22.3 C
Prizren
E diel, 20 Prill, 2025

Zdravka Eftimova, shkrimtarja në tren

Zdravka EftimovaFituesja e Edicionit të 16-të të çmimeve letrare ballkanike, u shpall autorja bullgare Zdravka Eftimova me librin “Histori nga Perniku”, tregimet e shkurtra që thyen këtë vit tiraninë e gjatë të romanit. Prozë e fuqishme, me tipare çehoviane, Eftimova sjell një pamje groteske dhe mahnitëse të Ballkanit postkomunist. Tregimet e saj janë të shkruara gjatë udhëtimeve nga Perniku drejt Sofjes, ndërsa ajo e quan veten me shaka ‘shkrimtare treni’…

Fjalëpakë, ashtu si edhe stili i dallueshëm narrativ që i dha edhe çmimin fitues të “Balkanika 2013”, Zdravka Eftimova, autorja bashkëkohore bullgare dhe përkthyesja nga shumë gjuhë të botës, u shpreh se do të bëjë të pamundurën t’i përkthejë në gjuhën e saj të lindjes, të shtatë autorët e tjerë kandidatë për çmimin më të rëndësishëm letrar të rajonit.

Një premtim që, siç e do tradita e kësaj ngjarjeje, do të mbahet nga të shtatë vendet anëtare për ta përkthyer librin e Eftimovës në gjuhët ballkanike, përfshirë edhe shqipen, ku shkrimtarja e nderuar me një sërë çmimesh prestigjiozë, e vlerësuar jo vetëm në Europë por edhe në ShBA, nuk është e njohur për lexuesin shqiptar.

“Kishte autorë shumë herë më të mirë se unë”, – u shpreh ajo pas marrjes së çmimit nga kryetari i Jurisë Ndërkombëtare, Andrew Wachtel dhe presidenti i fondacionit “Balkanika”, Nikolay Stoyanov.

Juria i evidentoi dy kundërshtarët më të fortë, që kishin tërhequr vëmendjen duke e lëkundur deri në fund verdiktin unanim të saj. I pari ishte i përzgjedhuri i vendit pritës, romani “Valsi i Lumturisë” i Ylljet Aliçkës, i cili ka bërë bashkë groteskun dhe fenomene sociale si emigracioni apo azili politik, dhe i dyti romani “Ziyan” i autorit më të ri në konkurrimin e këtij viti, turkut Hakan Gunday, duke e gjykuar shumë premtues. Një histori alternative e një rekruti që merr pjesë në ushtrinë turke duke u vendosur në mes të strategjive të dikurshme të Ataturkut dhe strategjisë bashkëkohore të ushtrisë turke.

Por, sipas kryetarit të jurisë, libri “Stories from Pernik”( Pernishki Razkazi), kishte elementë të veçantë, duke e thyer këtë vit tiraninë e gjatë të romanit dhe duke shpallur fitues një libër me tregime.

Prozë e fuqishme, me tipare çehoviane, Eftimova sjell një pamje groteske dhe mahnitëse të Ballkanit postkomunist. “Zëri i saj unik, i rrallë dhe perspektiva narrative e bëjnë që ta meritojë plotësisht çmimin ‘Balkanika 2013”, –tha Wachtel në fjalën e tij.

Me shaka, Eftimova e quan veten ‘shkrimtare treni’. Thuajse të gjitha historitë e saj janë shkruar në tren gjatë udhëtimeve nga Perniku ku jeton, drejt Sofjes ku punon. Kudo që ndodhet, në fshat apo në një qytet të Europës, në një cep të kontinentit apo në zemër të botës së re, ajo vazhdon të monitorojë njerëzit dhe të shkruajë për ta. Këtë e realizon aq natyrshëm, njëlloj si të marrë frymë. Kolana “Pernik Stories” përfshin disa histori që ende nuk janë publikuar në atdheun e saj, Bullgari. Tregimet e saj janë shfaqur në shumë revista letrare ndërkombëtare.

Zdravka Evtimova ka lindur në vitin 1959 në Pernik të Bullgarisë, ku ajo jeton dhe punon si përkthyese letrare nga anglishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja. Ajo ka jetuar dhe ka punuar si përkthyese në Këln të Gjermanisë dhe në Bruksel, Belgjikë. Tregimet e saj të shkurtra janë botuar në 23 vende të botës. Ka shkruar katër kolana me tregime të shkurtra dhe katër romane të botuar në bullgarisht. Kolana e saj me tregime të shkurtra “Qiell i hidhur” është botuar në vitin 2003 në Britani, ndërkohë që 21 nga tregimet e saj të shkurtra janë botuar në ShBA, 17 në Britani dhe dy prej tyre janë transmetuar nga radio BBC gjatë javës së kushtuar fiction –it të Europës Lindore në vitin 2003. Ajo ka fituar një sërë çmimesh prestigjioze në Amerikë, Kanada dhe Europë. Ka përkthyer më shumë se 20 romane nga autorë amerikanë, anglezë dhe australianë në bullgarisht, si Salman Rushdie, Leonard Michales, Thessa Hadley, Arthur Miller, Sam Shepard, V.S. Naipaul etj., si dhe ka përkthyer vepra të autorëve bullgarë në gjuhë të huaja.

Ishte hera e tretë që “Balkanika” u organizua në Tiranë nga botimet “Toena”, anëtare e fondacionit letrar me të njëjtin emër, ndërsa vitin që vjen evenimenti do të zhvillohet në Bullgari.

Më Shumë

Sot festohen Pashkët

Besimtarët e krishterë në të gjithë vendin, kremtojnë sot Pashkën. Kremtimi i Pashkëve është momenti më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike...

Ylli barazon serinë çerekfinale

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Pejës me shifrat 66:75 (18:19, 9:19, 20:17, 19:20). Therandasit barazuan serinë çerekfinale në 1:1 dhe ndeshja e ardhshme...

Lajmet e Fundit