Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se partitë e koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe VV duhet të bëjnë një marrëveshje të re.
Në intervistën për “Epokën e re”, ai ka thënë se partitë e bllokut mbi marrëveshjen e deritanishme duhet të bëjnë një marrëveshje të re, me të cilën do t’i përcaktonin përgjegjësit e reja qeverisëse dhe objektivat qeverisëse. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka zhvlerësuar edhe marrëveshjen tonë, sa i përket përgjegjësive. Praktikisht ne duhet, mbi marrëveshjen e deritanishme, të bëjmë një marrëveshje të re, me të cilën do të përcaktonim përgjegjësitë e reja qeverisëse dhe objektivat qeverisëse. Në këtë marrëveshje do të përcaktojmë se cili, në rrethana krejtësisht të reja, do të jetë kandidat për kryeministër nga ky koalicion. Neve nuk jemi të lumtur që duhet të bëjmë një marrëveshje të re, sepse ky nuk ka qenë vullnet i yni, por kjo është pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Mustafa.
I pyetur nëse do të jetë kandidat për kryeministër, Mustafa ka lënë të kuptohet se ai do të jetë kandidati i bllokut për kryeministër. “Natyrisht se çdo marrëveshje ka për bazë themelore fuqinë e subjekteve politike, përkatësisht numrin e deputetëve, ky është edhe qëndrimi i LDK-së për marrëveshjen e re dhe pozitën e kryeministrit”, është shprehur Mustafa.
Se çfarë pozite do të ketë Ramush Haradinaj me marrëveshjen e re, lideri i LDK-së, ka thënë se gjithçka do të arrihet me një mirëkuptim të plotë. “Kjo do të jetë çështje e marrëveshjes sonë dhe e vullnetit të zotit Haradinaj dhe AAK-së. Besojmë se çdo gjë do ta arrimë me një mirëkuptim të plotë dhe në interes të qeverisjes së mirë të vendit. Gjatë këtyre muajve të bashkëpunimi tonë, ndaj përshtypje të forta për korrektësinë dhe përkushtimin e z. Haradinaj por edhe të z. Limaj dhe Kurti”, është shprehur Mustafa.
Mustafa ka thënë se nuk ka ndikuar deklarata e ambasadores Jacobson për të hequr dorë blloku nga posti i kryetarit të Kuvendit.
Sipas tij, ky vendim i bllokut ka qenë duke u diskutuar shumë më herët. “Praktikisht ne kemi përfunduar me vendimin tonë të mërkurën, në një takim të gjatë të pasdites, pra një ditë para se ambasadorja të jap deklaratën e saj”, ka treguar Mustafa.
Lideri i LDK-së ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me PDK-në.
Mustafa ka thënë se blloku është unik, pasi sipas tij, i bashkon vullneti, dëshira dhe përcaktimi për t’ia sjellë vendit një qeverisje të mirë.
Ai ka përjashtuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja. “Zgjedhjet nuk janë opsion, kjo është bërë e qartë për të gjithë”, është shprehur Mustafa.
Mustafa ka shprehur gatishmërinë që të takohet me liderin e PDK-së. “Ne mund të flasim ndërmjet veti se si do të respektojmë rregullat pozitë-opozitë në Kuvend dhe sesi do të bashkëpunojmë në të mirë të vendit tonë”, ka thënë Mustafa.
Ai ka konfirmuar se këtë jave do të udhëtoj për në Gjermani, ku do të ketë takime me zyrtarë të kabinetit të kancelares Merkel dhe deputetë të CDU-së. Në këtë intervistë, Mustafa iu është kundërpërgjigjur edhe deklaratës së Eqrem Kryeziut, i cili iu drejtua me fjalën serbisht: ‘Neka drug Isa bude predsednik Skupštine!’ (Shoku Isa u bëftë kryetar i Kuvendit!). “Zoti Kryeziu ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për LDK-në për një periudhë të gjatë kohore. Kjo është me rëndësi për mua, dhe kjo është vlerë që dëshiroj ta kultivojë në marrëdhënie me njerëzit e LDK-së. Unë me ta flas dhe mendoj shqip”, ka thënë Mustafa.