19.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Akademikët i kërkojnë Qeverisë krijimin e fondit për shkencën

AkademiketVeprimtaria e Akademisë së Shkencave gjatë vitit që lamë pas ka sjellë me dhjetëra botime, konferenca shkencore, simpoziume, etj. Si institucioni shkencor më i rëndësishëm në vend, ASH mbështet dhe i paraprin nevojave aktuale dhe të perspektivës për zhvillimin dhe integrimin e vendit përmes përfshirjes në iniciativa të reja në fushën e kërkimit shkencor, por ndër vite problemet nuk kanë qenë të pakta, një pjesë dhe nga reforma e bërë në ASH. Në lidhje me aktivitetin dhe kërkimin shkencor të ASH, me rëndësi për akademikët është dhe krijimi i Fondit Kombëtar për Shkencën, i parashikuar në programet e qeverisë.

Aktualisht, bazuar në programin e qeverisë 2013-2017, në kapitullin “Kërkimi shkencor i rigjeneruar”, përcaktohet si detyrë: “mbështetja e Akademisë së Shkencave për t’u kthyer në forcë shtytëse të veprimtarisë kërkimore e shkencore në vend dhe përfaqësuese e denjë e komunitetit shkencor si dhe objektivat:…mbështetja e kërkimit shkencor dhe progresit shkencor, krijimin e Fondit Kombëtar për Shkencën si burim i financimit të qëndrueshëm të kërkimit shkencor përmes zbatimit të projekteve, rritjen e autonomisë; garantimin e sinergjisë midis zhvillimit të shkencës dhe arsimit, sigurimin e pavarësisë së punës kërkimore, vendosjen e një sistemi kualifikimi bashkëkohor me rregulla e kërkesa të larta për të gjithë aktorët e sistemit, etj”.

Më herët akademikët janë shprehur se në këtë kuadër të reformave që ka ndërmarrë Këshilli i Ministrave, për arsimin e lartë, si dhe për kërkimin shkencor, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si një institucion elitar shkencor me vlerë kombëtare, do të rivlerësohet duke rritur kapacitetet e saj në strukturën e kërkimit shkencor në Shqipëri, tashmë kur parashikohet që ajo të rimarrë në strukturën e saj institutet dhe qendrat shkencore dhe duke i riformatuar ato në përputhje me strategjitë kombëtare të kërkim zhvillimit. /KultPlus.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit