10.1 C
Prizren
E martë, 20 Maj, 2025

Kërkesa për mbrojtjen e Kino Lumbardhit i dorëzohet MKRS-së

Kino Lumbardhi(E plotësuar) Iniciativa për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit sot ka dorëzuar kërkesën në Ministrinë e Kulturës për shpalljen e Kino Lumbardhit në Prizren, pronë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore. Në kërkesën e nënshkruar nga Eroll Bilibani (drejtor i Dokufest) në emër të 58 organizatave të Iniciativës, janë ofruar argumentet për përfshirjen e Kino Lumbardhit në Listën e Trashëgimisë Kulturore.

“Ligji për Trashëgiminë Kulturore dhe Rregullorja për shpalljen në mbrojtje ligjore, parashohin kriteret (vlerat) për përfshirjen e një prone në Listën e Trashëgimisë Kulturore. Kinemaja Lumbardhi plotëson së paku katër nga këto kritere: historike, shoqërore, teknologjike dhe rariteti. Kinoja është njëra ndër objektet më të vjetra publike që ka mbijetuar në Prizren (historike). Ajo është dëshmi e traditës filmike të qytetit dhe ka ndikuar në formësimin e identitetit kulturor dhe shoqëror të komunitetit (shoqërore). Kinoja ka sjellë në Prizren teknikën e avansuar të asaj kohe të projektimit përmes shiritit filmik 35 milimetërsh në ekranin e madh (teknologjike). Stili i ndërtesës (përmasat dhe posedimi i pjesës së hapur krahas asaj të mbyllur) paraqet një ekzemplar të rrallë në Kosovë dhe rajon, jo vetëm në kohën e ndërtimit, po edhe sot (rariteti)”, thuhet në kumtesën e 58 organizatave të shoqërisë civile, pjesë e Iniciativës për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit.

Në kërkesën e Iniciativës elaborohet edhe baza ligjore, e cila aktualisht i jep mbrojtje Kino Lumbardhit. Kjo bazë ligjore rrjedh nga Ligji për Trashëgiminë Kulturore, Plani i Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit, Strategjia Orientuese për Zhvillimin Kulturor të Prizrenit dhe Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit. Duke u thirrur në bazën ligjore dhe vlerat e Kino Lumbardhit, Iniciativa ka kërkuar nga Ministria e Kulturës dhe Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore që të shqyrtojnë kërkesën për shpalljen e Kino Lumbardhit pronë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore. Pjesë e kërkesës janë edhe dokumentacioni plotësues në mbështetje të argumenteve për dhënien e kërij statusi.

“Shpallja e Kino Lumbardhit pronë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore do të shpëtonte atë nga degradimi i mëtejmë dhe në të njëjtën kohë do të rifunksionalizonte atë si hapësirë kulturore multifunksionale. Për më tepër, ky veprim do të ndalonte edhe privatizimin e Kinos, proces i nisur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Në raport me këtë proces, edhe Kuvendi i Komunës së Prizrenit, më 18 shtator 2014 ka marrë vendim për shpalljen e Kino Lumbardhit si zonë e interesit të përgjithshëm publik, për të ndaluar privatizimin dhe rifunksionalizuar atë si hapësirë kulturore”.

“Për më tepër, komuniteti kulturor i Prizrenit dhe i Kosovës ka vullnet dhe gatishmëri për të qenë pjesë e procesit të menaxhimit të Kino Lumbardhit. Shpallja e Kinos pronë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore dhe eventualisht ndalja e procesit të privatizimit, do të hapnin rrugë për bartjen e pronësisë tek Komuna e Prizrenit. Nëse komuna e Prizrenit ka gatishmëri për funksionalizim dhe e bart menaxhimin e Kinos tek Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren, ky Rrjet tashë ka edhe Plan konkret për: Hartimin dhe zbatimin e Planit të Menaxhimit dhe sigurimin e qëndrueshmërisë financiare të Kino Lumbardhit”.

“Kino Lumbardhi në Prizren është njëra ndër dëshmitë dhe vlerat më të rëndësishme të identitetit kulturor të shoqërisë kosovare. Ruajtja e kësaj vlere është obligim i gjeneratave aktuale të shoqërisë. Për këtë arsye, ne, organizatat e shoqërisë civile nga e gjithë Kosova, jemi bashkuar rreth Iniciativës për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit. Përmes këtij veprimi të përbashkët, kemi dëshirë të qartësojmë qëndrimin tonë të vendosur si dhe gatishmërinë tonë për t’i përdorur të gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar rrënimin e ndërtesës apo tjetërsimin e funksionit primar të Kino Lumbardhit. Bazuar në argumentet tona, ne kërkojmë ndaljen e procesit të privatizimit dhe shprehim mospajtimin tonë me përpjekjet për të rrënuar pjesë të caktuara të Kino Lumbardhit”. /PrizrenPress.com/

Kërkohet mbrojtja e Kino Lumbardhit

Organizata të ndryshme do të dorëzojnë sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dokumentacionin për shpalljen e Kino Lumbardhit si pronë të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të ligjit.

E gjithashtu edhe zhvillimet e reja për mbrojtjen dhe funksionalizimin e këtij objekti.

Veprimet për mbrojtjen e Kino Lumbardhit, janë përkrahur nga dhjetëra organizata vendore e ndërkombëtare, ndërkohë pas dorëzimit të dokumentacionit do të ketë edhe një deklaratë për media nga organizatorët.

Më Shumë

Aktakuzë ndaj shtatë zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, dyshohet se mashtruan në një tender

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Xh.D., Y.G., Q.K., S.V., E.Sh., L.S., B.J., për shkak...

Dragash: Nisin vizitat sistematike shëndetësore në shkolla për klasat e para dhe të pesta

Ekipi mjekësor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash ka filluar zbatimin e programit të vizitave sistematike shëndetësore nëpër shkollat e Komunës së...

Lajmet e Fundit