Qeveria komunale e Malishevës, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të saj, të drejtuar nga Kryetari i Komunës, Isni Kilaj, ku janë diskutuar çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me punët e përditshme të qeverisë komunale, si dhe për çështje të tjera aktuale, siç është fushata e korrje shirjeve, situata endemike nga ethet hemorragjike dhe çështje të tjera.
Drejtori i Drejtorisë së Administratës, Haki Krasniqi, njoftoi se kërkesat për dokumentacion në shërbimin e ofiqarisë, janë shtuar dukshëm. Sipas Krasniqit, varësisht prej nevojave, do rritet edhe orari i punës për shërbimin e ofiqarisë dhe në asnjë mënyrë qytetarët nuk do të presin për marrjen e dokumenteve të kërkuara, në veçanti mërgimtarët, kur tash pritet edhe shtimi i numrit të mërgimtarëve që vijnë në pushime.
Drejtori për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sinan Kryeziu tha ndërkaq se janë shpërndarë 40-të krerë lopë qumështore në posedim të personave që janë të interesuar për të prodhuar për treg” dhe në mes tjerash njoftoi edhe për fushatën e korrje shirjeve, që ka filluar dhe po vazhdon mbarë. Sipas Kryeziu, rendimentet mesatare janë të kënaqshme, ndërsa nuk janë regjistruar probleme, përjashtuar disa dëme të cilat janë shkaktuar nga breshëri që kanë rënë të dielën, në disa vendbanime të Malishevës.
Sa i përket situatës me ethet hemorragjike, ka njoftuar drejtori për shëndetësi, z.Skënder Hoti. Sipas tij, “në Klinikën Infektive të QKUK-së, kemi të shtrirë dy persona dhe gjendja e tyre është stabile”. “Dymbëdhjetë persona janë regjistruar të infektuar me rriqrat, ndërsa deri më sot numri i të thumbuarve nga rriqrat është 1741 persona, që janë paraqitur në emergjencën e QKMF-së në Malishevë, përderisa fushata e spërkatjes së zonave endemike, po vazhdon ende”, njoftoi drejtori Hoti./PrizrenPress.com/