlltyrën(simulachrum) dhe imazhin e shumë të madhit Skënderbe dhe të vëllait tënd, kryepeshkopit Pal e së fundi të shumë merituarit kardinalit Ëngjëll. (Mbi karakterin apokrif të veprës e kohën e hartimit të saj shih: I. Karanxha: Barleti apo Beçikemi…2010, ff. 175-176, 241-247).

Më Shumë

BiCredit tani edhe në Prizren, kredi për çdo nevojë!

BiCredit vazhdon të zgjerohet për t’ju shërbyer edhe më afër! Me shumë kënaqësi ju njoftojmë se kemi hapur pikën tonë të re në Prizren, për...

Arrestohet një person në Lubizhdë të Hasit, policia konfiskon armë me gaz dhe municion

Një person është arrestuar nga Policia pas raportimeve për të shtëna me armë në një gazmend familjar në fshatin Lubizhdë të Hasit. Njësitë policore kanë...

Lajmet e Fundit