Është çështje e tyre nëse Vetëvendosje e LDK nuk e kanë arritur ende mirëbesimin për të qeverisur. Kjo nuk ua jep të drejtën që të tallen me besimin që kanë marrë nga qytetarët më 6 tetor. Nëse nuk janë të afta të krijojnë qeverinë, atëherë le të lëshojnë rrugë
Imer Mushkolaj
Albin Kurti dhe Isa Mustafa kanë zhgënjyer edhe optimistët më të mëdhenj, të cilët besonin se “erdhi dita” dhe se marrëveshja për koalicion ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mbërrihej shpejt. Përtej deklarimeve publike dhe entuziaste, veçanërisht të Kurtit, më shumë se tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve partitë vazhdojnë të mos merren vesh, zhgënjimi në mesin e atyre që i kanë votuar vazhdon të rritet, e bashkë me të edhe tallja me qytetarët.
Nuk mund ta quash ndryshe, përveç se tallje, gjithë atë çfarë po ndodh tash sa javë ndërmjet këtyre dy partive, në ato që po konsiderohen si përpjekje për një marrëveshje. Nuk mund ta quash ndryshe, përveç se tallje, mënyrën se si partitë i përfundojnë takimet, duke u pajtuar që të takohen sërish, thua se nuk e kanë pasur kohën e mjaftueshme për të konsumuar gjithë dilemat ndërmjet veti, madje edhe etjen dhe epshin për poste e privilegje. Nuk mund ta quash ndryshe, përveç se tallje, qasjen e tillë në situatën në të cilën gjendet vendi që vazhdon të menaxhohet nga një qeveri gjysmake në dorëheqje, përballë sfidave të rëndësishme brenda e jashtë. Ndërkohë, refreni i vetëm, produkti i vetëm i tre-katër orë negociatave në ditë vazhdon të jetë ai i zakonshmi: “jemi marrë vesh, që të takohemi sërish”.
Mbase nuk do t’iu zihej për të madhe për gjithë këtë vonesë e ngërç, po që se nuk do të ishin zotuar se nuk janë njësoj si të tjerët, se këta janë ndryshe dhe do të veprojnë ndryshe. Por, mënyra se si po i qasen negociatave, fakti se nuk po merren vesh për poste, e jo për program qeveritar, i bën ata të ngjashëm në këtë aspekt. I bën të papërgjegjshëm karshi votës së qytetarëve që iu kanë besuar e jotransparentë karshi gjithë opinionit.
* * *
Kur Albin Kurti deklaronte se arritja e marrëveshjes ishte çështje orësh mbase nuk e ka pasur fort të qartë se me kë ka punë. Nëse VV nuk ka përvojë në negociata, siç thonë zyrtarë të partisë partnere, LDK është e rryer në këto muhabete. LDK e di mirë se si bëhen pazaret, e di mirë se si akomodohen njerëzit, e di mirë si menaxhohen pakënaqësitë brendapartiake. Andaj insiston të përfitojë sa më shumë dhe me metodën “ngrihe e mos e këput”, edhe të diskreditojë partnerin në aspektin e mveshjes së përgjejësisë për dështimin eventual.
Por nëse LDK shquhet ndër vite për zvarritje procesesh (mjafton të kujtohen tre vjet të humbura vetëm për shkak se Isa Mustafa nuk e kishte guximin ta çonte në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi), VV duhet të veprojë.
Nëse LDK nuk është e gatshme për pushtet, respektivisht nuk merret vesh me VV’në për ndarjen e posteve, atëherë është më e ndershme të tërhiqet, të deklarojë se do të qëndrojë në opozitë. Ashtu siç është e ndershme dhe e domosdoshme që VV, pa e zvarritur më tej procesin, të tregojë se nuk është e gatshme, nuk po mundet të arrijë marrëveshje me LDK’në për të bashkëqeverisur.
Nuk ka arsye që qytetarët të mbeten peng i tekave të njërës ose partisë tjetër, të mbeten peng i dëshirave për akomodim të këtij a atij politikani, të kësaj a asaj dëshire të papërmbushur të kujdoqoftë.
Ata që kanë votuar në masë më të madhe për LDK e VV më 6 tetor, presin të jetësohet vullneti i tyre politik. Të tjerët, me të drejtë, presin të shohin se si do të qeveris ndryshe koalicioni i ri, edhe pse skepticizmi është i madh se si mund të bëhet diçka ndryshe, bashkë me një parti e cila thuajse vazhdimisht ka qenë në pushtet dhe duhet të mbajë përgjegjësinë për gjithë çfarë është bërë e nuk është bërë në këtë vend.
* * *
Arsyetimi i njerëzve të VV’së rreth situatës së krijuar është se nuk dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje të padrejtë dhe për këtë shkak po zgjasin edhe negociatat. Por, a nuk patën kohë të mjaftueshme këto parti që t’i zgjidhin dilemat dhe mospajtimet deri tash? Nëse kanë dilema kaq të mëdha tash, gjatë arritjes së marrëveshjes, si mund të funksionojnë nesër, në pushtet?
Është çështje e tyre nëse Vetëvendosje e LDK nuk e kanë arritur ende mirëbesimin për të qeverisur. Kjo nuk ua jep të drejtën të tallen me besimin që kanë marrë nga qytetarët më 6 tetor. Nëse nuk ka shans për marrëveshje, atëherë le të tërhiqen, të lëshojnë rrugë sa më parë. Qytetarët do t’i vlerësojnë me votë për talljen dhe paaftësinë për të ofruar qeverisjen e premtuar./Gazeta Express/