8.3 C
Prizren
E shtunë, 14 Mars, 2026

Akademia e Shkencave e Shqipërisë do ta rikandidojë Kadarenë për “Nobel”

Dimensione të letërsisë kadareane në Francë dhe botë do të shkoqiten përmes studimeve e kumtesave të njohësve të shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare. Me rastin e ditëlindjes së 85-të të shkrimtarit gjirokastrit, Akademia e Shkencave në Tiranë do të organizojë një veprimtari shkencore ku, mes të tjerash, do të bëhet edhe rikandidimi i tij për “Nobelin” në letërsi

Me një veprimtari shkencore, Akademia e Shkencave të Shqipërisë do të shënojë ditëlindjen e 85-të të shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare. “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore” quhet ngjarja që do të mbahet të enjten e 28 janarit në mjediset e institucionit më të lartë akademik në Shqipëri.

Në ceremoninë e hapjes të pranishmëve do t’iu drejtohet me një fjalim rasti kreu i ASh-së, Skënder Gjinushi.

Sipari i prurjeve të konferencës do të hapet nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, Pirro Misha, që sjell trajtesën “Kadare në letërsinë europiane dhe botërore”, për t’u ndjekur nga kumtesa e studiuesit të letërsisë, Bashkim Kuçuku, “Kadareja në kritikën botërore”, si një paraqitje enciklopedike e ndërkombëtarizimit të veprës së shkrimtarit shqiptar.

Ashtu si viteve të kaluara, edhe sivjet Akademia e Shkencave do ta rikandidojë Kadarenë për çmimin “Nobel” në letërsi.

I fundit aktivitet në këtë ngjarje është paraparë mbajtja e një ekspozite me fotografi dhe dëshmi që lidhen me momentet kyç të jetës së shkrimtarit, e përgatitur nga Roland Tasho.

Ndryshe, dy vjetët e fundit kanë sjellë jo pak trofe e mirënjohje të rëndësishme për shkrimtarin më të njohur shqiptar.

Në qershor të vitit të kaluar Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “PRO-ZA Balkan”, në Maqedoninë e Veriut, ia akordoi çmimin “Prozart”. “I pakompromis kur bëhet fjalë për ndershmërinë si shkrimtar, vepra e Kadaresë ndërthur të shkuarën dhe të tashmen, mitin dhe ironinë, individualen dhe kolektiven”, ishte një nga vlerësimet kryesore të jurisë së përbërë nga kryetari Ermis Lafazanovski dhe anëtarët Aleksandar Prokopiev dhe Dejan Trajkovski.

Ndërkaq gjysma e dytë e vitit 2019, Kadaresë ia kishte sjellë “Nobelin” amerikan, siç quhet alternativisht çmimi ndërkombëtar i letërsisë “Neustadt”.

Gjatë ndarjes së këtij çmimi Kadareja ishte vlerësuar si “një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë dhe një kampion i demokracisë dhe i fjalës së lirë”.

Po të njëjtin muaj shkrimtarit shqiptar i ishte ndarë edhe çmimi “Pak Kyongni 2019”, një nga vlerësimet më të larta letrare në Korenë e Jugut. Po ashtu presidenti francez, Macron, ia kishte ndarë atij titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.

Më Shumë

Gjenden mbetje mortore në Rahovec, dyshohet se i përkasin së paku një individi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Gjatë vazhdës së punimeve njësia përkatëse policore në koordinim me IML bazuar edhe në urdhëresën e gjykatës, gjatë gërmimeve ka hasur pjesë eshtërore me...

Haxhi Avdyli ia ‘mbyll derën’ LDK-së: Jam pjesë e grupit parlamentar të LVV-së

Deputeti nga radhët e Partisë Guxo, Haxhi Avdyli, që u reshtua në krah me presidenten Vjosa Osmani, ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë e rikthimit...

Lajmet e Fundit